Në një botë ku çdo gjë ndodh me shpejtësi marramendëse - nga mesazhet e menjëhershme, tek ushqimi i shpejtë e deri te maratonat e serialeve - edhe marrëdhëniet seksuale shpesh përfundojnë duke pasuar të njëjtën rrjedhë. Por, nëse dikush ju thotë që ngadalësimi në dhomën e gjumit mund të sjellë jo vetëm një përvojë më të këndshme, por edhe një lidhje më të thellë me partnerin, a do të ndaleshit për të menduar?
Ekspertët e marrëdhënieve dhe terapistët e seksit e quajnë seksin e ngadaltë “artin” që shumë çifte duhet të kultivojnë. Duke i dhënë kohë vetes dhe partnerit, çdo prekje, puthje dhe përkëdhelje kthehet në një eksplorim më intensiv. “Kur ngadalësoni shpejtësinë, bëheni më të vëmendshëm ndaj trupave të njëri-tjetrit, duke zbuluar ndjesi që mund t’i humbisni në një moment të nxituar,” thotë Rachel Needle, psikologe dhe bashkëdrejtuese e “Modern Sex Therapy Institutes”.
Por çfarë e bën këtë lloj marrëdhënieje kaq të veçantë?
Përveç rritjes së intimitetit mes partnerëve, seksi i ngadaltë ju ofron kohë që të përjetoni orgazma më të plota dhe më intensive. Në vend që të shkoni nga “0 në 100” siç na mësojnë shpesh serialet apo filmat, ndalimi për të shijuar momentin mund të jetë një mënyrë për të reduktuar ankthin dhe për të rikthyer argëtimin në marrëdhëniet seksuale.
“Ngadalësimi sjell përfitime të jashtëzakonshme për seksin dhe jetën tuaj në çift,” shpjegon Jesse Kahn, drejtor dhe terapist seksi në “Gender & Sexuality Therapy Center” në New York. “Një qasje më e ngadaltë e bën përvojën jo vetëm më të angazhuar, por gjithashtu më argëtuese dhe çliruese.”
Nëse mendoni të përqafoni këtë “art të ngadaltë”, filloni me hapa të vegjël. Fokusohuni tek përkëdheljet, provoni ta ktheni seksin në një rrugëtim për eksplorim dhe jo në një garë për të arritur një pikë të caktuar. Ndonjëherë, është pikërisht ndjesia e të qenit në moment që sjell kënaqësinë më të madhe. Dhe, meqenëse po flasim për të marrë kohën tuaj, mos harroni: ngadalësimi është një luks që mund ta përjetoni bashkë, kurdo që të keni dëshirë.
Mbase është koha të ndaloni për një moment dhe t’i thoni vetes: “Ngadalë, por sigurt!”