Edhe pse drejtimi i makinës gjatë kohës së ftohjes ose gripit mund të duket i padëmshëm, ekspertët thonë se kjo na bën më të prirur për t’u aksidentuar.
Veçanërisht, të dhënat zbulojnë se viruset e zakonshme të dimrit mund të çojnë në një reduktim 10% të kohës së reagimit, një efekt i ngjashëm me konsumimin e alkoolit përpara se të hipni në timon.
Të qenit i sëmurë për shkak të gripit ose të një ftohjeje të zakonshme mund të shkaktojë probleme të përgjithshme, si lodhje dhe marramendje, duke e bërë të rrezikshme vozitjen. Edhe simptomat relativisht të lehta, si teshtitja, mund të jenë të rrezikshme, pasi detyrohemi të mbyllim sytë në mënyrë të pavullnetshme.
“Simptomat e gripit, të tilla si lodhja dhe dhimbjet, mund të ndikojnë në nivelet e përqendrimit dhe aftësitë e reagimit, të cilat mund të çojnë në shkaktimin e një aksidenti. Në mënyrë tipike, duhet të prisni derisa të kalojnë të paktën 24 orë pa ethe dhe simptomat tuaja të përmirësohen përpara se të dilni nga shtëpia”, theksojnë ekspertët.
Lërini timonin të tjerëve…
Vlerësohet se mbi 125,000 aksidente rrugore në Britaninë e Madhe shkaktohen nga shoferë që kanë të ftohtë ose grip.
Drejtimi i makinës kur jemi të sëmurë nuk është një shkelje, megjithatë, për të qëndruar të sigurt, rekomandohet që nëse jemi të sëmurë dhe duhet të udhëtojmë, të shqyrtojmë zgjidhje alternative, si përdorimi i transportit publik me masat paraprake të nevojshme ose kërkimi i ndihmës nga një mik ose anëtar i familjes.
Një tjetër faktor i papritur që mund të shkaktojë një aksident
Zgjedhja e muzikës gjatë vozitjes duket të jetë më shumë sesa thjesht një çështje e shijes personale – mund të jetë çështje e sigurisë rrugore.
Sipas Departamentit të Transportit në Mbretërinë e Bashkuar, humbja e përqendrimit është një nga shkaqet më të zakonshme të aksidenteve.
36% e drejtuesve besojnë se muzika në makinë ndikon në shpejtësinë e tyre të drejtimit, ndërsa 62% thonë se e fikin radion në rast ankthi apo konfuzioni.
Konkretisht, pjesëmarrësit që dëgjuan muzikë të lehtë ose aspak ndryshuan korsi afërsisht 70 herë brenda 1 ore. Ata që dëgjuan muzikë rock ose këngë të tjera intensive ndërruan korsi 140 herë në 1 orë!