Nëse të ka shkuar ndonjëherë në mendje mendimi “Pse më urrejnë të gjithë?”, dije që nuk je i/e vetmi/a. Kjo ndjesi është më e zakonshme nga sa mendon dhe ka një arsye të fortë pse truri yt e bën këtë lloj spiraleje negative
Mos harro që mendimet nuk janë fakte. Vetëm pse truri yt po të thotë që të gjithë të urrejnë, nuk do të thotë që është e vërtetë.
Shiko për prova të kundërta, sfido mendimet negative dhe mos lejo që një moment pasigurie të të bëjë të dyshosh tek vetja. Ti vlen më shumë sesa një mesazh i paqartë apo një darkë pa ftesë!
Pse ndihesh kështu?
Faji është pak edhe i zhvillimit të shoqërisë. Dikur, të qenit i përjashtuar nga grupi mund të ishte çështje jete a vdekjeje, ndaj njerëzit u programuan që të ishin shumë të ndjeshëm ndaj refuzimit social. Aq të ndjeshëm, saqë truri e përjeton përjashtimin njësoj si dhimbjen fizike. Kjo do të thotë që edhe një sinjal i vogël – një mesazh i paqartë, një shikim i ftohtë apo një ftesë e humbur – mund të interpretohet menjëherë si urrejtje totale nga të gjithë.
Ja disa këshilla që mund të të ndihmojnë të dalësh nga kjo ndjesi:
1. Kërko prova që njerëzit nuk të urrejnë
Truri yt ka tendencën të shohë vetëm “faktet” që mbështesin idenë se të gjithë të urrejnë, por harrojnë të gjitha momentet kur njerëzit janë sjellë mirë me ty. Bëj një përpjekje të vetëdijshme për të vënë re sinjalet pozitive: dikush që të përshëndet me buzëqeshje, një mik që të shkruan i pari, një koleg që të bën një kompliment. Mund të ndihmojë edhe të mbash një listë me këto momente, për t’u rikthyer te to kur ndihesh keq.
2. Pyet veten: “A mund ta shoh këtë ndryshe?”
Mendimet e tua janë shpesh më dramatike se realiteti. Në vend që të marrësh për të mirëqenë idenë “Ata më urrejnë”, provo të mendosh për skenarë të tjerë më pak ekstremë. Ndoshta shoku yt nuk të është përgjigjur sepse është i zënë, jo sepse nuk të duron dot. Ndoshta kolegu yt ishte i shpërqendruar dhe jo i mërzitur me ty.
3. Ndonjëherë, kjo ndjenjë të tregon diçka të rëndësishme
Në disa raste, ndjesia se je i/e përjashtuar mund të jetë një sinjal që duhet të ndryshosh diçka. Nëse vazhdimisht nuk ndihesh rehat me një grup njerëzish, ndoshta ata nuk janë miqtë e duhur për ty. Ose ndoshta ke nevojë të vendosësh kufij më të shëndetshëm në marrëdhëniet e tua.
4. Vëzhgo situatat kur të ndodh më shpesh
E ke këtë ndjenjë vetëm në mbrëmje, kur je vetëm në shtëpi? Ose kur shikon rrjetet sociale? Apo ndodh gjithmonë kur je me një grup të caktuar njerëzish? Kur fillon të dallosh një model, mund të kuptosh më mirë se çfarë e shkakton këtë ndjesi dhe si ta menaxhosh më mirë.
5. Prano që jo të gjithë do të të pëlqejnë
Nuk të pëlqejnë të gjithë njerëzit, apo jo? Epo, e njëjta gjë vlen edhe për ty. Dhe kjo nuk do të thotë që je person i keq. Njerëzit kanë preferenca, mendime të ndryshme dhe shpesh, arsye që nuk lidhen fare me ty pse mund të mos jenë miqtë e tu më të ngushtë. Dhe kjo është totalisht normale.
6. Përqendrohu te gjërat që të pëlqejnë tek vetja
Në vend që të përpiqesh të kuptosh nëse njerëzit të pëlqejnë, përpiqu të kuptosh çfarë të pëlqen ti tek vetja jote. A je i/e sjellshëm/e? Ke një humor të mirë? Di të gatuash ushqime të shijshme? Çfarëdo qoftë, kujtoja vetes shpesh. Në fund të fundit, vetëvlerësimi yt duhet të vijë më shumë nga brenda sesa nga të tjerët, citon Anabel.
7. Mos u izolo
Kur ndihesh sikur të gjithë të urrejnë, është e lehtë të biesh në kurthin e izolimit të vetes. Por kjo vetëm sa e përkeqëson situatën. Në vend që të tërhiqesh, bëj përpjekje për të qëndruar i/e lidhur me njerëzit – qoftë edhe përmes një mesazhi të thjeshtë. Sa më shumë të mbyllesh në vetvete, aq më e fortë bëhet ndjenja e të qenit i/e pëlqyer nga askush.