Rritja e një fëmije është misioni më i vështirë që ndërmerr njeriu. Ky mision ka një kusht për t’u realizuar: çdo ndjesi, mendim, fjalë, veprim duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia. Edhe dashuria vetë duhet të dhurohet nëpërmjet saj.
Natyra e ka zgjidhur shumë bukur; pranë nënës së re, në kulm të instinktit të saj mëmësor, qëndron nëna e pjekur (gjyshja) me përvojën e saj dhe pjekurinë psikoemocionale. Gjyshja përbën një figurë të rëndësishme në jetën e njeriut.
Kjo “dyshe” ideale, në harmoni me nënën e re, ndihmon në rritjen e përsosur të fëmijës. Energjia në shpërthim e nënës dhe pjekuria e gjyshes realizojnë të “përkryerën femërore” për të rritur fëmijën e shëndetshëm, si fizikisht ashtu edhe psiko-emocionalisht. Kjo formë është e shëndetshme, përsa kohë, secili nuk ngatërron pozicionin dhe rolin përkatës.
Roli i gjyshes është i pazëvendësueshëm, por jo i domosdoshëm si ai i nënës.
Gjyshja ka fituar aftësinë e vetkontrollit dhe përzgjedh shumë mirë veprimin dhe fjalën e saj.
Gjyshja komunikon me mbesën/nipin, duke fuqizuar figurën e nënës, sidomos kur ajo nuk është e pranishme. Ajo duhet t’i afrohet fëmijës gjithmonë nëpërmjet nënës dhe duke ruajtur figurën e saj. Gjyshja nuk mund ta zëvendësojë nënën.
Megjithatë është personi më i përshtatshëm për të qëndruar me fëmijën në mungesë të saj. Rëndësi të veçantë gjyshja merr në disa situata të caktuara.
Ajo duhet të asistojë nënën e re, veçanërisht në ditët dhe javët e para të jetës së fëmijës me qetësinë, inkurajimin dhe vetkontrollin e saj, duke e siguruar nënën e re, se shumë shpejt ajo do t’ia dalë mbanë. Ajo siguron prindërit e rinj se është vetëm çështje kohe, ata janë duke ndërtuar një rutinë të re në mënyrën e të sjellurit dhe të menduarit. Tashmë janë tre.
Natyrshëm, nëna kryen çdo veprim e udhëhequr nga instinkti mëmësor dhe në favor të fëmijës së saj. Ndërsa gjyshja, realizon një veprim që nuk e ka kryer më parë tek fëmija i saj, pra ajo plotëson diçka për veten. Nëna kryen veprimet për fëmijën e saj, ndërsa gjyshja plotëson veten. Pavarësisht nga cilësia e mëmësisë, nëna i jep fëmijës, ndërsa gjyshja merr nga fëmija. Mjaft të risjellim ndërmend shprehjet: “Më kënaqi”, “Më shlodhi”.
Nëse duam të veprojmë në të mirë të fëmjës, duhet të kontrollojmë veten dhe të lejojmë nënën t’i kryejë veprimet ndaj fëmijës së saj. Çdo veprim i kryer nga të tjerët dhe që përjashton nënën, përkthehet si vuajtje për fëmijën.