Talat Xhaferi betohet si kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut

Maqedonia

Talat Xhaferi betohet si kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut

Më: 28 janar 2024 Në ora: 07:44 Përditësuar në ora: 14:01 më 28.01.2024
Pamje nga senaca

Talat Xhaferi betohet si kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut

Talat Xhaferi është betuar si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Betimi i tij u bë para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut pas dorëheqjes së Qeverisë së kaluar që udhëhiqej nga Dimitar Kovaçevski.

Xhaferi do të qeverisë për 100 ditë pasi bëhet fjalë për një qeveri teknike. Ai i ka dorëzuar në Kuvend emrat e kabinetit me të cilin do të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e 8 majit.

BDI, partia shqiptare në koalicionin qeverisës, ka propozuar emrat e 5 ministrave dhe 3 zëvendësministrave për qeverinë teknike.

Kaevski: LSDM do të votojë për qeverinë teknike

LSDM do të votojë për Qeverinë teknike, nuk do të lejojmë që OBRM-PDUKM të njollosë procesin zgjedhor dhe fitoren e dyfishtë në frontin evropian.

“Duke vendosur interesin e vendit në rend të parë deputetët e LSDM-së si parti progresive dhe proeuropiane, së bashku me deputetët e shumicës, do të mbështesin qeverinë teknike, tha deputeti dhe zëdhënësi i LSDM-së gjatë fjalimit në Kuvend.

Ai tha se nuk do të lejojmë që OBRM-PDUKM-ja të hedhë njollë në procesin zgjedhor dhe me këtë në fitoren e dyfishtë të frontit pro-evropian në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare.

“Së bashku me shumicën e deputetëve, bashkë me qytetarët, nuk do të lejojmë që skenarët destruktivë të OBRM-PDUKM-së të kenë sukses. LSDM në vitet e kaluara ka treguar se është parti demokratike që di të mbrojë zërin e qytetarëve dhe të drejtën e tyre të pacenueshme për të shprehur lirisht vullnetin e tyre. Kështu do të vazhdojmë”, tha Kaevski.

Trajanov: Zgjedhja e Xhaferit për kryeministër shitet si nacionalizëm

Deputeti i Lidhjes Demokratike, parti opozitare, Pavle Trajanov, nga foltorja e akuzoi Ali Ahmetin për nacionalizëm me zgjedhjen dhe euforinë për zgjedhjen e Talat Xhaferit si kryeministër të vendit.

“Qeveria teknike nuk do të ketë mbështetjen time pasi një qeveri e tillë nuk është e rëndësishme më për vendin. Ali Ahmetit dua t’i them se triumfalizmi i tij për zgjedhjen e sotme është nacionalizëm klasik. Përkatësia etnike në vend, të ndonjë kandidati për kryeministër nuk duhet të jetë e ekspozuar pasi jetojmë në një vend multietnik që mëton të shkojë në BE.

Zotëri Ahmeti, ju e dërgoni Maqedoninë pas me triumfalizëm dhe nacionalizëm. Qytetarët duan shtet funksional e jo shtet euforik. Të rinjtë nuk punësohen me triumfalizëm” tha Trajanov.

Trajanov me partinë e tij ka qenë pjesë e shumicës por u largua pasi vlerësoi se shteti nuk shkon drejt rrugës evropiane. 

Milloshoski: Një dezertor do të jetë kryeministër i vendit

Antonio Milloshoski, deputet i OBRM-PDUKM-së, ka kritikuar ashpër votimin e Talat Xhaferit si kryetar i Qeverisë teknike, duke thënë se ai ka dezertuar nga Ushtria e Maqedonisë dhe ai nuk mund të jetë kryeministër i mirë.

“Mos prisni nga Talat Xhaferi të jetë më i mirë për vendin. Nuk mundet një dezertor i ushtrisë të udhëheq vendin si duhet. BDI nuk ka kualitet për të udhëhequr vendin. LSDM, PRSDM dhe partnerët tjerë, sot maqedonasin e kanë bërë qiraxhinj në vendin e tij. Sot, ata që thonë se është ditë historike, duhet ta thonë këtë pasi historikisht, Maqedonia ka më shumë borxhe, korrupsion, pasaporta për kriminelët e botës dhe historikisht kemi më shumë njerëz në listën e zezë të SHBA” tha mes tjerash Milloshoski.

Milloshoski mes tjerash ka përmendur, sipas tij, krimin që e ka organizuar Artan Grubi dhe e ka vërtetuar Talat Xhaferi në Kuvend me flamur të BE-së.

Ai gjithashtu ka përmendur Korridorin 8 dhe 10d, fabrikën e veturave elektrike, ligjin për lojërat e fatit, duke i quajtur si vendime dhe ligje të krimit.

Kujtojmë se edhe OBRM-PDUKM-ja e Milloshoskit do të jetë pjesë e qeverisë teknike, edhe pse kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë qeverinë.

Flet Xhaferi, ky do të jetë prioriteti i Qeverisë së tij

Talat Xhaferi, kandidati për kryeministër i parë shqiptar në Maqedoni, në ekspozenë e tij para deputetëve ka thënë se respektimi i ligjit dhe Kushtetutës, por edhe zbatimi i programit qeveritar do të jetë prioritet për të.

