KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, ky është numri i deputetëve të partive në Kuvend

Maqedonia

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, ky është numri i deputetëve të partive në Kuvend

Më: 8 maj 2024 Në ora: 07:55 Përditësuar në ora: 08:46 më 08.05.2024
Kuvendi i RMV-së

Dauti: Në Tetovë janë hapur të gjitha vendvotime, në dy janë paraqitur probleme me pajisjen biometrike

Nga Komisioni Komunal Shtetëror njoftojnë se në Tetovë për momentin ka ndërprerje në dy vendvotime, bëhet fjalë për një vendvotim në Tetovë dhe fshatin Bozovcë.

“Kontaktet që i ka pasur Komisioni Komunal i Zgjedhjeve me 177 vendvotime, në 115 vendvotime procesi ka filluar pa asnjë problem. Kemi probleme me pajisjen biometrike në vendvotimin 1977 që gjendet tek objekti i shkollës Liria si dhe me pajisjen biometrike në vendvotimin 2085 që është në fshatin Bozovcë.

Mirëpo personat e angazhuar janë në terren dhe po mundohet rregullimin e të njëjtës”, tha Nazmi kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor në Tetovë.

Ai tha se nëse pajisjet biometrike nuk rregullohen, procesi zgjedhor do të vazhdohet me metodën klasike.

Kurti garon me tre kandidatë për deputetë sot në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në RMV

Zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale mbahen sot në Maqedoninë e Veriut. Lëvizja Vetëvendosje, partia që qeveris në Kosovë, merr pjesë në garën për pushtet në shtetin fqinj me tre kandidatë për deputetë.

Sot në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet presidenciale (rundi i dytë).

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti garon në zgjedhjet parlamentare në shtetin fqinj, në koalicionin e partive opozitare shqiptare me akronimin VLEN. LVV ka tre kandidatë për deputetë ndër të cilët edhe Bekim Qoku, këshilltari i kryeministrit.

Në zgjedhjet presidenciale, kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente të Maedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova prin bindshëm në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale kundrejt Stevo Pendarovskit, presidentit aktual maeqdonas nga LSDM-ja i cili renditet i dyti. Ata përballen sot në një rund të dytë votimi.

Për zgjedhjen e presidentit të ri, në zgjedhje duhet të dalin rreth 750.000 votues, që i bie se nevojiten votuesit e kandidatëve që u eliminuan në rundin e parë.

Mbështetja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk i vleu Arben Taravarit, kandidatit për president të VLEN-it, i cili më 24 prill u desh të përballej me humbjen në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Në garën që realisht e kishte me Bujar Osmanin – kandidatin e koalicionit Fronti Europian të udhëhequr nga BDI-ja – ai u mposht bindshëm. Diferenca mes tyre ishte afro 40 mijë vota.

Zgjedhjet e sotme do t’i hapin rrugë formimit të Qeverisë së re nga partia fituese, e cila do të duhet t’i sigurojë 61 votat e nevojshme. VMRO-DPMNE, partia e udhëhequr nga Hristjan Mickoski është favorite në sondazhe.

BDI-ja e Ali Ahmetit, partia më e madhe e shqiptarëve në RMV, publikisht nuk ka dalë me qëndrim nëse do të mbështesë ndonjërin kandidat për president apo do të bëjë ftesë për bojkot.

Ndërkaq në anën tjetër, në shtabin e koalicionit VLEN të hënën shkoi kreu opozitar maqedonas, Hristjan Mickoski, i cili u takua me Arben Taravarin.

Qeveria e Kosovës ishte angazhuar në fushatën për zgjedhje në Maqedoninë e Veriut për ta ndihmuar Taravarin dhe VLEN-in.

Rreth 2 mijë vëzhgues do të monitorojnë zgjedhjet në RMV

Rreth 2.000 vëzhgues vendas dhe ndërkombëtarë po mbikëqyrin sot procesin zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare dhe raundin e dytë të zgjedhjeve presidencialeve në Maqedoninë e Veriut.

Zgjedhjet e dyfishta po ndiqen edhe nga përkthyes dhe gazetarë të cilët sot përfaqësojnë media dhe organizata ndërkombëtare.

1078 është numri i vëzhguesve vendas ndërsa 921 prej tyre janë të huaj.

Pjesa dërmuese e të huajve janë vëzhgues, 66 gazetarë dhe 85 përkthyes. Misioni i OSBE/ODIHR-it ka akredituar 410 vëzhgues dhe 14 ekspertë të cilët janë shpërndarë në pothuajse të gjitha rajonet.

Ndërkohë Shoqata për zhvillimin e shoqërisë dhe inovacione sociale “Vej kap” po vëzhgon zgjedhjet me 752 përfaqësues.

Kuvendi i OSBE-së ka akredituar 138 vëzhgues, ndërsa komisioni parlamentar i Këshillit të Evropës 33 vëzhgues. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është duke vëzhguar procesin zgjedhor me 68 vëzhgues.

Organizatat vendase kanë publikuar edhe numrat e telefonit të qasshëm për denoncimin e parregullsive zgjedhore, presioneve dhe shantazheve, ndërkohë aktiv është edhe Komisioni i Prokurorisë Publike për ndjekjen eventuale të veprave penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor.

Monitorimi i zgjedhjeve të dyfishta ka ngjallur edhe interesin e 66 gazetarëve nga mediat ndërkombëtare si Reuters, Asociacied Press, Al jazzera dhe France Presse.

Hapen të gjitha vendvotimet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni

Votimi në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare filloi në orën 07:00.

Nga KSHZ-ja bëjnë të ditur se deri më tani nuk janë raportuar probleme me hapjen e vendvotimeve.

Në listën zgjedhore me të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 1.814.317 zgjedhës dhe në listën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare janë regjistruar 1.815.350 zgjedhës.

Një ditë para zgjedhjeve, dje të sëmurët dhe të pafuqishmit, të burgosurit, të moshuarit dhe të regjistruarit nga diaspora votuan të parët, por vetëm për zgjedhjet presidenciale.

Gara për president mes Davkovës dhe Pendarovskit

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë filluar të votojnë mëngjesin e së mërkurës për t’i zgjedhur presidentin dhe Parlamentin e ri të vendit në zgjedhje të dyfishta.

Rreth 1.8 milion shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë të drejtë vote në këto dy palë zgjedhje: rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, si dhe në zgjedhjet parlamentare.

Këto janë zgjedhjet e para të dyfishta që mbahen në ketë vend prej vendosjes së demokracisë në vitet ‘90.

Në garën për Parlamentin e ri marrin pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore zhvillohet mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.

Në radhët e Frontit Evropian garojnë edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome dhe boshnjake.

Zgjedhjet zhvillohen me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë.

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse.

Partitë shqiptare betejën kryesore do ta zhvillojnë në njësitë zgjedhore një, dy dhe gjashtë, ku edhe jeton popullata shqiptare.

Bazuar në sondazhet, dhe në veçanti në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt më 24 prill, VMRO DPMNE-ja është favorite për një fitore të thellë në këto zgjedhje.

Gara për president mes Davkovës dhe Pendarovskit

Të mërkurën, në garë për president janë dy kandidatë, fituesja e rundit të parë, Gordana Silanovska-Davkova e VMRO-DPMNE-së në opozitë, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, që mbështetet nga Lidhja Social Demokrate në pushtet.

Në rundin e parë, Davkova i fitoi 363.000 vota, apo 40 për qind - ndërsa kundërshtari i saj Pendarovski rreth 180.000 vota, apo 19 për qind.

Që zgjedhjet presidenciale të jenë të suksesshme, përveç se njëri nga dy kandidatët duhet t’i fitojë shumicën e votave të qytetarëve, kërkohet edhe që dalja në zgjedhje të jetë së paku 40 për qind e qytetarëve të regjistruar në Listën Zgjedhore, ose rreth 725.000 votues.

Nëse plotësohet pragu prej 40 për qind për zgjedhjen e presidentit, Parlamenti duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës deri të dielën, më 12 maj.

Në këtë rast, seanca ceremoniale për inaugurimin e presidentit të ri do të mbahej nga deputetët në largim.

Mirëpo, sipas kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), këto afate deri më 12 maj mund të respektohen vetëm pasi KSHZ-ja t’i ketë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale, përkatësisht nëse nuk ka ankesa për procesin zgjedhor.

“Kandidati për president që fiton zgjedhjet, duhet të bëjë një deklaratë solemne para Kuvendit dhe, sipas Kushtetutës, mund të bëhet edhe para përbërjes së vjetër parlamentare. Përbërja e vjetër parlamentare e ka një të drejtë të tillë, duke qenë se kemi edhe zgjedhje parlamentare. Pastaj, presidenti i ri do ta caktojë mandatin për të formuar një Qeveri të re," thotë Novakovski.

Çfarë do të ndodhë nëse nuk arrihet pragu zgjedhor?

Në rast se dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale është më e ulët se pragu prej 40 për qind - gjë që nuk ka ndodhur deri më tani - Kushtetuta parashikon që kompetencat dhe funksionet e presidentit t’i marrë kryetari i Parlamentit.

Pa pragun zgjedhor, opsion është që të caktohet mandatari për formimin e Qeverisë së re nga kryeparlamentari në largim, Jovan Mitrevski, dhe opsioni i dytë është që së pari të konstituohet Parlamenti i ri dhe kryetari i ri i Parlamentit t’i japë mandatin liderit të partisë që ka fituar shumicën prej 61 deputetëve për formimin e Qeverisë së re.

Novakovski thotë se pa pragun zgjedhor prej 40 për qind, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i konsideron zgjedhjet presidenciale si të pasuksesshme dhe në afat prej 40 ditësh, Parlamenti duhet të shpallë zgjedhje të reja presidenciale.

Rezultatet përfundimtare të KSHZ-së zakonisht vijnë më shpejt nëse nuk ka ankesa nga kandidatët dhe partitë politike. Nëse ka kundërshtime, rezultatet përfundimtare publikohen pasi të jenë shterur të gjithë mekanizmat ligjorë për këtë rast.

Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të konstituohet brenda 21 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Zgjedhjet e të 8 majit janë të 11-at që nga shpallja e pavarësisë së vendit dhe zgjedhjet e shtata presidenciale në përgjithësi. Procesi zgjedhor zhvillohet në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre monitorohen nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj.

Rregullat për votim në Maqedoninë e Veriut

Sot mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, në të cilën qytetarët duhet të zgjedhin presidentin e vendit dhe përbërjen e re parlamentare.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka përgatitur edhe një udhëzim për të qenë sa më korrekt procesi i votimit. Në mesin e rregullave qartësohet edhe forma e votimit por edhe sjellja e personelit zgjedhor e votuesve në vendvotim.

Në vijim janë rregullat e parashtruara nga KSHZ.

1. Votimi bëhet personalisht në vendvotimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në PDK/KP.

2. Këshilli Zgjedhor i pyet në mënyrë të detyrueshme votuesit për çfarë lloj zgjedhjeje duan të votojnë ose nëse duan të votojnë për të dyja zgjedhjet, u shpjegon mënyrën e votimit dhe u mundëson votën.

3. Votuesi mund të paraqitet në qendrën e votimit vetëm një herë për të ushtruar të drejtën e tij të votimit.

4. Votuesi dorëzon dokumentin për identifikim personal – letërnjoftim ose dokument udhëtimi të vlefshëm, përkatësisht për Zgjedhjet Presidenciale 2024, letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria në periudhën nga 24 korrik 2023 deri më 24 prill 2024, dhe për zgjedhjet parlamentare letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria në periudhën nga 8 gusht 2023 deri më 8 maj 2024.

5. Votuesi vendos gjurmën e gishtit tregues të dorës së djathtë në pajisjen biometrike të identifikimit dhe nëse votuesi nuk ka gishtin tregues të djathtë, merret shenja e gishtit tregues të dorës së majtë, ose në rast se votuesit i mungojnë këta dy gishta, merret gjurmë e gishtit të rradhës të dorës së djathtë.

6. Nëse votuesi nuk ka dy duar, votuesi futet në pajisjen teknike duke kërkuar numrin e tij unik të identifikimit (NUI).

7. Nëse PIBV nuk mund të gjejë përputhjen e gjurmës së gishtit me gjurmën e gishtit të votuesit në listën elektronike të votuesve, votuesi futet në PIBV duke lexuar dokumentin personal në skanerin MRZ ose duke futur numrin unik të identifikimit (NUI) dhe atëherë votuesi lë gjurmën e gishtit në PIBV.

8. Pas konfirmimit të identitetit, votuesi vendos nënshkrimin e tij në ekstraktin përkatës nga Lista zgjedhore për llojin e zgjedhjes për të cilën ka vendosur të votojë.

9. Fleta e votimit shkëputet nga kalliri sipas rendit numerik, duhet të vuloset në pjesën e përparme në vendin e caktuar për vulë dhe më pas t’i jepet votuesit.

10. Votuesi merr fletën e votimit për zgjedhjet për të cilat ka vendosur të votojë dhe ka nënshkruar ekstraktin përkatës nga Lista zgjedhore.

11. Votuesi voton i vetëm, fshehurazi pas një ekrani votimi.

12. Votuesi voton duke rrethuar numrin rendor përpara titullit/emrit në listë me stilolaps me ngjyrë të kaltërt.

13. Votuesi vendos fletën e votimit të palosur në kutinë e votimit.

14. Votuesi merr dokumentin personal të identifikimit.

15. Votuesi që ka aftësi të kufizuara fizike ose është analfabet dhe për rrjedhojë nuk mund të votojë në mënyrën e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, ka të drejtë të sjellë me vete një person që do ta ndihmojë gjatë votimit. Nëse ai/ajo nuk sjell me vete një person që do ta ndihmojë gjatë votimit, atëherë Këshilli zgjedhor do të caktojë një person tjetër nga radhët e votuesve. Personi nuk duhet të ndikojë në vendimin e votuesit.

16. Ndalohet votimi familjar dhe në grup, si dhe votimi për një person tjetër.

17. Ndalohet fotografimi i fletës së votimit me celular ose aparat fotografik.

18. Në qendrën e votimit ndalohet mbajtja e armëve.

Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 1.814.317 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është 1.815.350 votues.

​Zgjedhjet në Maqedoni, mund të votohet edhe me letërnjoftime të skaduara

Në zgjedhjet e dyfishta, presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni të Veriut, sipas dispozitës të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, e cila do të zbatohet vetëm për këto zgjedhje, votuesit do të mund të votojnë me letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria brenda afatit kohor, afati prej nëntë muajsh deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Në zgjedhjet presidenciale do të mund të votojnë ata persona të cilëve u ka skaduar dokumenti personal më 24 korrik 2023 e deri më 24 prill, ndërsa në zgjedhjet parlamentare do të mund të votojnë qytetarët të cilëve dokumentet personale u kanë skaduar për çfarëdo arsye, në bazë të ligjit ose me datën e skadencës për të votuar nga data 8 gusht 2023 deri në ditën e zgjedhjeve, 8 maj.

Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 1.814.317 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është 1.815.350 votues.

Diferenca në numrin e votuesve është 1033 dhe kjo është për shkak të votuesve që kanë mbushur 18 vjet. Vendvotimet u hapën në ora 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00. Në këto zgjedhje do të jenë mbi 2000 vëzhgues vendas dhe të huaj dhe rreth 80 gazetarë të huaj.

Gjatë ditës së djeshme votuan të sëmurët dhe të pafuqishmit, kërkesat e të cilëve janë pranuar nga komisionet zgjedhore komunale. Votoi edhe diaspora, por vetëm për zgjedhjet presidenciale, pasi për parlamentaret nuk u mbush numri i nevojshëm i kërkesave për organizim të zgjedhjeve.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të votohet për dy kandidatë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare për 17 lista të deputetëve.

Sot mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut

Sot në Maqedoninë e Veriut mbahen zgjedhje të dyfishta. Për zgjedhjet presidenciale janë regjistruar 1.814.317 votues, ndërsa për zgjedhjet parlamentare ky numër është 1.815.350 votues.

Diferenca në numrin e votuesve është 1033 dhe kjo është për shkak të votuesve që kanë mbushur 18 vjet. Vendvotimet u hapën në ora 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00. Në këto zgjedhje do të jenë mbi 2000 vëzhgues vendas dhe të huaj dhe rreth 80 gazetarë të huaj.

Gjatë ditës së djeshme votuan të sëmurët dhe të pafuqishmit, kërkesat e të cilëve janë pranuar nga komisionet zgjedhore komunale. Votoi edhe diaspora, por vetëm për zgjedhjet presidenciale, pasi për parlamentaret nuk u mbush numri i nevojshëm i kërkesave për organizim të zgjedhjeve.

Në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale do të votohet për dy kandidatë, ndërsa në zgjedhjet parlamentare për 17 lista të deputetëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat