Lugina e Preshevës aktualisht është pika më e ndjeshme shqiptare në gjithë gjeografinë shqiptare, jashtë Kosovës dhe Shqipërisë.
Të dënuar me shtypje serbe, mohim të të drejtave, varfërim dhe përbuzje deri në poshtërim, duke jetuar ndërmjet Kosovës, si shtet amë, dhe mërgimit, në anë tjetër, janë në zgripc të jetës në trojet e tyre.
Madje së fundi është raportuar se në Medvegjë po fshihet çdo gjurmë shqiptare, përfshirë edhe shenjat e informacionit.
“Partia në pushtet SNS vazhdon t’i heqë tabelat dygjuhëshe në Komunën e Medvegjës. Gjuha shqipe po hiqet sistematikisht nga të gjitha shenjat e informacionit (objektet e kujdesit shëndetësor, emrat e rrugëve, informacionet turistike) “, njofton aktivistja Flora Ferati-Sachsenmaier.
Qarri: Serbia si shteti më shqiptarofob, Kosova dhe Shqipëria ta ngrisin zërin për shqiptarët në Luginë
Analisti Gani Qarri
Lidhur me këtë analisti Gani Qarri në një përgjigje për “Bota sot” thotë se Serbia po shfrytëzon heshtjen e shqiptarëve të cilët nuk e ngrisin zërin për asgjë.
Andaj Serbia ka filluar të heq të gjitha gjurmët që kanë të bëjnë me shqiptarë, madje edhe shtetësinë shqiptare, po ua pasivizon adresat, dhe në një mënyrë po i lë pa shtëpi dhe toka, si dhe po i diskriminon në mënyrën më të rëndë.
“Mjerisht Serbia fashiste, si shteti më antishqiptar në rajon, duke shfrytëzuar heshtjen totale të shqiptarëve të pulitur të Kosovës Lindore, të cilët me dekada heshtin dhe nuk e ngritin zërin fare për asgjë, madje as për gjuhë e shkollim në gjuhën amtare dhe ndalimin e simboleve të veta kombëtare, moskokëçarjen e habitshme të Shqipërisë si shtet amë, si dhe pamundësinë dhe paaftësinë e shtetit të Kosovës, që ta ngritë çështjen e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës dhe fus në tryezat ndërkombëtare për diskutim, antishqiptari Vuçiqi po i shfrytëzon me shumë mjeshtri të gjitha këto, për ta zhdukur në mënyrë sistematike çdo gjë shqiptare në këto troje tonat autoktone. Madje përveç ndalimit të abetares e librave tjerë shkollor për filloristët dhe flamurit e simboleve kombëtare, Serbia ka filluar t`ua heq edhe shtetësinë shqiptarëve, pasivizon adresat nga shtëpitë dhe tokat e tyre, si dhe i diskriminon në mënyrën më të rëndë, në gjuhë, arsim, kulturë e traditat kombëtare dhe duke mbajtur të gjithë rajonin në varfëri të skajshme, me papunësi të madhe dhe përkeqësimin drastik të kushteve, duke i detyruar shqiptarët që të ikin nga atje. Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto, Serbia si shteti më shqiptarofob, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, pas ndalimit të abetareve dhe librave edhe për klasat më të ulëta të shkollave fillore, së fundi ka filluar t’i asgjësoj edhe mbishkrimet në gjuhën shqipe edhe aty ku ende jetojnë shqiptarët në trojet e veta etnike, veçanërisht në Medvegjë dhe rrethinë, gjë që nuk ndodhë me asnjë kombësi tjetër, as në vet Serbinë”, thotë ai.
Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria duhet ta ngritin zërin dhe të bëjnë të mundshme, që çështja e diskriminimit masiv të shqiptarëve dhe dëbimit të tyre nga trojet e veta autoktone në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të diskutohet urgjentisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Prandaj është koha vendimtare, që jo vetëm Kosova, por edhe vet Shqipëria si shtet amë dhe anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ta ngritin sa më fuqishëm zërin e tyre si dy shtete dhe të bëjnë çdo gjë të mundshme, që çështja e diskriminimit masiv të shqiptarëve dhe dëbimit të tyre nga trojet e veta autoktone në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të diskutohet urgjentisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke thirrur seancë të veçantë për problemin e shqiptarëve në Kosovën Lindore, si dhe çështja e tyre të shtrohet si temë më vete edhe në dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel, akt të cilin duhet ta "imponojnë" edhe vet shqiptarët e Medvegjës, Bujanocit e Preshevës me angazhimin e tyre, në ndonjë aksion proteste paqësore, për gjuhën, shkollën, simbolet kombëtare dhe të drejtën e të jetuarit, në trojet e veta stërgjyshore”, përfundon analisti.
