Tani që ka përfunduar numërimi i votave dhe mundësitë janë të vogla që të ketë ndryshim të madh (duke pasur parasysh disa ankesat në PZAP), dihet edhe numri i ulëseve në Kuvend që kanë fituar partitë politike. Duke qenë e para, VV-së i takon të formojë qeverinë, e detyruar për koalicione. Në planin afatshkurtër, VV mund të formojë qeverinë me minoritetet jo serbe dhe Nenad Rashiqin, plus edhe tre vota të Fatmir Limajt, duke përjashtuar kështu ndonjë koalicion të madh me LDK ose PDK.
Së bashku bëjnë 62 deputetë, të mjaftueshëm për të zgjedhur qeverinë e re, por të pamjaftueshëm për të zgjedhur presidentin e ri vitin e ardhshëm. Kjo shton nevojën që të kemi një koalicion të madh, në mënyrë që vendi të mos ballafaqohet me krizë vitin tjetër nga pamundësia për të zgjedhur të parin e shtetit.
Një koalicion VV-LDK-NISMA dhe minoritete jo serbe (dhe një votë të Nenad Rashiqit) bëjnë gjithsej 82 vota, të mjaftueshme për të zgjedhur presidentin dhe për të udhëhequr katër vjet shtetin pa probleme të numrave. Në opozitë do të mbetet PDK-AA dhe Lista Serbe, të pafuqishme për të rrëzuar apo parandaluar çdo nismë të qeverisë LNL.
Kështu, Vetëvendosje duhet të jetë e vëmendshme që tani të zgjidhë problemin edhe për vitin tjetër të presidentit të vendit, përveç nëse luan kartën e propozimit të ndonjë familjari të familjes Jashari për president të vendit, me çka do t'i binte para aktit të kryer opozitës.
Gjithsesi, vendi ka nevojë për qeveri stabile dhe të fortë, në mandatin kur pritet që çështja e problemit Kosovë-Serbi të mbyllet me marrëveshje finale, si dhe për pritje të mëdha nga qytetarët për punë, shëndetësi të mirë, arsim më cilësor etj.