Kryeministri Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me aksionin e MPB-së në rastin me importin e mazutit kancerogjen, në të cilin u arrestuan disa persona, tha se do të përgjigjen të gjithë ata që janë pasuruar në kurriz të qytetarëve.
Ai nuk komentoi vendimin e gjykatës për masat ndaj të akuzuarve në këtë rast.
“Nuk do të komentoja vendimet e gjykatës. E kam thënë shumë herë në të kaluarën. Por mund të them se këta njerëz bënë qindra milionë euro biznes mbi kurrizin e qytetarëve, praktikisht u pasuruan në kurrizin e qytetarëve të Maqedonisë duke përdorur mjete të tilla të palejueshme dhe duke djegur substanca të tilla të palejueshme, duke rrezikuar kështu jetën dhe duke e shkatërruar të drejtën e vetme për jetë që është e garantuar me Kushtetutë për të gjithë qytetarët”, tha Mickoski.
“Më lejoni të falënderoj edhe Ministrinë e Brendshme, Byronë e Sigurisë Publike dhe anëtarët e tjerë të Ministrisë së Brendshme që u përfshinë në aksione. Sepse shteti i së drejtës, shteti i së drejtës duhet të mbizotërojë njëherë e përgjithmonë dhe duhet të jetë shtet i barabartë për të gjithë qytetarët dhe jo vetëm nënë për disa dhe njerkë për të tjerët. Ndaj inkurajoj këto veprime që kanë për qëllim luftimin e krimit të organizuar, siç është ky rast për të cilin po flisni”, tha Mickoski.
E në lidhje me faktin se bëhet fjalë për blerje të mazutit të dyshimtë, me origjinë dhe cilësi të dyshimtë, Mickoski kërkoi që të pritet përfundimi i hetimeve.
“Le të presim përfundimin e hetimeve dhe vetëm pas përfundimit të hetimeve mund të komentojmë të gjitha dyshimet e arsyeshme për të cilat do të akuzohen këta persona. Deri atëherë ne do t’i përmbahemi asaj që Ministria e Brendshme dhe Byroja e Sigurisë Publike i kanë bërë të ditur publikut”, tha Mickoski.