Si ta menaxhosh situatën kur nuk e duron dot të dashurin e shoqes

Life style

Si ta menaxhosh situatën kur nuk e duron dot të dashurin e shoqes

Më: 7 shkurt 2025 Në ora: 00:55
Foto ilustrim

Ndonjëherë, fati na buzëqesh dhe shoqja jonë bie në dashuri me dikë që na pëlqen pafund. Por ka raste të tjera kur thjesht nuk e durojmë dot të dashurin e saj të ri.

Është normale që secili të ketë shijet e veta kur vjen puna te njerëzit dhe përderisa nuk mund të zgjedhësh se me kë lidhet shoqja jote, gjithmonë ekziston mundësia që ajo të përfundojë me dikë që nuk do ta kishe zgjedhur për të. Dhe kjo mund të jetë… sfiduese, për të mos thënë rraskapitëse.

Pavarësisht nëse ky person është një "prurje e re" apo një lidhje afatgjatë, të qëndrosh në praninë e dikujt që nuk e pëlqen nuk është asnjëherë eksperiencë e këndshme. Gjërat bëhen edhe më të vështira nëse dyshon se i dashuri i shoqes nuk po e trajton siç duhet.

Sigurisht, një opsion do të ishte të përgatisje një plan brilant për t’i ndarë, por mund edhe të përpiqesh të menaxhosh situatën me qetësi. Ja çfarë mund të bësh:

Kupto pse nuk e pëlqen

Para se të arrish në përfundime, është e rëndësishme të kuptosh pse nuk e duron dot partnerin e shoqes tënde. Kjo do të të ndihmojë të dish si ta trajtosh situatën.

Njerëzit lidhen për arsye të ndryshme dhe ndodh shpesh që shoqja jote të jetë me dikë që nuk të përshtatet ty. Ka dy arsye kryesore pse mund të mos e pëlqesh:

1. Karakteri i tij të bezdis

Mund të ndodhë që thjesht nuk e ke me qejf, por kjo nuk do të thotë që ka një problem real me të. Ndoshta të duket i mërzitshëm, i çuditshëm apo thjesht nuk do ta kishe zgjedhur si shoqëri. Në këtë rast, nuk është fundi i botës.

Por, nëse të duket i pasjellshëm, i ftohtë apo nuk të pëlqen mënyra se si sillet me të tjerët (përfshirë edhe shoqen tënde), atëherë mund të jetë një shenjë se problemi është më i madh se thjesht “nuk e pëlqej”.

2. E trajton keq shoqen tënde

Nëse ke dyshime se nuk e trajton mirë shoqen tënde, madje mendon se është në një lidhje të dëmshme, atëherë nuk është më çështje preference personale - është shqetësim i vërtetë. Në këto raste, më e mira që mund të bësh është të flasësh hapur me shoqen tënde dhe të shprehësh shqetësimin tënd me kujdes.

A dëshiron të përpiqesh ta pëlqesh?

Pasi të kesh kuptuar arsyen pse nuk e duron dot, duhet të vendosësh nëse ia vlen të përpiqesh ta pranosh në rrethin tuaj apo jo.

Nëse dëshiron të provosh

Nëse problemi yt nuk është se ai po e trajton keq shoqen tënde, por thjesht nuk e ke me qejf për arsye personale, mund të përpiqesh ta njohësh më mirë. Nuk ia vlen të shkatërrosh një miqësi vetëm sepse dikush nuk është 100% në shijet e tua.

Një nga mënyrat për ta bërë këtë është të kalosh pak kohë vetëm me të. Ndonjëherë, kur e sheh dikë nga afër dhe e kupton më mirë, gjërat mund të duken ndryshe.

Gjithashtu, mund të përpiqesh të gjesh pika të përbashkëta: ndonjë hobi, ndonjë temë që të dyve ju pëlqen, apo thjesht të hapësh një bisedë më të thellë. Sa më shumë të dish për të, aq më e lehtë do të jetë ta tolerosh dhe ndoshta madje… ta pëlqesh pak më shumë (ose të paktën, të durosh praninë e tij pa ngritur sytë drejt qiellit çdo pesë minuta).

Në fund të fundit, nuk ke pse të bëhesh shoqe e ngushtë me të, por nëse është i rëndësishëm për shoqen tënde, mund të përpiqesh ta pranojë si pjesë të ekuacionit. Dhe nëse jo? Epo, gjithmonë mund të përpiqesh të shmangësh takimet treshe!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat