Për të gjithë ata që kanë dëshirë të dinë se ku po shkon “gjëja juaj” dhe çfarë kuptimi kanë këto faza të çuditshme kur je në fillimet e një marrëdhënieje, kemi një lajm të mirë: nuk je vetëm! Edhe pse çdo histori dashurie është ndryshe, ka disa faza që shumica prej nesh kalojnë kur bëjmë “prova” për të gjetur atë të duhurin. Ja një guidë që do të të ndihmojë të orientohesh (ose të qeshësh me veten).
1. Faza e “ç’na njohu Zoti”
Kjo është ajo çudia që të ndodh kur për herë të parë e takon dikë dhe duket sikur universi të ka bërë një dhuratë. Qoftë në një lokal, në zyrë apo përmes një aplikacioni takimesh, gjithçka të duket si në filma. Ai tha: “Edhe unë e dua Netflix-in!” Ti mendove: “Kaq, jemi bërë për njëri-tjetrin.” Normalisht, pa u bërë si Xumi!
Si t’ia dalësh: Kujtoje që në këtë fazë njerëzit shpesh “shesin veten më shtrenjtë” dhe mos harro të mbash një sy hapur për ndonjë të vërtetë që mund të fshihet pas buzëqeshjes perfekte.
2. Faza e “pse flet kaq shumë në WhatsApp?”
Ky është momenti kur po i dërgoni njëri-tjetrit mesazhe pafund, duke kaluar nga temat më të thella te ato më qesharake. “Çfarë mendon për UFO-t?” “Po për qoftet me lëng limoni?”
Si t’ia dalësh: Nëse mesazhet po kthehen në një det të pafund pyetjesh dhe asnjë takim i vërtetë nuk po ndodh, është koha të ftosh tjetrin për një kafe dhe të shohësh nëse “kimia virtuale” është e njëjtë edhe në realitet.
3. Faza e “qëllimit të situatës”: Çfarë jemi ne?
Ky është momenti kur fillon ta kapësh veten duke pyetur: “Mos jam thjesht një opsion për të?” Takimet janë të bukura, por askush s’po thotë fjalën magjike: “Ekskluzivitet.”
Si t’ia dalësh: Nëse ke mbetur duke pritur një “titull” për marrëdhënien tuaj, është koha për një bisedë të sinqertë (ose të gjesh dikë që s’të lë të dyshosh!).
4. Faza e “o tani o kurrë”: Përkufizojmë marrëdhënien
Faza e famshme ku të dy keni vendosur që jeni “gjëja më e bukur që i ka ndodhur njëri-tjetrit.” Nuk ka më dyshime, vetëm hashtags si #CoupleGoals dhe të ftuara në darka familjare.
Si t’ia dalësh: Të dish të menaxhosh realitetin pasi të ketë rënë “magjia fillestare.” Po, tani është koha të përballesh edhe me zakonet e tij të çuditshme (si fakti që dëgjon muzikë me volum maksimal teksa lahet).
5. Faza e “po bëhet SHUMË serioze”
Këtu filloni të flisni për tema si ku do jetoni, nëse doni fëmijë dhe kush do të lajë pjatat. Në thelb, është faza ku zbuloni nëse jeni të sinkronizuar edhe në planet e mëdha të jetës.
Si t’ia dalësh: Mos ki frikë të flasësh hapur për planet e tua, por gjithashtu kujto që gjërat mund të ndryshojnë. Dhe mos e bëj të madhe nëse ai s’ka menduar ende për emrin e fëmijës tuaj të tretë.
6. Faza e “hajde të bëjmë gati kontratën e qirasë”
A.K.A, faza e bashkëjetesës. Tani fillon “romanca e vërtetë”: ndarja e faturave, pastrimi i shtëpisë dhe zbulimi që ai nuk e heq kurrë kapakun e pastës së dhëmbëve.
Si t’ia dalësh: Kjo fazë kërkon durim, shumë humor dhe një plan të qartë për të ndarë përgjegjësitë. Nëse e kaloni këtë me sukses, atëherë ndoshta ia vlen të diskutoni për atë gjënë tjetër të madhe…
Khëm, e kemi fjalën për dasmën. Sido që të shkojë, mbaj mend: Çdo fazë ka hijeshinë e saj dhe gjithçka është një mësim. Në fund të ditës, rëndësi ka që ti të ndihesh mirë me veten dhe me personin që ke përballë.