U nda nga jeta rapsodi dhe artisti i popullit, Zekë Lushaj

Muzikë

U nda nga jeta rapsodi dhe artisti i popullit, Zekë Lushaj

Më: 31 janar 2025 Në ora: 17:56
Zekë Lushaj

Ka vdekur rapsodi, Zekë Lushaj, një figurë e ndritur e arsimit, letërsisë, folklorit dhe kulturës shqiptare. Ai u nda nga jeta në moshën 85 vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe shpirtërore.

Për nder të veprës epokale të rapsodit dhe artistit, Zekë Lushaj, të shtunën në Komunën e Deçanit mbahet mbledhje përkujtimore me fillim nga ora 12:00. Më pas, funerali i të ndjerit do të niset në ora 15:00 nga shtëpia e familjes Lushajpër në varrezat e fshatitShaptej.

Me ndarjen e tij nga jeta, kultura shqiptare humbi një poet dhe artist të madh, por vepra dhe kujtimi i tij do të mbeten të pavdekshëm.

Zekë Lushaj u lindur më 28 mars 1939 në fshatin Shaptej të  Deçanit. Zekë (Hysen) Lushaj rridhte nga një familje me tradita të forta atdhetare. Edukimin e nisi në Gramaçel e Irzniq, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Gjakovë dhe Prishtinë. Për shkak të bindjeve të tij, ai u përndoq nga regjimi i atëhershëm dhe u detyrua të ndërpriste studimet universitare.

Jeta dhe karriera e tij ishin të pasura dhe të larmishme. Pavarësisht sfidave, Zekë Lushaj ishte një personalitet i palodhur në fushën e letërsisë, muzikës dhe artit skenik. Ai ishte pjesë e revistave letrare, luajti në filmin “Si të vdiset” dhe për shumë vite ishte një zë aktiv në botën kulturore shqiptare.

Përkundër peripecive të kohës dhe ndjekjeve politike, Zekë Lushaj ishte në shërbim të edukimit dhe arsimimit të gjeneratave të reja edhe si mësimdhënës i gjuhës shqipe dhe letërsisë për më shumë se katër dekada. Jo vetëm veteran i arsimit, por mësuesi Zekë ishte edhe veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kontribuar aktivisht për lirinë dhe pavarësinë e popullit shqiptar nga aparatura shoviniste serbe.

Si poet dhe këngëtar, Zeka ndërtoi një pasuri të jashtëzakonshme artistike.Ai botoi poezi lirike, satira dhe vepra të mbushura me shpirtin e popullit shqiptar. Veprat e tij, edhe sot prekin zemrat e shumë njerëzve.

Përkushtimi i tij ndaj folklorit shqiptar ishte i jashtëzakonshëm. Para luftës, kishte përgatitur për botim mbi 200,000 vargje, por fatkeqësisht, gjatë luftës në Kosovë, arkivi i tij letrar u dogj së bashku me bibliotekën personale prej mbi 1,700 librash.

Në vitin 2010 u botua libri “Jehon kënga e çiftelia” e autorit Zekë Lushaj, një përmbledhje e vetëm një fraksioni të shumë vargjeve poetike dhe folklorike. Mes veprave më të njohura autor i të cilave është Zeka, spikasin këngët si “Hikmetja”, “Hata e Bajramit”, “AjsheAzemi”, “Po shkon Ajshjatujvajtue”, “Lushi i vogël”, “Oj raki, oj llafazane”, “Kënga e dembelit”, “O duhan o nikotin”, “Vjehrra nuses po i kuvend”, “Vllazen e motra”, “Fukaraja dhe zengjini”, “Ushton kënga e çiftelia”. Shumë nga krijimet e tij, Zeka i ka jetësuar edhe në telat e çiftelisë, duke ndërtuar një trashëgimi të pasur në kulturën shqiptare. Përveç si këngë, disa nga krijimet e Zekës janë vënë edhe në artin skenik, siç është rasti me filmin “Hikmetja”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat