Rrahjet publike dhe vdekja publike

Opinione

Rrahjet publike dhe vdekja publike

Nga: Ilir Levonja Më: 11 mars 2025 Në ora: 22:22
Ilir Levonja

Ngjarja që dominoi internetin dje, ishin ca pamje të shëmtuara se si një grup të rinjsh godisnin pa mëshirë një moshatarin e tyre. Mirëpo akoma më e shëmtuar ishte indiferenca e atyre mjeteve në varg nga pas që rrinin e vështronin. Mund të kishin protestuar duke i rënë fort borive, mund të kishin telefonuar policinë, mund edhe të zbrisnin nëse vërtetë ishin burra ata që qëndronin në timon, por askush nuk e bëri. Një indeferencë sociale e tillë ndodh vetëm në vendet e botës së tretë.

Dhe akoma më e shëmtuar ishte logjika që në ato pak studio ku edhe u përmend, se, pse në vendet e huaja nuk ndodhin gjëra të tilla.? Tashmë në Shqipëri është bërë mjet shfajësimi, mënyrë lehtësimi për të dalë nga laku dhe për t'i dhënë të drejtë vetes se më që ndodhin diku tjetër është normale edhe tek ne. Na lind kjo e drejtë, të rrahim edhe ne. Ato tabale plastike i thyheshin kokës një robi të gjallë, pavarsisht shkakut, pavarsisht postulatit shqiptar përse më shikon? Prapë gjindja i kënaqej shfaqes. Problemi në Shqipëri nuk janë më vdekja e mirësjelljes, respekti social, të drejtat e njeriut, por si e si ta poshtërojmë sa më ulët shoqi-shoqin.

Dhe kjo i ka arsyet e veta dhe ato janë të shumta. Mirëpo sociologët zënë vend në periferi të emisoneve publike pasi adrelina që ndron tek politika. Dhe vdekja jonë sociale ka zënë fill bash aty tek gjimanzistët, të cilët sot nuk kanë më ideale por i kënaqen supremacisë së dhunës. Kjo ndodh e gjitha për shkak të vdekjes së pushtetit të arsimit. Sado të nxjerrim duhmën kolektive rrjeteve sociale për respektin e figurës së mësuesit, e vërteta është ndryshe, mësuesin a mësuesen si figurë i kemi varur në litar, kurse arsmin e kemi pushkatuar. Faji është kolektiv, nga prindi, nga shteti por edhe nga vet mësimdhënësi. Nga prindi pasi pajtohet dhe jep lek për të marrë diplomën apo për të rehatuar me një vend punë fëmijën.

Nga shteti po e po, pasi i ka mbushur zyrat me burokratë partish, aq sot pavarsisht staturës dalin dhe bëjnë protesta publike në favor të iks shefi. Nga mësimdhënësi, pasi janë shtuar me shumicë pedagogët që për një drekë me mish qengji, për një grusht eurosh, i firmosin librezat pa gajle fare. Koridoret e fakulteteve i ka mbytur poltika aq sa sot sekretaret bëjnë kërdinë qoftë nga bindjet, qoftë si seksere, qoftë si këshilluese arsimore.

Kështu është edhe tek shëndetësia, kështu edhe tek fuqia shtetërore ku justifikimi bajat se, kam fëmijët për të ushqyer, është sot dorëzimi total publik i shqiptarit. Dhe mbi të gjitha, hallka më vrastare e shqiptarëve në demokraci, është politika, ku vetëm në Shqipëri njerëzit e konsiderojnë a e konceptojnë aderimin aty, njësoj si mercenari zanatin e vet. Si përfundim, ne rrahim sepse edhe në vende të tjera rrihen. Vjedhim pasi edhe përpara nesh kanë vjedhur. Mjaft të justifikohemi. Kaq. Të tjerat i di Zoti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat