Si mund ta ngadalësojmë kohën … duke u argëtuar

Life style

Si mund ta ngadalësojmë kohën … duke u argëtuar

Më: 13 janar 2025 Në ora: 06:09
Foto ilustrim

Ndjesia që koha po ecën me shpejtësi mund të jetë veçanërisht stresuese rreth Vitit të Ri, duke na bërë të ndihemi jashtë kontrollit dhe të fiksohemi te gjërat që nuk arritëm të realizonim. Por, është e mundur ta ngadalësojmë perceptimin tonë të kohës.

Perceptimi njerëzor i kohës është shumë i çuditshëm. Ajo mund të ecë më shpejt ose më ngadalë, varësisht nga ajo që po bëjmë, dhe mund të duket më e shkurtër ose më e gjatë kur kthejmë kokën pas. Marc Wittmann nga Instituti për Psikologji dhe Shëndet Mendor në Gjermani e quan këtë përvojë subjektive “koha e ndjerë,” në krahasim me “kohën orare,” që është objektive.

Mënyra se si e përjetojmë kohën në një moment të caktuar nuk përputhet gjithmonë me mënyrën si e kujtojmë atë më vonë. Të gjithë e dimë që koha fluturon kur jemi duke u argëtuar dhe zvarritet kur bëhemi “derr”. Por kur shikojmë mbrapa periudhat e mërzitshme, të mbushura me rutinë, ditët shkrihen dhe ngatërrohen në mendjen tonë, duke na bërë të ndiejmë sikur koha ka kaluar më shpejt. “Kur e shikon më vonë, duket sikur nuk ka ndodhur asgjë,” thotë Wittmann.

Eksperimentet e mbështesin këtë fenomen. Për shembull, kur sportistja e sporteve ekstreme Beatriz Flamini doli nga një shpellë 70 metra e thellë në Granada, Spanjë, në prill 2023, ajo u habit kur mësoi se kishin kaluar 500 ditë. Duke kujtuar kohën e kaluar duke thurur, lexuar, vizatuar dhe ushtruar, ajo mendonte se kishin kaluar vetëm 160-170 ditë.

Shkencëtarët besojnë se kjo ndodh për shkak të mënyrës si funksionon kujtesa. Kur shikojmë pas, numri i kujtimeve që kemi krijuar shërben si tregues i kohëzgjatjes. Periudhat me shumë kujtime të reja dhe emocionuese duken më të gjata, ndërsa periudhat me pak kujtime të reja duken më të shkurtra.

Studimet neuroshkencore e mbështesin këtë hipotezë. Një studim i fundit tregoi se njerëzit që kishin aktivitet më të madh në hipokampus, qendra e kujtesës së menjëhershme në tru, ishin më të saktë në vlerësimin e kohëzgjatjes së një klipi video. Ndërkohë, ata që vuajnë nga sëmundja e Alzheimerit, e cila lidhet me tkurrjen e hipokampusit dhe problemet e kujtesës, kanë vështirësi në vlerësimin e kohës.

Risitë si një mënyrë për të ngadalësuar kohën

Risitë na ndihmojnë të krijojmë më shumë kujtime dhe ta ndiejmë kohën më të gjatë në retrospektivë. Kjo është një nga arsyet pse koha duket se kalon më shpejt ndërsa plakemi: kur jemi fëmijë, çdo gjë është e re, por ndërsa rritemi, rutina shtohet dhe përjetojmë më pak gjëra të reja.

Për të ngadalësuar kohën, nuk është e nevojshme të bëni udhëtime të kushtueshme. Çdo ndryshim në rutinë, si njohja me njerëz të rinj ose ndjekja e një hobi të ri, mund të ndihmojë. Kujtesa e momenteve të bukura gjithashtu ndihmon në zgjatjen e perceptimit të kohës. Mbajtja e një ditari ose përqendrimi tek “çfarë kam bërë” në vend të “çfarë duhet të bëj” mund të jenë teknika të dobishme.

Rutina e tepërt na vendos në “autopilot,” ndërsa mediat sociale mund të japin ndjesinë se po humbim kohën tonë. Në vend që të shikoni jetën e të tjerëve online, më mirë jetoni përvojat tuaja. Në vend që të ngarkoheni me vendime të reja kur vjen Viti i Ri dhe të mbingarkoni jetën tuaj me rutinë, përqendrohuni te përvojat që doni dhe që do t’i mbani mend. Carpe Diem! / bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat