A je ndier ndonjëherë sikur po kërkon diçka, por nuk po e gjen? Se ka diçka që të mungon, dhe ashtu si një copëz puzzle, nuk arrin ta gjesh vendin tënd në këtë botë kaq të madhe?
Të duket sikur ecën në një rrugë pa fund, mes turmës, mes zhurmës, dhe asgjë nuk ka kuptim.
Njerëzit rreth teje duken të sigurt, të sistemuar, të përshtatur… ndërsa ti ndihesh jashtë kornizës.
Njerëzit e quajnë këtë ndjesi vetmi. Shoqëria të mëson që ky është një problem, që duhet të gjesh “vendin tënd”, të përshtatesh.
Por çka nëse nuk është kështu? Çka nëse të mos përshtatesh është një privilegj?
Alejandra Pizarnik ka thënë diçka të fuqishme:
“Çfarë bukurie fshihet tek ata që nuk mund të gjejnë vendin e tyre mes kaq shumë njerëzve? Kjo nuk quhet vetmi, është një privilegj të mos përshtatesh.”
A e kupton ç’do të thotë kjo?
Të jetosh jashtë kufijve të menduar, të shohësh realitetin përtej pasqyrave që na serviren çdo ditë, kjo është një mundësi që shumë njerëz kurrë nuk do ta përjetojnë.
Ky është privilegji i atyre që nuk janë të ngujuar nga pritshmëritë e botës.
Liria nuk është të bëhesh pjesë e një mase, nuk është të ndjekësh rrjedhën pa pyetur pse. Liria është të mos ndiesh nevojën për t’u përshtatur.
Të mos përshtatesh nuk është dënim, është zgjedhje. Është një mënyrë e heshtur për të refuzuar uniformitetin që bota përpiqet të imponojë.
Është të shohësh përtej asaj që serviret si “e drejtë” apo “normale”.
Nuk je një gabim në këtë sistem, je një përjashtim që e sfidon atë. Të gjithë përpiqen të përshtaten sepse kanë frikë të jenë të lirë.
Të lirë nga mendësia e turmës, nga frika e të qenit “i çuditshëm”, nga pesha e asaj që quhet “normale”.
Ekzistencializmi flet për “udhëtarët e vetmuar” që kërkojnë kuptimin e jetës jashtë çdo norme, por të mos përshtatesh është më shumë se një kundërshtim; është një afirmim i identitetit të brendshëm, një shpallje që TI je më i/e rëndësishme se çdo pritshmëri shoqërore.
Ata që nuk përkasin askund janë ata që mund të shkojnë kudo.
Ata që nuk binden verbërisht, janë ata që shohin më qartë. Ata që nuk ndjekin rrugën e tjerëve, janë ata që krijojnë rrugën e tyre.
E vërteta? Të përshtatesh nuk është virtyt, është rehati.
Ndoshta bota ende nuk të ka njohur. Ndoshta është shumë e zënë duke formësuar njerëzit sipas modeleve të saj.
Por kjo nuk do të thotë se ti nuk ekziston. Përkundrazi. E vërteta është se ndonjëherë ata që nuk përshtaten janë pikërisht ata që shohin më qartë.