Në kompani të njohura japoneze si Toyota dhe Panasonic, një praktikë e quajtur kaizen është baza mbi të cilën operojnë punonjësit. Kaizen nënkupton përmirësimin e vazhdueshëm, edhe në hapa shumë të vegjël, qoftë edhe me 1%. Por a mund ta zbatojmë këtë metodë edhe në jetën tonë për të arritur objektivat që kemi?
Sipas ekspertëve, po. Edhe pse terapistët mund të mos e quajnë me të njëjtin emër, ndryshimet e vogla të sjelljes janë një strategji që përdoret shpesh për të ndihmuar njerëzit të krijojnë zakone të reja dhe të arrijnë qëllimet e tyre. “Ka më shumë gjasa të arrini objektiva të mëdha dhe afatgjata nëse bëni hapa të vegjël drejt tyre,” shpjegon psikologia klinike Jolie Silva.
Edhe një përmirësim prej vetëm 1% ka ndikim?
“Nuk ka ndonjë të dhënë të saktë se çfarë përfaqëson saktësisht 1%,” thotë Silva, por thelbi është që ndarja e objektivave të mëdha në hapa të vegjël është një teknikë e njohur shkencërisht, sidomos për ata që ndihen të bllokuar për të nisur një detyrë apo kanë mungesë motivimi.
Ajo që ka rëndësi, sipas Silvës, është ndjenja e arritjes që ju jep ky përmirësim, sado i vogël qoftë. Kjo është ajo që ju motivon të vazhdoni edhe ditën tjetër.
Duke e ndarë objektivin e madh në hapa të vegjël, i jepni vetes më shumë mundësi për të përjetuar këto fitore të vogla, të cilat rrisin besimin në aftësitë tuaja. “Marrim një ndjenjë kënaqësie dhe shpërblimi,” shpjegon Katherine Milkman, eksperte e ndryshimit të sjelljes.
Nëse arrini të ndiheni të motivuar çdo ditë përmes këtyre sukseseve të vogla, në vend që të prisni deri në fund për të përjetuar kënaqësinë e arritjes së objektivit të madh, do ta keni më të lehtë të ecni përpara dhe të mos hiqni dorë.