Harris apo Trump, cili është më i mirë për shqiptarët?!

Opinione

Harris apo Trump, cili është më i mirë për shqiptarët?!

Nga: Faton Mehmeti Më: 16 shtator 2024 Në ora: 18:26
Autori Faton Mehmeti

Kamala Harris dhe Donald Trump po zhvillojnë betejën e tyre politike për të përcaktuar se cili nga ata do të jetë president i SHBA pas zgjedhjeve të nëntorit të këtij viti. Nëse zgjidhet Kamala Harris, ajo do të jetë presidentja e parë grua e shtetit më të fuqishëm në botë. Në anën tjetër, fitorja eventuale e Trump do ta rikthente atë në Shtëpinë e Bardhë.

Varësisht nga interesat e tyre, shtete të ndryshme kanë preferencat e tyre, megjithatë mbizotëron shpresa dhe dëshira e shumicës që preferojnë zonjën Harris në vend të z. Trump. Duhet të kujtojmë se gjatë mandatit të tij si president i SHBA nga 2016 deri në 2020, z. Trump nuk bëri shumë për shqiptarët. Për më tepër, ai emëroi të dërguarin e tij për Ballkanin, z. Grenell, i afërt me lobin serb. Flirtimi i tij me Putinin gjithashtu rriti mosbesimin e shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ndaj tij.

Dua të vë theksin në gatishmërinë që kishte shfaqur Trump për të mbështetur idenë e korrigjimit të kufijve, një projekt serbo-rus që synonte forcimin e Serbisë dhe Rusisë në Ballkan. Në anën tjetër, zonja Harris dhe z. Biden kanë shfaqur gjithnjë me forcë mbështetje për Kosovën, duke ritheksuar se sovraniteti i saj mbetet i pacenueshëm. Interesi i shqiptarëve është të kenë dikë në Shtëpinë e Bardhë që mbron interesat e tyre, me garancionet e mëdha se pavarësia e Kosovës nuk vihet kurrë në diskutim.

Nëse ndodh që Trump të zgjidhet përsëri president, ekziston rreziku i madh që të rikthehet si opsion ndarja, duke balancuar kështu interesat me Rusinë për ndaljen e luftës në Ukrainë me Kosovën "kurban".

Harris është më e favorshme për shqiptarët; Trump është një rrezik jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin dhe botën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat