A ndikon moti në shëndetin mendor të të rinjve?

Shëndetësia

A ndikon moti në shëndetin mendor të të rinjve?

Më: 28 janar 2025 Në ora: 18:09
Ilustrim

Një studim i ri i kryer në Holandë dhe Spanjë ka zbuluar lidhje mes motit ekstrem dhe mirëqenies mendore të të rinjve.

Hulumtimi, i udhëhequr nga Instituti i Barcelonës për Shëndetin Global (ISGlobal), tregoi se temperaturat e ftohta në Holandë ishin të lidhura me probleme si ankthi, depresioni dhe tërheqja sociale tek adoleshentët.

Në Spanjë, ndërkohë, temperaturat e larta shoqëroheshin me probleme të vëmendjes.

Studimi, i botuar në revistën JAMA Network Open, përfshiu rreth 3,900 adoleshentë në Holandë dhe 900 në Spanjë midis viteve 2015 dhe 2022.

Ai analizoi ndikimin e motit në periudhën tre ditë deri dy muaj përpara raportimit të simptomave psikiatrike.

Sipas Esmée Essers, autorja kryesore e studimit, ndryshimet klimatike dhe temperaturat ekstreme mund të përkeqësojnë shëndetin mendor të të rinjve, pasi moti ekstrem mund të prishë aftësinë e trupit për të ruajtur një temperaturë të qëndrueshme, duke shkaktuar stres dhe reaksione inflamatore.

Ndërsa analiza nuk gjeti lidhje mes temperaturave të nxehta dhe agresionit, që për disa ishte befasuese, studiuesit sugjerojnë se adoleshentët mund të reagojnë ndryshe nga të rriturit.

Studimi gjithashtu tregoi kufizime, pasi të dhënat për shëndetin mendor u mblodhën nga prindërit e adoleshentëve dhe mund të mos jenë aq të sakta sa një diagnozë mjekësore. Megjithatë, ekspertët e cilësojnë atë si një kontribut të rëndësishëm për të kuptuar ndikimin e klimës në shëndetin mendor.

Sipas një rishikimi të mëparshëm në revistën The Lancet Planetary Health, temperaturat e larta dhe ndryshimet klimatike mund të lidhen me rritje të vetëvrasjeve dhe hospitalizimeve për çrregullime mendore, duke theksuar nevojën për më shumë kërkime në këtë fushë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat