Nëse kohët e fundit ndihesh si versioni njerëzor i memes “this is fine” – e ulur në një dhomë që digjet – nuk je vetëm. Edhe psikologët e kanë vënë re këtë ndjesi të përgjithshme të lodhjes. Si të vazhdosh përpara kur bota përreth duket si një zjarr i madh që s’ndalet?
Siç duket, “kohët e qeta” janë një iluzion, ndaj më mirë të fokusohemi tek ajo që mund të kontrollojmë.
Nëse nuk ke mundësinë të flasësh me një terapist, kemi përmbledhur disa këshilla të thjeshta dhe të vlefshme nga 12 profesionistë të shëndetit mendor.
1. Vendos prioritetet dhe mos u mbingarko
Kur çdo gjë duket katastrofike, bëj këtë pyetje: “A do më shqetësojë kjo gjë pas dy ditësh, dy muajsh apo dy vitesh?” Nëse përgjigjja është “jo”, atëherë mos e lodh veten. Përqendrohu tek ajo që vërtet ka rëndësi në planin afatgjatë.
2. Lëvizi trupin, çliro energjinë
Kur ndihesh i/e mbingarkuar, gjej një hapësirë dhe lëviz trupin. Tund duart, këmbët, gjithë trupin, sikur po shkund ujin. Edhe një minutë e vogël e kësaj lëvizjeje ndihmon në lirimin e energjisë negative dhe qetësimin e sistemit nervor.
3. Prano atë që nuk mund ta kontrollosh
Bota është e paparashikueshme dhe s’ke fuqi të ndalosh gjithçka që ndodh. Por diçka e ke nën kontroll: si reagon ti. Fokusohu te gjërat që mund të menaxhosh, si mënyra se si kujdesesh për veten dhe të tjerët, dhe gjej forcë tek këto gjëra.
4. Prano realitetin pa e luftuar
“Radical acceptance” është një teknikë që të ndihmon të përballosh stresin. Në vend që të luftosh ndjenjat e tua, pranoji ato pa gjykim. Nëse diçka s’mund të ndryshohet, përqendrohu te strategjitë që të bëjnë të ndihesh më mirë: një libër i mirë, një shëtitje, një bisedë me dikë të dashur.
5. Bëj hapa të vegjël
Kur çdo gjë duket e zymtë, mos e mundo veten të zgjidhësh gjithçka menjëherë. Fillimisht, bëj një frymëmarrje të thellë. Pi një gotë ujë. Dërgo një mesazh dikujt që të mbështet. Edhe veprimet më të vogla mund të ndihmojnë për të thyer ciklin e stresit.
6. Mbyll dritaret e botës së jashtme
Kur realiteti është kaotik, bëje botën tënde më të vogël. Shkëputu pak nga rrjetet sociale dhe lajmet. Përqendrohu në diçka konkrete dhe të thjeshtë: laj enët ose lexo një roman. Këto aktivitete të ndihmojnë të ndihesh më i/e qetë.
7. Mbështetu tek njerëzit që të vlerësojnë
Pavarësisht sa të vështira janë gjërat, nuk je vetëm. Mbështetu tek njerëzit që të duan. Nëse ndihesh i/e izoluar, kërko një komunitet që të bën të ndihesh i/e pranuar dhe i/e mbrojtur. Lidhja me të tjerët është një nga mënyrat më të fuqishme për të kaluar kohët e vështira.
8. Rikthehu te vetja
Kur çdo gjë duket si një rrëmujë e madhe, kujdesu për trupin dhe mendjen tënde. Ha ushqime që të japin energji, fli mjaftueshëm dhe lëviz trupin. Gjithashtu, bëj diçka që të ndihmon të ndihesh i dobishëm: ndihmo një mik, bëj një punë vullnetare, përqafo një qenush.
9. Kujto çfarë ke përballuar më parë
Shiko pas dhe kujto sfidat që ke kaluar në të shkuarën. Gjërat që të dukeshin të pamundura atëherë, tani janë vetëm kujtime. Ti ke kaluar përmes vështirësive dhe ia ke dalë. Do t’ia dalësh edhe tani.
10. Lidhi ndjenjat me mirënjohjen
Kur të ndihesh keq, kërko një mënyrë për t’u rilidhur me të tjerët. Kjo mund të jetë një bisedë e sinqertë, një mesazh falenderimi apo një moment reflektimi. Gjithashtu, praktiko mirënjohjen pa mohuar realitetin: “Jam i/e lodhur, dhe jam mirënjohës/e për gjërat e mira që kam.”
11. Lejoje veten të ndjesh
Kur stresi është i lartë, gjej një vend ku ndihesh i/e sigurt dhe emërto ndjenjat e tua: je i/e frikësuar, i/e lodhur, i/e stresuar? Shkruaji, vizatoji ose fol për to. Kur i emërton ndjenjat, ato bëhen më të menaxhueshme, citon Anabel.
12. Gjej gëzim kudo
Nuk ke pse të jesh produktiv/e në çdo moment. Nëse ndihesh i/e mbingarkuar, ndalo dhe pusho. Gjej diçka që të sjell gëzim, qoftë edhe një gjë e vogël: një këngë që të bën të kërcesh, një film që të bën të qeshësh, një moment qetësie në natyrë. Këto janë detajet që të mbajnë të fortë.
Kur bota duket e lodhshme, kujto se çdo ditë e re është një mundësi për të filluar nga e para.