Mos kini frikë të jeni vetvetja. Frika nga refuzimi apo braktisja është njerëzore, por kur mbizotëron në jetën tonë, ajo çon në ndryshimin e autenticitetit tonë. Ne përfundojmë duke i’u përshtatur roleve që nuk na shprehin, duke kërkuar vërtetimin nga njerëzit që nuk na kuptojnë ose nuk na vlerësojnë.
Le të kujtojmë sa herë jemi ndjerë fajtorë thjesht sepse donim të vendosnim kufij. Sa herë e kemi shmangur të themi se një marrëdhënie – qoftë miqësore, profesionale apo romantike – ka bërë rrethin e plotë sepse kishim frikë nga reagimi i tjetrit. Shpesh, kjo ndjenjë faji grumbullohet dhe shfaqet në zemërim. Zemërimi që në vend që të drejtohet drejt burimit të tij, shpërthen te njerëzit e gabuar, duke lënë plagë në të dyja anët.
Autenticiteti është fuqi dhe liri. Kur jemi të sinqertë me veten dhe me të tjerët, çlirohemi nga ajo që na rëndon. Një marrëdhënie që na shteron, që nënçmon inteligjencën dhe vlerat tona, nuk ka nevojë të vazhdojë. Ndershmëria nuk është e lehtë, ajo kërkon guxim dhe përgjegjësi. Por, është e vetmja mënyrë për të ecur drejt diçkaje më të mirë-drejt njerëzve që na respektojnë dhe vlerësojnë vërtet praninë tonë, kush jemi dhe çfarë ofrojmë.
Shumë herë, në përpjekjen tonë për t’u “përshtatur” diku ku nuk vlerësohemi, kemi sakrifikuar autenticitetin dhe vetëvlerësimin tonë. Në këtë mënyrë, ne u bëmë të pambrojtur ndaj shfrytëzimit dhe përdorimit. Një shfrytëzim që nis me shpresën se ndoshta një ditë të tjerët do të ndryshojnë ose do të na njohin. Megjithatë, është e rëndësishme të kuptojmë se ne nuk mund t’i ndryshojmë të tjerët, as t’i detyrojmë ata të na vlerësojnë.
Kur i qëndrojmë besnikë vetes dhe e shprehim qartë, ata që nuk janë të pajtueshëm me ne largohen. Kjo mund të duket e dhimbshme, por në fakt është lehtësuese. Liron hapësirë për njerëzit që të vijnë në jetën tonë që e shohin vlerën tonë. Këta njerëz i vënë fjalët në veprim, na mbështesin, ecin me ne me respekt dhe ndershmëri.
Nëse kemi mësuar të ndalemi në situata që nuk ndryshojnë sepse ndiejmë trishtim ose faj, është koha ta “ç’mësojmë” këtë zakon. Trishtimi ose frika nuk janë motive të shëndetshme për të mbajtur marrëdhëniet ose situatat në jetën tonë. Kapja pas marrëdhënieve ose mjediseve toksike jo vetëm që na dëmton ne, por edhe të tjerët, pasi ne përforcojmë një cikël negativiteti.
E vërteta është çliruese. Kur jemi të sinqertë, tregojmë respekt për veten dhe të tjerët. Ne investojmë në botën tonë të brendshme, forcojmë vetëvlerësimin dhe fitojmë lirinë për të zgjedhur marrëdhënie dhe situata që na bëjnë të ndihemi të kompletuar.
Mos kini frikë të jeni vetvetja. Mos kini frikë të largoheni nga toksiciteti, të thoni “jo” ose “mjaft” kur është e nevojshme. Autenticiteti juaj është filtri që do të mbajë në jetën tuaj atë që është me të vërtetë e vlefshme. Lini pas atë që ju rëndon dhe lini vend për atë që ju fuqizon. Sepse kur je vetvetja, jeton me të vërtetën dhe integritetin.