Ka disa faktorë që kontribuojnë në krijimin e një zinxhiri të padukshëm. Çdo faktor ka një ndikim të ndryshëm te çdo grua.
Dhuna shkatërron vetëvlerësimin
Kur ka dhunë fizike (edhe një episod i vetëm), ajo është e vendosur në një terren që është tashmë i mbushur me kritika, abuzim emocional, poshtërime, shpifje e kështu me radhë. Ajo tashmë është në një gjendje që ka minuar energjitë e saj dhe besimin në vetvete.
Vetmia
Gruaja shpesh është e vetme. Kur themi "e vetme" nuk nënkuptojmë e mbyllur në shtëpi, por nënkuptojmë që dhunuesi ka ndikuar rëndë klimën, marrëdhënien dhe besimin e gruas ndaj rrethit shoqëror apo familjar, ndoshta në një kohë të papritur.
Xhelozia, përballjet, shpifjet, kritikat dhenxitjet nga dhunuesi kanë krijuar një boshllëk përreth gruas.
Jo të gjitha abuzimet janë fizike
Përveç dhunës fizike, mund të jetë e vështirë të kuptohet se jeni viktimë e formave të tjera dhune. P.sh., dhuna ekonomike dhe psikologjike janë ndër më të vështirat për t’u vërejtur, sepse shpesh realizohen përmes manipulimeve të fshehura.
Shpresa se është vetëm një moment i vështirë
Pasi shpesh dhuna vjen pas një periudhe "para" që është karakterizuar nga një regjim tjetër (ta quajmë thjesht periudhë të lumtur), shpesh gruaja, të paktën në disa faza, shpreson ose pret që gjithçka të kthehet si më parë. Fatkeqësisht, ajo jeton me shpresën për një ndryshim, duke mbajtur si referencë një moment kur ai dukej ndryshe. Kjo shpresë ushqehet nga ciklet e dhunës, ku periudhave të dhunës mund t'u pasojnë periudha të dukshme paqësore.
Mungesa e perceptimit të rrezikut
Gruaja mund të mos e ketë perceptimin e rrezikut, ose edhe kur perceptimi i rrezikut dhe alarmi mbërrijnë, injorohen sistematikisht. Pas viteve të kritikave nga ana e burrit abuzues, gruaja jeton në një gjendje të pasigurisë dhe mosbesimit ndaj mendimeve dhe emocioneve të saj, ose mund të zhvillojë një mjegull të vërtetë emocionale që i shkakton konfuzion dhe pasiguri.
Frika
Gruaja shpesh udhëhiqet, të paktën në një fazë fillestare, nga frika se ndarja nga marrëdhënia do ta përkeqësojë situatën e saj në vend që ta përmirësojë.
Mund të friksohet se nuk do të mund të mbijetojë e vetme ose se ndarja mund të ndikojë negativisht te fëmijët.