Hollywood ka një yll të ri që shkëlqen në “Walk of Fame”: atë të Luciano Pavarottit, tenorit të madh italian që u nda nga jeta në vitin 2007 në moshën 71-vjeçare.
Ylli u zbulua në Bulevardin 7065, në Hollywood, në një ceremoni të veçantë në të cilën mori pjesë edhe Cristina Pavarotti, e bija e tenorit të famshëm, së bashku me tenorin shqiptar Saimir Pirgu.
Cristina Pavarotti ka marrë çmimin prestigjioz edhe në emër të trashëgimtarëve të tjerë të tenorit; Lorenza, Giuliana dhe Alice Pavarotti dhe Nicoletta Mantovani. Sipas traditës, ylli jepet nga Dhoma e Tregtisë e Hollywood.
Në intervistën për SBS Italian, Cristina Pavarotti ndau disa momente personale të të atit në familje dhe kujton dashurinë e saj të thellë për Australinë, vendi ku tenori i famshëm kaloi periudha të gjata me Dame Joan Sutherland dhe Richard Bonynge, duke kënduar në qytetet kryesore australiane.
Së bashku me vajzën e tenorit të famshëm për të zbuluar yllin e Pavarotti-t në Hollywood ishte edhe tenori shqiptar Saimir Pirgu. Lidhja dhe ndikimi i Pavarotti-t te tenori shqiptar kanë qenë mjaft të mëdha, ndaj edhe ky moment për Saimirin mbetet i pazëvendësueshëm dhe i pakrahasueshëm me të tjerë. Siç thotë ai, ndihet shumë i nderuar që është pjesë e këtij eventi, sepse sot është edhe falë Luciano Pavarotti-t.
Në një status që sapo ka postuar në Instagramin e tij, Saimir Pirgu shkruan se ndihet i nderuar që ka pjesë e një momenti të tillë kaq emocionues.
Fryma e tij
Teksa ecja drejt vendit tempull, ku do inaugurohej ylli i Luciano Pavarotti-t.. (më radianti mes asaj yllësie…), përkrah vajzës së tij, Christina Pavarotti, ndieva ato çaste të më pushtojë një forcë e çuditshme, prej së larti, si erë hyjnore… M’u bë sikur eca mbi një shtrojë qiellore përkrah Luciano Pavarotti-t, si përkrah vetë Zotit, nën zërin e tij mahnitës që e mbuloi kryefund Los Angeles-in dhe u shtri përtej në univers… Të përulem me adhurim përjetë, Mjeshtër! Këtë ditë gushti bota dëgjoi zërin e Zotit!