Të gjithë kemi historitë tona. Të gjithë përjetojmë stres dhe ankth. Shumë shpesh, në vend që t’i lejojmë vetes t’i ndiejmë këto emocione, i shtypim duke thënë: “Ka edhe më keq”.
Së fundmi, në një mbledhje, një grua me të cilën po bisedoja më tregoi për diagnozën e kancerit të djalit të saj. Teksa rrëfente procesin e mundimshëm të trajtimit dhe ndjesinë e humbjes e zemërimit që po përjetonte, ajo tha menjëherë: "Por kur shkon në spitalin e fëmijëve, sheh fëmijë në gjendje shumë më të rëndë. Ndihem keq që po ankohem, ne jemi me fat."
Me fat?! Seriozisht?! Sepse djali yt ka “vetëm” leuçemi dhe jo kancer në tru? U ktheva nga ajo dhe i thashë me qetësi: "Nuk ka rëndësi çfarë sëmundjeje është, ta shohësh fëmijën të vuajë duhet të jetë një përvojë tepër e rëndë." Ajo më pa, mori frymë thellë dhe u përgjigj: "Faleminderit. Ka qenë gjëja më e vështirë që kam kaluar ndonjëherë."
Jetojmë në një shoqëri ku gjithçka krahasohet, ku ka një garë të heshtur se kush është më keq, ku njerëzit thonë "Të paktën nuk jam si ai/ajo." Kjo është thjesht një formë e gabuar e modestisë. Po sikur të gjithë të pranonim vështirësitë dhe historitë tona pa i minimizuar? Po sikur të mund të thoshim pa u ndjerë në faj: "Sot kam pasur një ditë të keqe", pa u përballur me përgjigje si "mendo pozitivisht," "mund të ishte më keq," ose "nuk është edhe aq keq." Po sikur dikush të na thoshte thjesht:
- "Më vjen keq që ke pasur një ditë të vështirë."
- "Më trego më shumë."
- "Nëse ke nevojë për ndihmë, më thuaj."
Mbase ti po ndihesh i rraskapitur nga puna dhe mezi çohesh nga shtrati çdo mëngjes. Pastaj sheh mikun tënd që kujdeset për tre fëmijë të vegjël, një prind të sëmurë dhe përveç kësaj ka një punë me kohë të plotë.
Dhe mendon:
- "Duhet të jem më i/e fortë."
- "Duhet të jem si ai/ajo."
- "Jam i/e dobët."
Por, kujt i shërben ky lloj mendimi?
A e ndihmon mikun tënd? Jo.
A të ndihmon ty? Jo.
Në fakt, nuk ndihmon askënd - vetëm sa të bën të ndihesh më keq.
Ke një ditë të keqe? Ok.
Ke humbur një kafshë shtëpiake dhe ndihesh keq? Është totalisht ok.
Je lodhur nga i ftohti dhe bora? Është në rregull.
Çfarëdo stresi që po përjeton, është në rregull ta ndjesh. Po, gjithmonë do të jetë dikush që është më keq, por fakti që ti shtyp dhimbjen tënde nuk e ndihmon atë person. Kur injorojmë dhimbjen tonë me justifikimin "dikush tjetër vuan më shumë", e vetmja gjë që arrijmë është ta shtypim atë brenda vetes. Nuk i ndihmojmë as të tjerët, as veten. Po i japim vetes një arsye të gabuar për të mos e përballuar realitetin tonë.
Dhe në fund të ditës, të ndihesh keq ndonjëherë është krejt normale.
- Shkruar nga Nancy Jane Smith, terapiste e njohur për librin “The Happier Approach: Be Kind to Yourself, Feel Happier, and Still Accomplish Your Goals”/