Personaliteti është ai që të dallon nga të tjerët - disa shkëlqejnë në ambiente sociale, ndërsa të tjerë e adhurojnë qetësinë. Por a e ke menduar ndonjëherë se cilit tip i përket ti? Studiuesit kanë përmbledhur personalitetin në 5 tipare kryesore: hapja ndaj përvojave të reja, ndërgjegjshmëria, sa ekstrovert je, mirësia dhe neuroticizmi.
E vërteta është se askush nuk është ekstrovert apo introvert - shumica ndodhet diku në mes. Le të zbulojmë se ku bie ti në këtë “oqean” personalitetesh!
1. Je kurioz apo më praktik?
Nëse dashuron të mësosh gjëra të reja, ke ide të pazakonta dhe nuk ke frikë të dalësh nga zona e komfortit, atëherë je një person i hapur ndaj përvojave të reja. Por nëse preferon traditën dhe sigurinë, mund të jesh më i prirur drejt praktikës sesa eksperimentimit.
2. Planifikon çdo detaj apo i lë gjërat për në moment të fundit?
Nëse je organizuar, i përpiktë dhe mendon gjithmonë para se të veprosh, atëherë ke një ndërgjegjshmëri të lartë. Por nëse shpesh të ndodh të harrosh takime apo të bësh gjërat në minutën e fundit, ndoshta je më spontan (ose më i çorganizuar).
3. Merr energji nga njerëzit apo nga vetmia?
Ekstrovertët janë ata që ndihen në zonën e tyre kur janë të rrethuar nga njerëz dhe aktiviteti social i gjallëron. Në anën tjetër, introvertët preferojnë më shumë qetësinë dhe shoqërinë e ngushtë, duke u ndjerë të lodhur nga shoqëria e tepërt.
4. I beson lehtë njerëzit apo je më dyshues?
Personat me një nivel të lartë mirësie janë të ngrohtë, të dashur dhe të gatshëm për të ndihmuar. Ata që kanë më pak nga ky tipar janë më skeptikë, më konkurrues dhe ndonjëherë më të ftohtë në marrëdhëniet e tyre.
5. Mbizotëron qetësia apo ankthi te ty?
Nëse përjeton shpesh ankth, stres dhe ndryshime humori, atëherë mund të kesh një nivel të lartë neuroticizmi. Në të kundërt, ata që janë më të qetë dhe më të qëndrueshëm emocionalisht nuk e lejojnë stresin të ndikojë në vendimet e tyre.
Po ti, ku e sheh veten?
Personaliteti nuk është një etiketë fikse - ai mund të ndryshojë dhe të zhvillohet me kohën. E rëndësishme është të njohësh veten dhe të kuptosh se si këto tipare ndikojnë në vendimet dhe marrëdhëniet e tua. Pra, a je më shumë eksplorues apo praktik? Më shumë organizator apo spontan? Dhe mbi të gjitha, sa mirë e njeh vërtet veten?