Kelmendi: Reciprociteti në çështje nacionale është bazë e zgjidhjes së çështjes në Luginën e Preshevës
Juristi Muhamet Kelmendi
Kurse juristi Muhamet Kelmendi, ka thënë se Kosovës ndër vite i është ngushtuar territori, sepse të gjitha vendet i ka asimiluar Serbia duke dëbuar shqiptarët nga tokat dhe pronat e veta.
“Kosova si një krahinë më e madhe e Shqipërisë, nga gjerësia gjeografike, që i kishte mbi 35 mijë km. katror, ka ardhur nga Kongresi i Berlinit duke u ngushtuar, saqë sot i ka vetëm 10 mijë e 700 km. katror. Nga sipërfaqja e humbur mbi 20 mijë km në katror, janë asimiluar nga ana e Serbisë. Ndjekjet dhe vrasjet e shqiptarëve në Toplicë, në Leskovc, në Pirot, në Nish etj, duke i dëbuar nga ato vende dhe duke sjellur kolonë, ka bërë që brenda periudhës disa vjeçare, ajo hapësirë të serbizohet. Dëbimet e shqiptarëve kanë qenë temë edhe në Kongresin e Berlinit më 1878. Aty u vendos që shqiptarët e dëbuar të rikthehen në tokat dhe në shtëpitë e veta apo të bëhet kompensimi adekuat nga Serbia. Këto nuk u bën kurrë”, ka thënë ai.
AI më tej përmend edhe masat shoviniste, duke thënë se Serbia kishte qëllim që të rriste strukturën nacionale serbe në Kosovë dhe futja e Medvegjës, Bujanovcit dhe Preshevës nën administrimin e Serbisë.
“Masat shoviniste dhe raciste serbe kanë vazhduar edhe para Luftës së Parë Botërore, midis dy Luftërave Botërore dhe pas saj. Kudo u veprua me masa vrastare raciste për të shkombëtarizuar territoret shqiptare. Viti 1957 shënon datën më të dëmshme për Medvegjën, Bujanovcin dhe Preshevën. Në këtë vit Serbia bëri shkëmbimin e këtyre komunave me Leposaviqin me rrethinë. Qëllimi ishte rritja e strukturës nacionale serbe në Kosovë dhe futja e Medvegjës, Bujanovcit dhe Preshevës nën administrimin e Serbisë. Futja e tillë ka ndikuar dukshëm në përshpejtimin e masave serbizuese të këtyre komunave. Në vitin 1957 kishim një strukturë nacionale 92 me 10 % shqiptarë, ndërsa tash në Medvegjë flitet vetëm për popullin serb. Gjendja më e mirë nuk është as në Preshevë dhe në Bujanovc. Nëse kështu vazhdon gjendja pritet që brenda kësaj dekade të kemi serbizim të plotë të Luginës së Preshevës”, shpjegon juristi.
Ai për këto zhvillime negative e zë “fajtor” Tiranën, e cila është pjesë e KE-së, dhe asnjëherë nuk u paraqit kurrë gjendja e shqiptarëve në Luginë. Madje edhe Shqipëria është pjesë e “Ballkanit të hapur”, as aty nuk është kërkuar që të respektohen të drejtave e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke qenë se Serbia po e ndalon gjuhën shqipe atje.
“E keqja është se as Tirana dhe as Prishtina nuk po merren me këtë pjesë të popullit tonë. Flitet për "Ballkan të Hapur" me shtetin serb dhe maqedon të Shqipërisë, ndërsa Serbia ndalon edhe gjuhën shqipe në territoret etnike shqiptare. As këtu nuk u kërkua nga Tirana respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Shqipëria është anëtare e KE-së, as aty nuk u paraqit kurrë gjendja e shqiptarëve në Luginë. Kurrë nuk dëgjuam nga Tirana qëndrime të qarta mbi Luginën e Preshevës. Asnjëherë nuk u paraqit kjo çështje në bazë të normalizimit të marrëdhënieve të Tiranës me Beogradin. Këto territore janë lënë jashtë interesave të shtetit shqiptar. Pse?!”, pyet ai.
Edhe për Prishtinën, juristi thotë se nuk e ka paraqitur në Bruksel çështjen e Luginës. Sipas tij, nuk duhet lejuar asnjë privilegj për Serbinë, andaj asgjë nuk duhet lejuar pa reciprocitet.
“Ndërsa, Prishtina, as në takime me shtetin serb, as në Bruksel dhe askund nuk e paraqiti çështjen e Luginës së Preshevës. Është e pakapshme mos futja e reciprocitetit në raport me shtetin serb në çështjen nacionale. Asgjë nuk duhet lejuar askujt pa reciprocitet. Shqiptarët e kanë një minoritet në Luginë, sikurse Serbia në veri. Barazia politike, shoqërore e socio-ekonomike është faktori kryesor në ndërtimin e çfarëdo raporti ndërshtetëror. Serbisë nuk duhet lejuar asnjë privilegj”, përfundon Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.