Për të qenë realistë, të gjithë kemi kaluar disa ditë "dembele" në nivele të papranueshme; ato ditë kur duam të bëhemi një me shtratin dhe të shpresojmë që bota të na harrojë. Por nëse një gjendje e tillë bëhet një lloj "dembelizmi kronik", ndoshta është më mirë të shqetësohemi, sepse mund të jetë një shenjë e një shqetësimi psikologjik më të thellë të quajtur klinomania.
Klinomania (e cila shpesh shoqërohet edhe me simptoma të tilla si lodhje e zgjatur, vështirësi për t'u përqendruar, izolim social dhe apati) nuk është thjesht dëshirë për të fjetur, është ajo dëshirë obsesive për të qëndruar në shtrat, sikur çarçafët të ishin vendi i vetëm i sigurt në botë.
Shkaqet mund të jenë të shumta: nga depresioni ("Nuk mundem ta përballoj botën sot") te ankthi ("Më mirë të rri këtu, bota jashtë është shumë e frikshme"), deri te traumat e kaluara apo vetëvlerësimi i ulët. Por ka edhe shkaktarë fizikë, siç janë çrregullimet e gjumit, çrregullimet hormonale, ose ajo lodhje kronike që të bën të ndihesh sikur ke ngjitur Everestin pas vetëm një xhiroje deri në frigorifer.
Si mund të dalim prej kësaj? Mos u mashtroni, mrekullia nuk vjen me një zgjim më të bukur ose me kafen e duhur. Duhet një kombinim i vullnetit të mirë dhe, nëse është e nevojshme, ndihmë profesionale.
Megjithatë, ekzistojnë disa ushtrime të thjeshta që mund të na ndihmojnë të mos biem në spiralen e klinomanisë: mund të provojmë të krijojmë një rutinë (po, diçka si të ngrihemi në të njëjtën orë çdo ditë); nëse nuk jemi ende në fazën "nuk kam as dëshirë të lëviz apo të dal", mund të provojmë të dalim jashtë dhe të marrim pak diell – sepse dielli nuk bën mirë vetëm për bimët, por edhe për ne njerëzit; mund të provojmë gjithashtu të mësojmë diçka të re (kultivimi i hobive ose interesimi për diçka të re mund të stimulojë trurin dhe të mbajë lart vetëvlerësimin).
Dhe nëse situata është më serioze, një bisedë me një specialist mund të jetë zgjidhja e vetme efektive.
Dhe këshilla e fundit: Mos i injoro shenjat që trupi dhe mendja jote të dërgojnë. Kujdesu gjithmonë për veten!