Përgëzo çdo njeri që përpiqet të bëjë diçka të bukur, dhe mos e pengo me kritika apo nënvlerësime, të cilat janë vrasës të heshtur!
Sa bukur do ishte sikur secili prej nesh të njihte vlerën e vetes dhe të zgjidhte gjithmonë vizionin e tij të qartë, pavarësisht se çfarë mendojnë të tjerët, dhe pa lejuar të ndikohet nga opinionet e jashtme. Kam bindjen, ose të paktën kështu e mendoj unë, pa dashur aspak të jap këshilla, se: “nëse çdo njeri qëndron besnik ndaj vlerave dhe qëllimeve të qarta, nëse e çmon vërtet mençurinë e brendshme, ka ardhur pas sfidave të ndryshme në jetë.
Dhe, nëse vërtet punon aq fort drejt diçkaje që ka potencialin dhe dëshirën për ta arritur, atëherë e gjithë përpjekja do marrë kuptimin e duhur, dhe nuk mund të jetë kurrë i njëjti person si më parë.”
Por, sa prej nesh guxojnë të shkojnë drejt asaj që vërtetë dëshirojnë?
Tek shumë të rinj, ndodh që ëndrrat e tyre të thyhen nga ata që i rrethojnë, duke jua prerë krahët që në fillimet e tyre, duke i demotivuar dhe duke i vënë më shumë në dukje rrethanat apo pengesat, të cilat shpesh janë përtej fuqisë së tyre.
Ne jemi produkt i shumë faktorëve të ndryshëm që ndikojnë tek ne në mënyrë të pashmangshme, por udhëtimi i secilit është unik dhe çdo përpjekje pozitive ia vlen të bëhet. Ia vlen që të besosh në intuitën dhe mprehtësinë tënde pa kërkuar miratim apo vërtetim të jashtëm, thjesht duke bërë më të mirën tënde.
Shumë njerëz janë gjykuar për guximin e tyre, pastaj janë admiruar, e më pas janë dëshiruar për t’u kopjuar.