Shkëputja nga çdo gjë e padobishme dhe rëndësia për t’u rilidhur me veten tënde

Life style

Shkëputja nga çdo gjë e padobishme dhe rëndësia për t’u rilidhur me veten tënde

Më: 20 shkurt 2025 Në ora: 17:07
Foto ilustrim

Mos ua jep kohën tënde të çmuar njerëzve toksikë, ku detyrë të pashmangshme të jetës së tyre kanë negativitetin ndaj të tjerëve. Madje, janë të gatshëm të punojnë edhe vullnetarë mjafton që ta përmbushin me sukses këtë gjë.

Por nëse ne lejojmë të tjerët të jenë të pranishëm me mendimet, emocionet dhe gjykimet e tyre negative, atëherë në mënyrë të pavetëdijshme ne mund të instalojmë një problem të padukshëm për veten tonë.

Mund të kultivojmë një mekanizëm të shtrembëruar konjitiv, i cili na jep një ndjesi se jemi gabim ose të përshtatur keq, sa herë që kërkojmë të thyejmë këta zinxhirë. Këta janë zinxhirë të heshtur, por që e detyrojnë individin që t’i ndjekë ata, se ndryshe ndihet i përjashtuar nga grupi ose në pozita të paheratshme që pasohen me opinione.

“Mos ndërtoni burg për veten tuaj, hekurat e të cilit janë mendimet e njerëzve!”

Tendenca jonë për të qenë social, për të kuptuar përse sjellja e tjetrit është e ashpër, ironizuese etj, jo gjithmonë funksionon siç duhet dhe jo gjithmonë është në favorin tënd apo të ndihmojë të rregullojë në situatë. Kështu, kur çlirohesh nga të gjithë opinionet dhe krahasimet që kanë tendencën për të të demotivuar ose të të zbehin aftësitë, atëherë je vërtetë i lirë.

Të qenët i lirë të çliron nga mendësia “duhet, sepse”, ose “duhet të tregoj që…” etj, duke të orientuar drejt asaj që unë “dua” realisht të bëj.

Kjo është liri.

Një liri që përfshin shumë aspekte të jetës sonë dhe që fitohet vetëm nga ne dhe askush tjetër nuk do të ta falë. Përkundrazi, njerëzit do ta testojnë atë në mënyra të ndryshme në varësi të karakterit  të tyre.

Nëse qëndrojmë skllavë të opinionit dhe kemi frikë nga gjykimi i të tjerëve, atëherë dëmtojmë veten tonë dhe në fund askush nuk ndihet fajtor, por përkundrazi ti ishe thjesht një kalimtar që u përdore për argëtimin e egove të tyre.

Por, ajo që duket si përpjekje për të qenë konformist, është njëkohësisht edhe egoja jonë, e cila lufton vazhdimisht për të treguar atë që jemi.

Përse duhet bërë kjo? Përse ndodh që luftojmë me energjitë tona në mënyrë të pavetëdijshme?

Sepse ende nuk jemi çliruar tërësisht nga e gjitha ajo që ka ndikuar në personalitetin tonë, qoftë kjo familja, kultura ku jemi rritur, marrëdhëniet shoqërore, etj.

Të gjithë të kërkojnë të jesh sipas mendësisë së tyre, në të kundërt nxitojnë të godasin me opinionin e tyre.

Kush dëmtohet? Zakonisht dëmtohen njerëzit korrektë, të cilët më pas do komentohen si të ndjeshëm dhe madje me keqpërshtatje. Po, po, keqpërshtatje me moskokëçarësit. Pra dëmtohet vetëm ai që lejon një portë të hapur të të dëgjuar.

Mbyllni çdo portë që nuk ju sjell asgjë të dobishme, aq më tepër nëse ju përcjell energji negative, qoftë një marrëdhënie punë, shoqërore apo kujtim i së kaluarës! Mjafton guximi për të dashur një fillim të ri, dhe për të hedhur në “kosh” gjërat të cilat nuk i zgjidhe me dëshirë, por ishin pjesë e rrugës. Mjafton guximi për t’u shkëputur nga çdo gjë e tepërt dhe të rilidhesh me veten!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat