Protesta të fuqishme kundër Vuçiqit në Tiranë?!

Opinione

Protesta të fuqishme kundër Vuçiqit në Tiranë?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi, Bota sot Më 16 dhjetor 2021 Në ora: 16:54
Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama

Me datën 20-21 dhjetor do të vije në Tiranë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Është bërë zakon që fundin e vitit ai ta mbyllë gjithnjë në shoqërinë e Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë, kryesisht në Tiranë, por edhe në Beograd. Aq sa dhjetori mund të shpallet si fundi dhe fillimi i një marrëdhënieje të re midis kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë.

Ftesa e zotit Rama për Vuçiq dhe Zaev është bërë në kuadër të nismës serbe "Ballkani i Hapur"! Por vizita e presidentit të Serbisë te ne shkon përtej kësaj. Ajo është një sfidë për aktorët dhe faktorët shqiptarë e ballkanikë, të cilët e kundërshtojnë nismën e Open Balkan, të nisur në Novi Sad të Vojvodinës si Minishengen. Është një karshillëk ndaj interesave të shqiptarëve në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti!

Kundërshtarët e Open Balkan e shohin çdo takim të trojkës sorosiane "Vuçiq-Rama Zaev" si rrezik për rikthimin e Serbisë së Madhe e për pasojë edhe si kërcënim për paqen, stabilitetin dhe sigurinë rajonale. Kjo për shkak se përmes Ballkanit të Hapur synohet që Serbia të marrë rolin e lidershipit në vendimet për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën, sigurisht duke keqpërdorur praninë e elementit etnik serb në këto shtete. Sa kohë që Beogradi i përdor minoritetet në shtetet fqinjë të saj si marioneta të së ashtuquajturës "Bota serbe"! Sa kohë që lidershipi i Serbisë udhëhiqet nga tezat sipas së cilës "Ku ka varre serbe aty është edhe territori serb"! Sa kohë që presidenti i Serbisë punon mbi harta në tavolinën e tij dhe të aleatëve të tij në Moskë! Sa kohë që Beogradi nuk heq dorë nga krijimi i Jugosllavisë së Re, në të cilën Vuçiq e sheh veten si Tito i Ri! Sa kohë që ai manipulon dhe minon politikat e integrimit të serbëve në BH, Kosovë dhe Mal të Zi! Sa kohë që Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës e përkundrazi vepron për destabilizimin e tij! Aq kohë Minishengeni i shndërruar në Open Balkan do të jetë një rrezik i shtuar në rajonin tonë.

Por këto fakte i mohon kryeministri i Shqipërisë. Për Edi Ramën "Aleksandër Vuçiq është njeriu i paqes, që i duhet rajonit"! Edhe pse presidenti serb refuzon kategorikisht pavarësinë e Kosovës si dhe mohon krimet serbe kundër njerëzimit në Kosovë, për Edi Ramën, ai mbetet mik dhe "garanci" për paqen në rajon! Absurdi shkon deri te marrëdhënia e besueshmërisë së skajshme me Vuçiq dhe e skepticizmit e madje "frikës" nga politikat e Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit. Për Edi Ramën të padëshirueshmit dhe kërcënues të stabilitetit janë presidentja dhe kryeministri i Kosovës, sepse ata nuk i binden vullnetit të Serbisë për të krijuar Jugosllavinë e Re. Ndërsa presidenti i Serbisë për të është "arsyeja" e paqes dhe stabilitetit në rajon?!

Ndërkaq vizita e djeshme e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Steve Panderovski, në Kosovë dëshmoi se jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendin fqinj lindor tonin, qëndrimet politike ndaj Ballkanit të Hapur janë kontestuese. Deklarata e Panderovskit në konferencën për shtyp me zonjën Osmani se "Ballkani i Hapur pa pjesëmarrjen e të gjitha shteteve do të dështojë", shkon në drejtimin e kundërshtive rreth tij. Kjo do të thotë se kundërshtarët e Open Balkan në Shkup kanë peshë dhe drejtojnë institucione të rëndësishme, përfshirë dhe presidencën e vendit. Po ashtu në Mal të Zi presidenti Milo Gjukanoviq është kategorikisht kundër kësaj iniciative. Dhe interesant është se përveç presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, të gjithë presidentët e rajonit janë kundër Ballkanit të Hapur. Kundër tij është edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

Në këto kushte çfarë vlere ka ardhja e presidentit të Serbisë në Tiranë në datat 20-21 dhjetor?! Thjesht është një provokim i vokacionit dhe interesave jetike të shqiptarëve. Është një adresim serb në injorimin e interesave të kombit shqiptar. Dhe kjo bëhet me ndihmën e Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë. Dhe në fakt Open Balkan është një iniciativë personale e tij, megjithëse duket se ka fituar për këtë përkrahjen e Lulzim Bashës, i cili në fillim ishte shprehur kundër Minishengenit, por jo edhe kundër Open Balkan.

Ndërkaq jo vetëm Rama, por edhe Vuçiq, gjatë fushatës zgjedhore të 25 prillit 2021 në Shqipëri u shpreh politikisht kundër pjesës konservatore të opozitës shqiptare, pra kundër asaj pjese, e cila refuzoi ndryshimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës dhe refuzon edhe sot Open Balkan. Presidenti i Serbisë deklaroi aso kohe se "Nëse vjen në pushtet opozita në Shqipëri, atëherë de facto qeverinë shqiptare do të drejtonte Sali Berisha" dhe se sipas tij kjo do të ishte një katastrofë.

E vërteta është se një opozitë e fuqishme anti-Open Balkan, është dhe do të ishte një goditje e rëndë për politikat serbo-madhe në Ballkan, është e do të ishte asgjësim i përpjekjeve të Beogradit për ta shtrirë sundimin e tij me ndihmën e Ramës e të Zaev në të gjithë rajonin. Për këto arsye është e domosdoshme që datat 20 dhe 21 dhjetor të jenë ditët e protestave të mëdha në Tiranë. Këto protesta duhet përfundimisht t'i bëjnë me dije Beogradit se në Shqipëri janë zotër shqiptarët dhe se nuk mundet që Serbia të penetrojë me politikat e saj diversive.

Shqipëria ka nevojë të protestojë fuqishëm në këto dy ditë, aq fuqishëm sa Aleksandër Vuçiq të lemeriset dhe të mos guxojë herë tjetër të vijë në Tiranë si spekulator dhe intrigant në dëm të interesave të shqiptarëve, të Shqipërisë dhe të Kosovës! Por ka nevojë që ne shqiptarët t'i japim një mësim të mirë edhe bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit serb, kryeministrit Rama!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat