Derisa të vijë 19 shkurti, muaji meriton t’u dedikohet vetëm Ujorëve, cilësitë e të cilëve duket se ngjallin zili për shumë njerëz të tjerë. Ç'të veçantë kanë ata që lakmohen nga gjithë shenjat e tjera të zodiakut? Shumë gjëra!
Për shembull, Ujori s’bën fare, po fare kompromis me lirinë, është një shenjë super inteligjente, flirtuese, e djallëzuar dhe le të themi që s’i kalon asgjë nën hundë.
Është shumë e thjeshtë ta dallosh një Ujor: E ke gjithnjë në cep, duke menduar për gjërat e veta, ose duke folur me zë të lartë për kauza të ndryshme.
Nëse ke një koleg Ujor duhet të dish se është një person plot ide, herë brilante e herë të çmendura. Por, sado të çmendura të duken idetë e një Ujori, ato sërish funksionojnë. Ujori mendon jashtë kornizave dhe bën kryevepra.
Ujori ka edhe një karakteristikë të veçantë: S’e vret mendjen hiç për mendimin e të tjerëve dhe kjo i bën të lirë e të pavarur nga gjykimet. Siç nuk i dëgjon gjykimet, as nuk gjykon, ndaj duhet ta dish se Ujori dhe thashethemet nuk shkojnë mirë bashkë.
Kjo shenjë Ajri nuk është shumë e ndjeshme dhe nostalgjike. Pak a shumë, është si një lumë, ecën vetëm para, ndaj s’do e gjesh kurrë duke i shkruar ndonjë ish-i, apo duke u penduar për të shkuarën.
Ujori është një shenjë e vetmuar dhe e paparashikueshme, por nëse gjen një person me të cilin mund të ndihet 100% vetvetja, del nga vetmia dhe e përqafon mendjen, trupin dhe shpirtin e individit fatlum. Por, para kësaj, duhet të dish se për një Ujor, organi më seksi është truri, ndaj bisedat intelektuale, arti, librat dhe muzika janë ato që thyejnë akullin.