Gjykata Kushtetuese ka njoftuar se ka nisur procedurë për vlerësimin e Metodologjisë së Regjistrimit të vitit 2021, e cila vjen si rrjedhojë e iniciativës së dorëzuar nga kryetari i Lëvizja Populli, deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, Skender Rexhepi – Zejdi.
Gjykata me shumicë të votave ka vendosur që të realizojë procedurë për dispozitat kontestuese të Metodologjisë për përgatitje, organizim dhe realizim të regjistrimit të popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021.
“Shumica e gjykatësve dispozitat kontestuese i vënë në dyshim për ligjshmërinë e tyre, dhe nëpërmjet kësaj edhe për kushtetutshmërinë e tyre, sepse në bazë janë paraqitur dyshime se nëse drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave ka pasur bazë ligjore që t’i miratojë dispozitat kontestuese, gjegjësisht, a i ka tejkaluar autorizimet e tij dhe pa bazë ligjore, në akt nënligjor, ka urdhëruar “materia legis” – material ligjor. Nëse në fazën e dytë vërtetohet dyshimi, kjo do të thotë edhe cenim i sigurisë juridike si parim fundamental i sundimit të ligjit dhe cenim të ndarjes së pushtetit, sepse është vënë në rolin e ligjvënësit”, qëndron mes tjerash në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.
Deputeti Rexhepi, më 29 tetor 2024 ka dorëzuar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për Metodologjinë e Regjistrimit dhe ndarjes në rezident dhe jorezident.