Pas organizimit të protestës për Klodian Rashën, Stresi u shpall në kërkim nga policia. Por ndërkohë që kërkohej në banesën e tij në Tiranë, reperi udhëtoi në Kosovë. Në një rrëfim, Stresi ka zbuluar se si arriti të arratisej drejt Kosovës.
“Mora një shok të timin që punon me makinat e varrimeve, vetëm për të dalë nga protesta.
Kemi shkuar deri në Laç me të. Aty pastaj drejt Kosovës”, ka treguar reperi duke falenderuar gjithë miqtë që e ndihmuan të shkonte drejt Kosovës.
Ai shprehet sërish se kjo protestë është organizuar 100% prej tij në çdo detaj. Reperi ka thënë se në protestë nuk ishin personalisht për ministrin Lleshaj që dha dorëheqjen, por për institucionet dhe kabinetin e Rilindjes.
Stresi ka folur edhe për sherrin që reperi Big Kik pati me disa përkrahës të Noizy-t në protestë. Reperi tha se ai nuk e di për çfarë ka lindur sherri mes tyre, por thjesht ndërhyri në mes për t’i ndarë, sepse ishin në protestë për një kauzë tjetër. Ai u shpreh se në protestë nuk ka lejuar asnjë parti politike, madje as përkrahës të Partisë Demokratike, për të cilën ka shprehur dhe vetë mbështetjen publikisht.