Gjithë mikeshat e tua po sistemohen ngadalë-ngadalë. Disa po krijojnë familje. Je lodhur duke mos patur plus 1-shin tënd me vete në aktivitetet që ndjek. Çfarë duhet të bësh? Kjo është një pyetje për një herë tjetër - por ne mund të të ndihmojmë të vlerësosh gabimet më të mëdha në marrëdhëniet romantike që bëjnë shpesh gratë në të tridhjetat.
1. Takime të vazhdueshme me të njëjtin 'tip'
Ti ke një model. Ndoshta je e kënaqur me modelin tend, por me gjasë ka ardhur momenti ta ndryshosh këtë gjë! Shko kundër instinktit tënd, mund të të dalë për mirë!
2. Pritja derisa të rregullohet çdo aspekt tjetër i jetës
Mos mendo se kur më në fund të rritesh në detyrë, princi i kaltër do të shfaqet me një buqetë me lule përpara teje. Pak gjëra në jetë ndjekin një rend të përcaktuar dhe jeta jote e dashurisë nuk është një prej tyre. "Universi" nuk e di se kur je gati të takosh "të duhurin". Duhet të shkosh ta gjesh vetë dhe kjo (zakonisht) kërkon punë.
3. Të qenurit tepër të drejtpërdrejta
E kuptojmë: ora po troket, por lidhja, njohja me dikë dhe (sidomos) të vendosurit nëse dëshiron që ai person të jetë partneri yt i jetës, janë të gjitha hapa të një procesi delikat që kërkon durim dhe vetëpërmbajtje. Pra, ji e butë: është praktikë e mirë.
4. Kërkimi për përsosmëri
Kërkimi për përsosmëri në një marrëdhënie është një gabim sepse vendos pritshmëri jorealiste, duke çuar në kritika të vazhdueshme, pakënaqësi dhe mungesë intimiteti. Ai mund të dëmtojë aftësinë për të vlerësuar një partner për atë që është, duke përfshirë të metat e tij dhe mund të pengojë zhvillimin e një marrëdhënieje të shëndetshme dhe përmbushëse.
5. Të lënit e keqardhjes për veten të fitojë
Po, një tjetër fejesë në rrjetet e tua sociale të bën të ndihesh e mjerë. Sigurisht, ti ke të drejtën për disa momente keqardhjeje për veten, por vjen një kohë kur duhet t’i lësh ca gjëra pas dhe të ecësh përpara.
6. Të menduarit për paratë
Kjo është një çështje e ndërlikuar. Në të 20-at, idealistja brenda teje besonte se paratë nuk kishin rëndësi. Dashuria është gjithçka që të nevojitet, mendoje ti (dhe John Lennon).
Më pas jeta ndodhi dhe një partner me një pagë të madhe dhe të majme mund të ishte zgjidhja në fund të fundit. Epo, ndoshta kjo është e vërtetë në afat të shkurtër kohor. Por pasi kanë kaluar pushimet luksoze, janë shkëmbyer dhuratat tunduese, ajo që të ka mbetur - përveç një mori gjërash materiale - është një qenie njerëzore e vërtetë, e gjallë, pa vlerë monetare.
Financat e shëndetshme mund t'i bëjnë gjërat të rehatshme, por ato nuk do të të mbështesin përmes konflikteve të personalitetit, problemeve të frikshme shëndetësore, çështjeve familjare dhe pasigurive. Paratë nuk mund të mbajnë një marrëdhënie së bashku.
7. Të menduarit se çdo njeri që takon është 'i duhuri’ apo ‘i vetmi'
E dimë, e dimë, është shumë e vështirë të mos e bësh një gjë të tillë. Lëre marrëdhënien të ndodhë. Fokusohu te partneri, jo te ideja jote e partnerit. Sa më shumë presion t'i bësh, aq më lehtë do të shkërmoqet gjëja me prekjen më të vogël - dhe ti e di se çfarë do të thotë kjo: t’ia fillosh përsëri me kërkimin e një njeriu të ri (psherëtimë në grup).