Kur një person me të ardhura modeste lidhet me dikë që ka pasur para gjithë jetën, përplasjet kulturore dhe financiare janë të pashmangshme. Disa kanë treguar përvojat e tyre me partnerë jashtëzakonisht të pasur dhe të gjithë kanë dalë me të njëjtën përfundim: ata jetojnë në një botë tjetër.
“Ata nuk e kuptojnë sa të pasur janë”
“Ish i dashuri im ishte JASHTËZAKONISHT i pasur, por kishte një kompleks sikur ishte shumë i varfër. E gjithë shoqëria e tij ishte po aq e pasur dhe për faktin se disa prej tyre kishin më shumë, ai e konsideronte veten ‘në fund të shkallës’. Nuk e kishte asnjë referencë se çfarë do të thoshte të ishe vërtet i varfër. Unë jetoja me një buxhet ushqimor prej 50 paundësh në muaj dhe ai nuk arrinte ta kuptonte si ishte e mundur të shpenzoje kaq pak për ushqim.”
“Rrjeti i të pasurve është i pakapshëm për të tjerët”
“Është si një realitet paralel. Ata mund të marrin një punë të shkëlqyer vetëm sepse dikush i njeh. Më kujtohet që ish i dashuri im më ftoi në një koncert ku biletat kushtonin 180 dollarë, por nuk paguam fare. Ose, kur na u prish lavastovilja, nuk paguam asnjë qindarkë për riparimin - prona ishte e prindërve të një shoku të tij, kështu që u zgjidh falas.”
“Nuk i japin asgjëje vlerë”
“Dola me një djalë që jetonte nga një fond besimi. Ai mund të përballonte gjithçka - por pikërisht për këtë arsye, asgjë nuk kishte vlerë për të. Blinte një mikser 400 dollarësh, e prishte brenda javës dhe thjesht blinte një tjetër. Asgjë nuk kishte kuptim për të, sepse çdo gjë mund të zëvendësohej.”
“Më dha 300 dollarë për ‘disa gjëra bazë’”
“Ish i dashuri im nuk kishte asnjë koncept për kursimin apo vlerën e parasë. Paratë i vinin vetë nga investimet, kështu që ai nuk ndjente nevojën për të bërë llogari. Një ditë i thashë që do të shkoja në dyqan për të blerë disa gjëra për darkë dhe ai më dha 300 dollarë sikur të ishte një shumë minimale për ‘disa gjëra bazë’.”
“Kanë një siguri që ne nuk e kemi”
“Gjithmonë kam pasur ndjesinë se familja ime ishte një hap larg katastrofës financiare. Më duhej të kujdesesha për çdo send, sepse nuk do të kisha mundësi ta zëvendësoja. Ndërsa gratë me të cilat kam qenë në lidhje, që vinin nga familje të pasura, nuk e kishin këtë frikë. Nëse diçka prishej, thjesht e zëvendësonin. Për ta, gjithçka ishte e rregullueshme - mjaftonte të hidhje para mbi problem.”
“S’dinë të bëjnë asgjë vetë”
“Nuk kanë aftësi bazike si të pastrojnë një tub të bllokuar, të varin një pikturë apo të ndryshojnë një filtër. Do të shpenzojnë 100 dollarë për të thirrur një usta, kur mund ta kishin rregulluar vetë me 15 dollarë dhe pak përpjekje.”
“Krishtlindjet e tyre ishin një botë më vete”
“Ish-gruaja ime kishte një gjysh multi-milioner. Gjatë Krishtlindjeve, të gjithë përpiqeshin të qëndronin afër tij dhe i bënin lajka. Ndërsa unë, thjesht ulesha në dysheme dhe luaja me fëmijët e mi. Pas Krishtlindjeve të dyta, më mori në telefon dhe më pyeti çfarë mund të bënte për familjen time. I thashë se nuk më duhej paraja e tij, por doja që fëmijët e mi ta njihnin gjyshin e tyre.”