“Qeveria në mënyrë direkte dhe në bashkëpunim me Kuvendin, BE-në dhe SHBA-në do të organizoj zgjedhje të lira dhe demokratike ku do të reflektohet vullneti i qytetarëve. Qeveria do të vazhdoj t’i realizoj të gjitha reformat për integrim të vendit në BE”, tha Xhaferi. “Qeveria do të vazhdoj politikat për arsimim kualitativ, sepse investimi në arsim është investim në shtet. Reformat në administratën publike”, tha Xhaferi. Sundimi i së drejtës, lufta kundër korrupsionit mbeten politika thelbësore të Qeverisë.

“Qeverinë do ta udhëheq me përgjegjësi, duke përmbushur detyrimet dhe pritshmëritë e qytetarëve dhe partnerëve të koalicionit. Edhe pse është qeveri kalimtare që do të organizojë zgjedhjet, për mua një ditë apo 100 janë të njejta, dhe dua të ju sigurojë që përgjegjësia dhe institucionalizmi në udhëheqje do të jetë detyra ime. Unë do të vazhdojë programin e qeverisë së kaluar duke realizuar prioritetet e qytetarëve dhe të qeverisë. Për të ecur drejt rrugës së BE-së ne do të bëjmë hapat e duhura dhe të sigurta që i takon një shteti serioz. Qeveria ime do të jetë krah dhe zë i qytetarëve. Puna e qeverisë sime do të kalojë edhe nëpërmjet sfidave që do të sigurojnë zbatimin dhe respektimin e ligjeve dhe Kushtetuese. Bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare për zgjedhjet dhe zhvillimin e vendit, do të jetë obligim i imi. Bashkëpunimi me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të do të jetë gjithashtu prioritet për mua dhe qeverinë time.

Xhaferi gjithashtu ka folur edhe për administratën publike dhe zhvillimin e gjithë institucioneve tjera që janë detyrë e qeverisë.

Xhaferi: Kësaj detyre do t’i qasem me përgjegjësi ashtu siç kam bërë tërë jetën time

Mandatari për kryeministër teknik, Talat Xhaferi nga foltorja e Kuvendit tha se kjo përbërje e qeverisë me përgjegjësi do të përmbush detyrat.

“Për mua si madantar nuk ka dallim nëse bëhet fjalë për 1 ditë apo 100 ditë, unë kësaj përgjegjësi do ti qasem ashtu siç kam bërë me gjitha sfidat që janë përballur në jetën time”, tha Xhaferi.

Ai tha se kjo qeveri është në bazë të propozimit të marrëveshjes partiake të mëparshme, dhe se ata do të vazhdojnë me zbatimin e politikave të miratuara.

Xhaferi tha se ata do të respektojnë në tërësi kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë dhe do të sigurojnë që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike.

Nis seanca e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për betimin e Talat Xhaferit si kryeministër

Më shumë se një orë vonesë ka nisur seanca për emërimin e Talat Xhaferit si kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Në seancë të pranishëm janë parë deputetët të pozitës, por edhe në numër i madh i atyre të opozitës.

Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar, ai do të ketë mandat për 100 ditë, pasi është një qeveri teknike që do të udhëheq. 

Opozita shqiptare s’shkon në seancë ku zgjedhet kryeministri shqiptar Talat Xhaferi

Opozita shqiptare në Maqedoni të Veriut bëhet e ditur se nuk do të merr pjesë në seancën parlamentare.

Aty për herë të parë në histori të vendit, RMV do të zgjedh kryeministër shqiptar, Talat Xhaferin.

Arsyen e mospjesëmarrjes së opozitës shqiptare, këta e kanë artikuluar se nuk po u lejohet ta kenë një anëtarë të tyre në Komisionin shtetëror për zgjedhjet.

Ndërkaq gjithçka është thuajse gati për votimin e Xhaferit kryeministër në mandatin teknik – të njëqind ditëshit të fundit të ekzekutivit – para shkuarjes në zgjedhje parlamentare dhe presidenciale të Maqedonisë së Veriut.

​Ende nuk fillon seanca për votimin e Qeverisë Teknike në Maqedoni

Seanca për votimin e Qeverisë teknike në Maqedoni të Veriut ishte paraparë të fillojë në orën 11:00, por për arsye që ende nuk dihet seanca nuk ka filluar.

Ndërkohë shihet që në Kuvend ende nuk kane mbërritur deputet e LSDM-së, BDI-Së dhe të VMRO-së, të cilët kanë paralajmëruar të mbanin fjalime.

Ndërkohë, opozita shqiptare nuk do ta votojë Talat Xhaferin si kryeministër teknik, me këtë edhe si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

Siç kanë bërë të ditur liderët e partive të Lidhjes Europiane për Ndryshim – LEN-it, deputetët e tyre nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, ku në rend dite është zgjedhje a Qeverisë teknike.

​Gjithçka që pritet të ndodh në seancën e sotme në Maqedoni

Opozita shqiptare nuk merr pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku do të votohet për Qeverinë teknike në krye Talat Xhaferi me arsyetimin se nuk po iu lejohet ta ketë një anëtar në Komisionin shtetëror të Zgjedhjet.

Ndërkohë, bëhet e ditur se pas konstatimit se është shumica parlamentare prej 61 deputetëve, para të pranishmëve Talat Xhaferi do ta prezantojë programin e tij në gjuhën shqipe.

Kurse pas tij do të flas Antoni Milloshovci, si dhe persona të tjerë. I gjithë debati pritet të mbyllet me fjalimin e Ali Ahmetit.

E gjithë seanca pritet të jetë e qetë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat