Kuvendi i dështimeve!

Politika

Kuvendi i dështimeve!

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 30 nëntor 2020 Në ora: 22:10
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi nga fillimi i sezonit vjeshtor është përballur me mungesë të vendimmarrjes dhe si pasojë kanë mbetur shumë projektligje pa u miratuar, duke përfshirë edhe atë të Rimëkëmbjes Ekonomike

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë dështuar që ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike nga pandemia COVID-19. Ky Projektligj kishte dështuar të votohej që nga muaji gusht kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend.

Ky Projektligj dështoi pasi që Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës refuzuan ta votojnë, madje disa prej tyre as nuk u paraqitën në seancat plenare të mbajtura në Kuvend.

Deputetët me interesa partiake jo popullore

Në lidhje me këtë kanë reaguar edhe disa nga analistët, në një prononcim për “Bota sot”, analisti Rexhep Elezaj ka thënë se pa marrë parasysh krizave politike nëpër të cilat po kalon vendi , në asnjë rast Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk guxon ta humbë peshën dhe rolin e tij kushtetues sepse vendi përbëhet nga të zgjedhurit e popullit.

Image
Rexhep Elezaj

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, si organi më i lartë legjislativ i shtetit, në asnjë rast dhe asnjë formë nuk guxon ta humbë peshën dhe rolin e tij kushtetues, pa marrë parasysh krizat politike nëpër të cilat mund të kalon vendi ynë, sepse Kuvendi përbëhet nga njerëz të zgjedhur nga populli, pra nga të zgjedhurit e popullit, të cilët besimin e marrin për t’i përfaqësuar interesat e tij në Kuvend-Parlament, e jo që t’i paraqesin interesat e partive politike aty”, tha ai.

Sipas tij, kjo legjislaturë, pas këtyre dështimeve qëndron për faktin se grupet parlamentare ia kanë imponuar Kuvendit mbi 80% interesat partiake, por jo të popullit nga komunat dhe rrethet prej nga i kanë marrë votat.

Ai thotë se nga legjislatura e Kuvendi asnjëherë nuk janë kryer detyrat dhe obligimet ndaj qytetarëve për një jetë më të sigurt pa marrë parasysh përkatësisë partiake.

“Pra, tragjika e kësaj legjislature, pranë shumë dështimeve tjera, qëndron pikërisht në faktin se grupet parlamentare ia kanë imponuar Kuvendit mbi 80%-ind interesat partiake, e jo interesat e popullit nga komunat dhe rrethet ku ata i kanë marrë votat. Këtë fakt mund ta dëshmojmë me dhjetëra argumente që flasin se edhe kjo legjislaturë e Kuvendit, por as ato të kaluarat, as për së afërmi nuk i kanë kryer detyrat dhe obligimet e tyre kushtetues që i kanë marrë nga sovrani për ruajtjen dhe shtyrjen përpara të kërkesave të tyre jetësore për një jetë më të sigurt për qytetarin, siç është përmirësimi i kushteve për jetë, arsimi, shëndetësia dhe punësimi, pa marrë parasysh përkatësinë partiake, e jo që në Kuvend t’i zbatojnë urdhrat politike të shefave të tyre partiak, siç po ndodhë, sidomos në këta gjashtë muajt e fundit”, tha ai

Ai ka theksuar se një deputet i mirëfilltë, i arsimuar dhe i aftë profesionalisht, asnjëherë nuk i prezanton në Kuvend interesat e partisë nga e cila vjen, por interesat e votuesve të tij sepse kur e jep betimin, partia dhe interesat duhet të mbeten jashtë çdo bindjeje dhe veprimi personal.

“Një deputet i mirëfilltë, i zgjedhur me meritë nga votat e popullit, i arsimuar dhe aftë profesionalisht, një patriot dhe aktivist i denjë i çështjes kombëtare, i cili duke e marrë postin e deputetit dhe e jep betimin para popullit në seancë solemne të Kuvendit, ai kurrë dhe asnjëherë nuk i dëgjon dhe nuk i prezanton në Kuvend interesat e partisë nga e cila vjen, por ekskluzivisht interesat e votuesve të vet, pra të popullit, sepse në momentin kur e jep betimin (disa ndoshta as që e kanë lexuar tekstin e tij), partia dhe interesat e saj duhet të mbeten plotësisht jashtë çdo bindjeje dhe veprimi të tij personal”, tha ai

Tutje ka shtuar se fyerjet dhe akuzat nga Kuvendi i Kosovë tregojnë qartë se asnjëherë nuk i kanë përmbushur kërkesat dhe obligimet siç duhet ndaj popullit, ky është mjerimi politik dhe moral i deputetëve aktual në Kuvend.

Kërkohen zgjedhjet parlamentare

“Dhe, ky është mjerimi politik dhe moral i deputetëve aktual në Kuvend, por edhe i deputetëve të mëparshëm, andaj Kuvendi i Kosovës asnjëherë nuk i ka përmbushë kërkesat dhe obligimet e tij siç duhet ndaj popullit, siç e dëshmon këtë më së qarti, shndërrimi i tij në një arenë gladiatorësh, ku fyerjet dhe akuzat ndaj njëri tjetrit ishin dhe janë aq të tmerrshme, saqë qytetarit tonë i vjen me vjellë nga ajo që dëgjon në Kuvendin, për të cilin edhe ka votuar”, tha ai

Ai ka shtuar se sjelljet e tyre si deputet kanë rënë aq poshtë, saqë për shkak të inateve ndaj njëri tjetrit dhe interesave personale nuk janë në gjendje të votojnë madje as ligjin për buxhetin e shtetit, aq më mirë do të jetë nëse shteti shkon sa më parë në zgjedhje parlamentare.

“Pra, janë aq të mëdha ndarjet, përçarjet, polarizimit dhe interesat partiake në Kuvend, sa që çdo ditë aty shohim vetëm skena të mbrapshta, njëri grup parlamentar i bojkoton seancat, tjetri rrinë jashtë sallës duke pirë kafe e duhan, deputetet tjerë nuk vijnë fare në seanca, etj., skena këto të turpshme të cilat imazhin e Kosovës para të huajve e kanë sjellë në nivel tejet të ultë, madje kanë rënë aq poshtë si deputet, sa as ligjin për buxhetin e shtetit nuk po janë të aftë që ta votojnë, dhe kjo vetëm për shkak të inateve partiake si dhe interesave meskine personale të tyre, pa dallim..! Sa më para që vendi do shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, aq më mirë do jetë për Kosovën, sepse së paku do ndërpritet ky cirkus i turpit dhe dëmeve që janë duke ia sjellë Kosovës dhe popullit tonë i cili ka ardhur buzë skamjes ekstreme”, tha ai.

Kuvendi i papërgjegjshëm

Edhe analisti Skënder Mulliqi e ka komentuar situatën e tanishme, ai ka thënë se dështimi për rimëkëmbjen ekonomike gjë që është shumë i nevojshëm gjatë kësaj kohe, e bënë të qartë se shumica nga Kuvendarët nuk janë të përgjegjshëm, por vetëm sa për të marrë benificionet dhe pagat e tyre .

Image
Skënder Mulliqi

“Gati në tersi janë duke dështuar seancat e Kuvendit të Kosovës. Këtë dështim duhet shikuar në mos përgjegjësinë e kuvendarëve para qytetarëve të Kosovës, të cilët i kanë zgjedhur. Ka më shumë së dy muaj që nuk po nxirren ligjet e ndryshme dhe as nuk po legjitimohet Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike, që është shumë turpëruse, kur dihet së sa është i nevojshëm për shumicën e lodhur nga mjerimi social, të rënduar edhe nga COVID 19. Po shihet ashiqare së këta kuvendarë shumica, nuk po janë të përgjegjshëm, dhe janë aty vetëm sa për të marrë paga dhe benificione tjera të majme, e asgjë më shumë”, tha ai.

Ai më tej ka theksuar se Kuvendi është shndërruar në Klub Cirku, ku në cdo seancë dëgjohen vetëm akuza dhe refrene monotone, të cilat nuk përkojnë me atë se për çfarë janë të thirrur.

Mulliqi thotë se në bazë të kësaj krize që po kalon vendi duhet të lihen anash politikat partiake. Pra, qeveria nuk i ka numrat por është absurde që opozita të mbaj në këmbë pushtetin.

“Kuvendi është shndërruar më shumë në Klub Cirku, ku në çdo seancë parlamentare po dëgjojmë refrene monotone, po dëgjojmë akuza dhe kundër akuza, që asgjë nuk përkojnë për çka këta janë edhe të thirrur. Unë nuk e di kur do të përfundon kjo mos përgjegjësi e tyre, ku vendi po vlon nga krizat e shumë llojshme, por edhe nga pandima, e cila po merr gjithnjë e më shumë jetesa njerëzish. Kjo Qeveri po shihet se nuk i ka numrat , edhe pse kur bëhet fjalë për këtë ligj, ishte dashur që politikat partiake të lihen anash. Është absurde tek e fundit të kërkohet nga opozita që të mbahet në këmbë pushteti”, tha ai.

Po ashtu edhe Mulliqi ka thënë se për të dalë nga kjo krizë, vendi duhet të shkoj në zgjedhje, është absurde nëse vazhdohet kështu edhe më tutje duke i lënë anash interesat e vendit, është koha e reflektimit të mbarë politikë, me një logjikë të tillë nuk zgjedhën problemet.

“Prandaj, është absurde po ashtu të vazhdohet kështu edhe më tutje , duke i lënë krejt anash interesat e vendit. Mirë është që më në fund të mbretëroje ndjenja e përgjegjësisë, dhe të bëhen përgatitjet urgjente për zgjedhje te reja. Vetëm zgjedhjet edhe pse shumë të kushtueshme e të shpeshta ,mund ta nxjerrin vendin nga situatat e krizave, të cilat më shumë janë produkt i kësaj kaste politike .Duhet pasur parasysh se vendi mund të rrëshqet në anarshi , prandaj është koha e reflektimit të mbarë spektrit politike, se më një logjikë të tillë nuk zgjedhën problemet e grumbulluara tash e një kohë të gjatë”, përfundoi Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat