Studimi: Burrat janë bërë dyfish më të gjatë e të rëndë se gratë në shekullin e fundit

Life style

Studimi: Burrat janë bërë dyfish më të gjatë e të rëndë se gratë në shekullin e fundit

Më: 25 janar 2025 Në ora: 20:27
Ilustrim

Një ekip ndërkombëtar studiuesish ka zbuluar se burrat mund të jenë rritur në madhësi dhe peshë dy herë më shumë se gratë gjatë shekullit të kaluar.

Ekipi, i udhëhequr nga David Giofrè nga Universiteti i Xhenovas, publikoi gjetjet e tij në fillim të javës në revistën “Biology Letters”.

“Rezultatet tregojnë se me përmirësimet ndërkombëtare dhe ndër-gjeneratash në kushtet e jetesës, ku stresi mjedisor zvogëlohet, avancimi i meshkujve në gjatësi dhe peshë është më shumë se dyfishi i grave, duke rritur dimorfizmin e madhësisë seksuale”, thuhet në artikull.

Studiuesit analizuan të dhëna nga burime të ndryshme, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që mbulon 69 vende, Wikipedia dhe statistikat nga Britania e Madhe dhe i krahasuan këto të dhëna me treguesit e pasurisë.

Kjo zbuloi se me rritjen e standardit të jetesës, rritej edhe gjatësia dhe pesha. “Është e qartë se zhvillimi dhe ruajtja e morfologjisë bruto është më e ndjeshme ndaj kushteve të jetesës tek burrat sesa te gratë – të paktën për sa i përket gjatësisë dhe peshës”, thuhet në artikull.

Për çdo rritje prej 0,2 pikësh në Indeksin e Zhvillimit Njerëzor (HDI), gratë rriteshin mesatarisht 1,7 centimetra dhe shtonin 2,7 kilogramë në peshë. Në krahasim, meshkujt kishin një rritje mesatare prej 4 centimetra në gjatësi dhe gati 6,5 kilogramë në peshë.

Të dhënat specifike nga Britania e Madhe treguan se në gjysmën e parë të shekullit XX, burrat u rritën në gjatësi me një faktor prej 2,76 më shumë se gratë.

Shkencëtarët spekulojnë se një arsye për këtë prirje mund të jetë se gratë preferojnë burra më të gjatë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat