Bedri Hamza, kandidati i dështuar për kryeministër nga PDK-ja, pasi pësoi debakël në këto zgjedhje, më 10 mars 2025 deklaroi publikisht se: “Që sonte jam i gatshëm me u ulur me partitë që kemi qenë në opozitë, të bisedojmë për marrëdhëniet politike, me u ulur për të biseduar që vendit t’i jepet institucione.”
O Hamza, humbës, o kukull e Hashim Thaçit, ngulite në mendje se institucionet e Kosovës do t’i themelojë VV me Albin Kurtin, ndërsa ju, opozita e Kosovës, domosdoshmërisht duhet paraprakisht që t’ia ktheni pasuritë e paratë e vjedhura Kosovës, t’i provoni qelitë e burgjeve për tradhtitë dhe vëllavrasjet e kryera, si dhe të distancoheni rrënjësisht nga e kaluara tradhtare, vëllavrasëse dhe hajdute!
Si gazetar, i kam njohur personalisht dhe e kam pasur shok të ngushtë Mr. Ukshin Hotin, e kam njohur personalisht dhe kam bërë tre intervista të gjera me Adem Demaçin—Mendelën e Kosovës, e kam njohur personalisht edhe Ibrahim Rugovën—Gandin dhe vizionarin për një Kosovë demokratike. Jam mëse i bindur se Ukshin Hoti, Adem Demaçi dhe Ibrahim Rugova dallojnë si dita me natën krahasuar me Hashim Thaçin, Isa Mustafëm, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn, të cilët në Kosovën e lirë e të pavarur u turpëruan duke e këmbyer lavdinë dhe dinjitetin me tradhtinë, postet, hajninë dhe pasurinë.
Tashmë edhe zogjtë e malit, edhe milingonat e dheut e dinë se Serbia, gjenocidale dhe armike shekullore e Kosovës dhe e mbarë shqiptarëve, edhe sot synon ta gllabërojë Veriun e Kosovës, ku janë minierat e Trepçës dhe Liqeni i Ujmanit, ndërsa opozita tradhtare në Kosovë, PDK e Hashim Thaçit, LDK e Isa Mustafës, AAK e Ramush Haradinajt dhe NISMA e Fatmir Limajt, të lidhur me Edi Ramën—Kryeministrin narko-mafioz dhe me diplomatët e korruptuar, për t’i shpëtuar nga tradhtitë, vëllavrasjet për pushtet, vrasjet e gazetarëve për fjalën e vërtetë dhe hajnitë e pasuritë multi-milionëshe, si dhe për të shpëtuar nga Byroja për Konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, janë të gatshëm të lidhen edhe me djallin, edhe me Serbinë, për ta shpëtuar pasurinë e vjedhur dhe për të shpëtuar nga Ligji për tradhtitë që ia kanë bërë dhe që po ia bëjnë Kosovës.
Opozita tradhtare e Kosovës, e pa reformuar asnjë milimetër nga e kaluara e saj e zezë, deri dje hapur flirtonte dhe i lëpinte këpucët që ia hudhnin SHBA-të, me në krye Joe Bidenin—ish-presidentin mashtrues të SHBA-ve dhe me Departamentin Amerikan të Shtetit, të udhëhequr nga anti-shqiptari Antony Blinken dhe bashkëpunëtorët e tij, Matthew Palmer, Gabriel Escobar, James O’Neill, Christopher Hill… nga SHBA-të, si edhe me maskarenjtë dhe sharlatanët Joseph Borrell dhe Miroslav Lajçak nga BE-ja, të gjithë të shitur te Serbia dhe Rusia.
Në ish-Jugosllavinë e Titos dhe të Rankoviqit, të rinjtë atdhetarë në Kosovë për 28 Nëntor e ngritnin flamurin kombëtar shqiptar nëpër minaret e xhamive dhe merrnin pjesë masivisht në demonstratat për Kosovën e lirë e të pavarur, duke brohoritur “Kosova Republikë, ja me hatër, ja me luftë” dhe ishin të shtrirë edhe gjatë hetimeve brutale, edhe gjatë shqiptimit të dënimeve drakonike me nga 14 vite burg.
Sot rinia në Kosovë është e heshtur, por kjo nuk do të thotë se frikësohet. Sot rinia në Kosovë vlon nga brenda si vullkani që pritet të shpërthejë fuqishëm për t’i shporrur nga skena politike dhe për t’i burgosur tradhtarët.
Sot në Kosovë protestojnë vetëm 40 mijë veteranët e rrejshëm të instrumentalizuar nga PDK, LDK, AAK dhe NISMA për ta rrjepur sa më gjatë buxhetin e taksapaguesve të Kosovës.
Sot në Kosovë protestojnë sindikatat e arsimit, me në krye kryesindikalistin matuf Rahman Jashari, me shokët e tij të rekrutuar nga opozita në Kosovë, të cilët në vazhdimësi kërkojnë rritje të pagave dhe e kundërshtojnë verifikimin profesional të kuadrit mësimor në dobi të cilësisë së arsimit që po e kërkon Ministria e Arsimit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, me veprimtarinë e derisotme dhe me stërzgjatjen e përgjigjeve ndaj ankesave të opozitës në Kosovë ndaj ligjeve të dobishme për Kosovën, dëshmon se kjo Gjykatë Kushtetuese është përplot me sekserë të ish-pushtetëve të Kosovës.
Komisioni Qendror Zgjedhor në Kosovë, edhe në këto zgjedhje të 9 shkurtit 2025, dëshmoi se është përplot me sekserë, që u pasqyrua me përfundimin e zgjedhjeve, kur u bë difekti në sistemin kompjuterik, që rezultoi me stërzgjatjen e numërimit të votave dhe me pretendimet për manipulimet me rezultatet e votave, që domosdoshmërisht hap rrugën dhe ndikon edhe në stërzgjatjen e themelimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Prokuroria Speciale e Kosovës, me Blerim Isufaj, që me shantazhe ndaj Kryeministrit Albin Kurti pretendon të bëhet kryeprokuror i Kosovës, edhe pse ky prokuror është fajtor për lirimin e kryeteroristit serb Milan Radojçiq nga aktakuza.
Gjykatat e Kosovës, me veprimet e derisotme në shqiptimin selektiv të dënimeve, gjithashtu kanë dëshmuar se janë përplot me sekserë të ngulitur nga ish-pushteti në Kosovë, sekserë që veprojnë pro Serbisë.
E tërë kjo hallakamë e panevojshme bëhet për ta penguar VV-në për ta themeluar Qeverinë e re me në krye Albin Kurtin dhe për ta penguar Vjosa Osmanin që, pas përfundimit të mandatit pas një viti, të mbetet dhe më tej presidente e Kosovës.
Duam apo s’duam ta pranojmë, të gjithë jemi dëshmitarë se Albin Kurti, kryeministër, dhe Vjosa Osmani, presidente, janë dy udhëheqësit më të mirë deri sot që i kanë dalë zot Kosovës, qoftë karshi Serbisë gjenocidale hegjemoniste, duke e shtrirë sovranitetin e Kosovës edhe në Veri të Kosovës, qoftë karshi faktorëve ndërkombëtarë, duke i amortizuar kërcënimet e tyre të padrejta ndaj Kosovës demokratike.
Është absurditet dhe padrejtësi ta kritikosh Albin Kurtin dhe Qeverinë e tij për të arriturat në katër vitet e kaluara, kur të gjithë e dimë se Albin Kurti dhe Qeveria e tij punonin në kushtet e shantazhimit maksimal nga opozita tradhtare brenda Kosovës dhe nga ndërkombëtarët jashtë Kosovës.
Rezultati më i ulët i VV dhe i Albin Kurtit në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, në krahasim me rezultatin plebishitar të para katër viteve, është pasojë e ndërhyrjes së Serbisë dhe e manipulimeve që opozita e Kosovës kreu ndaj votuesve, duke shpenzuar shumë para dhe duke mashtruar.
Siç ishte rasti me deputeten Sala Jashari, vajzë e familjes heroike të Jasharajve nga Prekazi, e cila u rekrutua dhe u mashtrua të jetë deputete e PDK-së.
Ky rezultat është pasojë e mashtrimit dhe rekrutimit nga LDK-ja të Hysen Çekaj në mërgatë, djalit të Sali Çekaj—komandantit të shquar të UÇK-së që u vra tinëzisht gjatë luftës—dhe ky djalë hero të jetë aktivist i LDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ky rezultat është edhe pasojë e manipulimeve tjera që po zbardhen, ose që padyshim do të zbardhen më vonë.