Këto vitet e fundit, ndërsa Rama-qeveria është e përmbytur nga “hallet e panumërta” të veta për t’u multimilionizuar në lekë, euro, dollarë, sterlina, franga zvicerane, prona të paluajtshme në tokë, pallate, kulla, resorse turistike, komplekse tregtare e hotelerie... si dhe për t’i fshehur këto sa më mjeshtërisht, sidomos nga sytë e SPAK-ut e të GJKKO-së, si dhe të Uashingtonit dhe të Brukselit, shumica e qytetarëve janë lënë në mëshirë të prodhuesve e të tregtarëve të tre niveleve, të fatit, të shëndeteve e të imuniteteve të tyre fizikë...!? Më konkretisht, si qytetar, do ta konkretizoj këtë braktisje qevieritare të shumicës së popullit duke iu referuar disa fakteve që i përjetojmë përditë nëpër tregje të mëdhenj e të vegjël; nëpër furra buke e byrektore; nëpër qebebtore, sufllaqetore e hamburgertore, nëpër bar-restorante; nëpër laboratorë mjekësore, farmaci, spitale, klinika private dentare e për sëmundje të tjera ...! Por, edhe nëpër zyra qeverie e shteti; gjykatash dhe prokurorish, bankash, kadastrash, hipotekash...Është shqetësues deri në alarmim fakti se në jo pak prej tyre gjenden punonjës me dëftesa, certifikata, diploma, tituj e grada shkencore të blera shtrenjtë apo lirë nëpër universitete të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut...apo me “specialistë” me diploma falso, ardhur nga vendet fqinjë, edhe nga Turqia e më larg...!? Le ta fillojmë me ushqimin e përditshëm dhe jetik.
Edhe pse kemi AKU-në me Drejtori qendrore dhe qytetase me personele dhe paga e përfitime të përditshme jo të pakta, duke i lëshuar vulat si vezët pulat, shumëkush nga konsumatorët në qytete e fshatra janë dëshmitarë okularë apo viktima të plot ushqimeve me përqindje të lartë pesticidesh, hormonesh, me përbërje lëndësh të panjohura edhe nga analizat e specializuara!? Mund të kujtojmë apo sjellim për argumentim disa nga artikujt e bulmetrave si qumështi, gjalpi djathërat, gjizërat, prodhuar apo përzier pa peshore me qumësht pluhur shumëvjeçar ardhur nga vende të Evropës Lindore e që kanë sa për ngjyrë e pak shije edhe një sasi të vogël qumështi bio allashqiptar. Po kështu, edhe frutat janë me nivele të larta pesticidesh si mandarinat, portokallet, luleshtrydhet; mollët, dardhat si dhe disa zarzavate, si domatet, patatet, qepët, specat, kastravecat, karotat...të fryra si madhësi e peshë nga lëndë hormonale jo me age e pikatore, por me grushta dore...!? Po kështu në tregjet, familjet, qebabtoret, baret, restorantet shqiptare prej vitesh kanë hyrë pa kontrolle të rrepta apo duke mbyllur krej sytë mishëra viçash, lopësh, derrash, pulash, sallamra, prej kohësh të gjata në ruajtje frigorefike...edhe nga Brazili e vende të tjera latino-amerikane, si dhe nga Serbia, edhe kur në vendet prodhuese janë vlerësuar ose përtej afateve të skadencës, ose pa vlera minimale, ose për groposje!?
Mund të vazhdojmë me disa skandale për vajin e ullirit, që janë bërë objekte të disa mediave televizive, sidomos të STOP-it në Klan TV si dhe hetimesh nga disa komisariate të policisë, por si kofini pas të vjeli apo kur era e skandalit ka qelbur jo vetëm zonën dhe qytetet e plasjes, sidomos në Berat, Mallakastër, Vlorë, Himarë, Elbasan, Tiranë, Shkodër...! Siç është bërë e njohur në media e rrjete sociale disa familje, duke mashtruar se kanë fabrika e punishte të mirëfillta për prodhim të vajit të ullirit me cilësi të padiskutueshme, në të kundërtën kanë përdorur për biznesin e tyre të pistë e krimimal edhe ambiente krejt jo higjenike, por, për më keq i kanë mbushur bidonët edhe me pak vaj ulliri e më shumë me lloj-lloj vajrash e lëndësh të tjera të lëngshme, sa nuk identifikohen dot edhe në laboratorë me aparatura bashkëkohore! Le të kalojmë në fushën e shëndetësisë, së pari në atë të depove të ilaçeve e të farmacive. Po nga media e rrjete sociale disa herë është shprehur e shpërndarë shqetësimi se këto vitet e fundit, për hirë të ambicive e të lakmive të bosëve të biznesit farmaceutik për përfitime të tyre sa më të mëdha financiare në dëm të cilësisë e të konsumatorëve, janë hequr nga listat e importit të shumicës së ilaçeve vende të mirënjohura evropiane për cilësi e kontroll të lartë për efektshmërinë e tyre, pozitive e të dëmshme apo anësore!? janë zëvendësuar kryesisht me vende aziatike e të Evropës Lindore, në të cilat prodhimet farmaceutike nuk kanë as kontroll rigoroz, as cilësi dhe efektivitet pozitiv qoftë edhe në standartin minimal të vendeve evropiano-perendimore e të Ballkanit verior, tradicionalisht me industri prodhuese farmaceutike të zhvilluar e nën kontroll rigoroz nga ministritë e shëndetësisë dhe hallkat e tyre vartëse.
Nën hundën e qeverisë e të shtetit tonë, domethënë të hallkave të tyre të kontrollit të cilësisë e të rregullsisë për zbatimin e detyrimeve ligjore, kanë ardhur sasi të konsiderueshme ilaçesh nga vende të tilla aziatike si Bangladeshi, Pakistani, India, Kina...si dhe nga vende fqinjë si Serbia, Maqedonia, Greqia, më së shumti prodhime për Shqipëri e për shqiptarë. Më e keqja, ndaj këtyre ilaçeve për farmaci e spitale është liberalizuar ndjeshëm apo ka munguar fare kontrolli nga ana e institucioneve tona përkatëse. Edhe më skandaloz e më shqetësues është fakti se plot farmaci furnizohen nga depot nëpërmjet korrierëve që ua sjellin ilaçet e kërkuara me biçikleta e me qese!? Sipas burimeve mediatike, për periudhën 2020-2023, të gjitha barnat e importuara me autorizim ministri për barnat e paautorizuara janë vënë në qarkullim pa u kryer nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësorë (AKBPM) analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike. Nga përpunimi i të dhënave të vëna në dispozicion nga AKBPM-ja për barnat e paautorizuara, sipas KLSH, rezulton që për periudhën nën auditim (vitet 2020-2023) janë importuar 48 lloj barnash nga India, Kina, Koreja e Jugut, Bangladeshi dhe Singapori nëpërmjet 75 autorizimeve të ministrit të MSHMS, nga të cilat në total janë importuar 763,721 pako barna nga vendet e mësipërme dhe 600,000 doza vaksina COVID-19”...Ndërkohë audituesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit vlerësojnë se pavarësisht se në vend lejohen importet e këtyre barnave me autorizim ministri, sipas nevojës që ka tregu, është detyra e institucioneve shqiptare që të bëjnë analizat dhe kontrollin e tyre, që të mos dëmtohet e rrezikohet shëndeti i popullatës”! Por, më së shumti, kjo detyrë ose është “harruar” gjatë në kohë, ose është kryer shkel e shko apo në formën “unë vulën, ti zarfin!”
Prej pandjeshmërisë, papërgjegjshmërisë, neglizhencës, mungesës së shqetësimit dhe angazhimit maksimal të qeverive si popull, sidomos në qytete të mëdha jemi gjatë 24 orëve e 365 ditëve, kuptohet me përjashtim të periudhave kur nuk jemi në Shqipëri, viktima të ajrit të ndotur, deri në 3 fish më të lartë se norma e lejuar nga BE. Nuk ka nevojë për analiza për t’u bindur se këtë rrezik të përhershëm për shëndetin dhe jetën e kemi “dhuratë” apo ndëshkim të pamerituar nga sasirat e mëdha të gazrave të automjeteve; nga pluhurat e dherave gjatë hapjes së themeleve, nga sasitë e mëdha të çimentos, betonit, hekurave...nëpër pallate 10-20 kate e kulla 30-40 kate...! Por, edhe nga helmet që dalin nga djegia e plehrave në fusha të hapura e në inceneratorë; nga kaldajat nëpër spitale; nga Kombinati Metalurgjik në Elbasan e nga kompani të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës; nga fabrikat e tullave e të çimentos, sidomos në Krujë...Sipas një njoftimi të freskët të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), publikuar më 03.02.2025, “ndotja e ajrit në vendin tonë shkakton rreth 4,600 vdekje në vit, shumica nga tumore kanceroze në mushkëri.... Përqendrimi i grimcave PM2.5 është 16.7 mikrogramë për metër kub, pothuajse trefishi i normës së lejuar nga OBSH, duke e renditur Shqipërinë mes 10 vendeve më të ndotura në botë...”!? Shumë të këqija, sidomos moshave të reja, u vijnë nga kultivimi dhe konsumimi masiv i kanabizit dhe i drograve të tjera më të rënda. janë burim dëmtimi të shëndetit fizik e mendor për përdoruesit si dhe për rritjen e niveleve të kriminalitetit dhe të viktimave të sherreve, armiqësive, konflikteve për pazare të pista...!?
Po nga keqqeverisjet, për paaftësi apo për strategji, shumica e popullit të thjeshtë po “vritet” përditë edhe nga ushqimi i varfër si menu e për nga vlerat ushqyese, edhe prej pamundësisë për ta pasuruar me pagat e pensionet e ulëta dhe çmimet e lartë e në ngritje të pandalshme. Por, edhe nga pamundësia për të bërë 7-10 ditë pushime gjatë verës në plazhet e vendit, sepse ato të Greqisë, Turqisë, Italisë, Francës, Spanjës...as nuk ëndërrohen dot nga shumica e shqiptarëve me të ardhura mujore minimale apo edhe mesatare. Po e përmbyll këtë opinion me kujtesën apo këshillën për shumicën e SHQIPTARËVE, në vend e në Diasporë, të djathtë, të pavarur, të majtë, nga 10-90 vjeç,...që të kuptojnë dhe binden se më së shumti e keqja, nxitja e dhunës dhe e gremisjes ekonomike, sociale, kulturore, arsimore, kombëtare... nuk u kanë ardhur e nuk u vijnë nga interneti, nga televizorët, nga rrjetet sociale, pra as nga TikTok-u, por nga Soros-RamaTok-u apo Edi-Alex-amoku...!