Vetmia është një koncept universal, një ndjenjë nga e cila askush nuk mund të shpëtojë plotësisht. Përvoja njerëzore është unike për secilin prej nesh, duke sjellë emocione dhe reagime të ndryshme. Është pikërisht kjo larmi përvojash që e bën jetën kaq të pasur - dhe, në të njëjtën kohë, aq të frikshme. Të panjohurat e jetës shpesh na paralizojnë, por çfarë ndodh nëse frika nga e panjohura zhduket? Dhe më e rëndësishmja, si do të ndiheshe po të të thonim se qëllimi yt i vetëm në jetë është thjesht të jesh - të përjetosh gjithçka që të ofrohet?
“Teoria e vezës”, e formuluar nga Andy Weir, përpiqet të japë një përgjigje mbi qëllimin e ekzistencës njerëzore. Sipas kësaj teorie, çdo qenie njerëzore që ka ekzistuar ndonjëherë është, në fakt, një version i ri i vetes tënde. Universi që njeh është ndërtuar vetëm për ty. Shpirti yt përmban të gjitha kujtimet, mësimet dhe përvojat e jetëve të mëparshme, edhe pse nuk mund t’i kujtosh. Truri njerëzor është thjesht shumë i kufizuar për të përthithur gjithë atë që ti ke qenë dhe do të jesh.
Nëse kjo tingëllon e vështirë për t’u kuptuar, mendoje kështu: sa herë flet me dikë, në fakt po flet me një version tjetër të vetes tënde. Sa herë ndihmon dikë, po ndihmon një tjetër version tëndin. Dhe, po ashtu, çdo padrejtësi që i bën dikujt tjetër është thjesht një dhimbje që po i shkakton vetes.
Sipas “teorisë së vezës”, ekzistojnë pafundësisht shumë versione të tua dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë derisa të kesh përjetuar çdo emocion, çdo përvojë, çdo fitore dhe çdo humbje të mundshme. Vetëm atëherë do të arrish të jesh versioni yt më i plotë dhe më i ndriçuar. Në një jetë mund të kesh qenë një perandor romak, në një tjetër një ushtar i thjeshtë. Ke qenë i përjashtuari nga shoqëria, por edhe ai që ka përjashtuar të tjerët. Ke fituar një luftë dhe ke humbur një luftë - je gjithçka dhe gjithkush që ka ekzistuar ndonjëherë.
Por çfarë kuptimi ka e gjitha kjo? Nëse teoria është e vërtetë, atëherë qëllimi i shpirtit njerëzor është të mësojë, të përthithë çdo përvojë dhe mençuri të mundshme, për të kaluar më tej në një stad tjetër ekzistence - një stad ku nuk ke më nevojë për një trup fizik, por bëhesh udhëzues për një shpirt tjetër, duke e ndihmuar të kalojë nëpër jetët e tij të pafundme.
Fillimisht, kjo teori mund të duket egoiste. Ideja që e gjithë ekzistenca qenka krijuar vetëm për ne duket paksa narcisiste. Por nëse e shikon ndryshe, ajo është universale. “Teoria e vezës” shpjegon sesi çdo qenie njerëzore është e lidhur ngushtë me të tjerët. Nëse çdo njeri do të kuptonte se në një moment të jetës ka qenë - ose do të jetë - në vendin e tjetrit, ndoshta bota do të ishte një vend shumë më i ndjeshëm dhe i drejtë. Nëse çdo njeri do ta trajtonte tjetrin sikur po shikonte veten në pasqyrë, a mund ta imagjinosh sa shumë gjëra do të ndryshonin?