Lufta Ukrainë -Rusi në ditën e pestë të zhvillimeve dramatike. Përpjekjet për dhënien fund të luftës, po vazhdojnë.
Ndërkohë që përpjekjet për ta mundur Rusinë po vazhdojnë, zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian, kanë paralajmëruar se konflikti Rusi-Ukrainë mund ta cenojë edhe Ballkanin Perëndimor, përfshirë disa rajone në fqinjësi të konfliktit.
Përpjekjet e dështuara për armëpushim
Për herë të parë, të hënën, që nga tensionimi i situatës dhe fillimi i luftës, janë takuar drejtpërdrejt zyrtarë të lartë të Ukrainës dhe Rusisë, në Bjellorusinë fqinje, e cila është aleate me Rusinë, në përpjekjet për pushtimin e Ukrainës.
Bisedimet nuk kanë dhënë ndonjë rezultat. Në ndërkohë, mobilizimi i Perëndimit kundër Rusisë po vazhdon, si me sanksione edhe në sigurimin e armatimit, municioneve dhe ndihmave të tjera për ukrainasit.
Një ditë më parë, shefi autoritar i Rusisë, Putin, e kërcënoi botën se është gati t’i përdor armët bërthamore, të cilat i ka vënë në gjendje gatishmërie.
Ndërsa, po të të hënën vetë Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Blinken njoftoi se është marrë vendimi për ndalimin e të gjitha transaksioneve të Bankës Qendrore Ruse, dhe po ashtu ndaj fondit investiv rus.
“Shtetet e Bashkuara po u bashkohen aleatëve dhe partnerëve tanë në ndalimin e transaksioneve që përfshijnë Bankën Qendrore të Rusisë ose Ministrinë Ruse të Financave. Ne po vendosim sanksione edhe ndaj fondit të Investimeve Direkte Ruse”, ka shkruar Blinken në Twitter.
Paralajmërimi i hershëm i inteligjencës amerikane, se Rusia kishte për qëllim pushtimin e plotë të Ukrainës doli i vërtetë.
Fillimi i pushtimit të Ukrainës u pasua nga reagimi i menjëhershëm edhe në dërgimin e armëve shtesë, ndihmave financiare, por edhe shumë shtete të Evropës e kanë mundësuar që banorët e tyre e kanë lirinë që në mënyrë vullnetare të shkojnë qoftë edhe fizikisht në shtetin e Ukrainës.
Rreziku i përhapjes së konfliktit
Brenda korridoreve të Bashkimit Evropian është duke qarkulluar një informacion dhe se ekziston një frikë reale se ndikimi rus mund të fillojë të funksionojë në vendet fqinje.
Konkretisht gjatë ditës së djeshme, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, tha se situata është alarmante dhe se efekti i ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, mund ta përcjellë edhe Ballkanin Perëndimor.
“Ne jemi të shqetësuar për atë që mund të ndodhë në rajon. Ne kemi frikë se Rusia nuk do të ndalet vetëm në Ukrainë dhe se ndikimi rus mund të funksionojë edhe në Moldavi, Gjeorgji dhe Ballkanin Perëndimor”, thotë Borell në një konferencë për media në Bruksel pas një takimi virtual të ministrave të jashtëm të BE-së mbi krizën që po mbizotëron në Ukrainë.
Lidhur me këtë kishte reaguar edhe Haki Abazi, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë. Në një postim në rrjetin social Tëitter, të ditës së djeshme ai kishte kërkuar një reagim konkret nga Bashkimi Evropian, për sa i përket pozicionimit të Serbisë në konfliktin e Rusisë ndaj Ukrainës. Kujtojmë se ditë më parë, presidenti Vuçiq në një konferencë për medie, nuk e kishte dënuar atë se çka po ndodhë në Ukrainë.
Në reagim, Abazi, kishte kërkuar reagim konkret nga figurat e rëndësishme brenda procesit, si: Josep Borell, Miroslav Lajçak, Viola Von Cramon.
Haki Abazi
Në një prononcim për Gazetën “Bota Sot”, Haki Abazi, shprehet se kërkesa e tij për reagim ka rezultuar të jetë e suksesshme pas sulmit të Rusisë në kryeqendrën e Ukrainës.
“Pas sulmit të Rusisë në Kiev është koha për veprime konkrete. Putini premtonte se nuk do ta sulmojë Ukrainën, por ai e sulmoi. Kam kërkuar publikisht që të deklarohet edhe Borelli, edhe Lajçaku, për qëndrimin e Serbisë, e cila nuk e ka dënuar sulmin rus dhe e ka shtuar prezencën e personelit ushtarak rreth fshatrave në kufi të Kosovës”, thotë Abazi.
Sipas tij reagimi i Borellit sigurisht se është lajm i mirë sepse situata në Ballkanin Perëndimor vazhdon të mbetet fragjile.
“Më vjen mirë që ka reaguar Borelli sepse situatat në Ballkan është e ndjeshme, sepse Serbia e mbështetur nga Rusia ka mbajtur peng zhvillimet pozitive që kanë mundur të ndodhin në Ballkan”, thotë Abazi.
Sipas studiuesit të së drejtës ndërkombëtare, Mirlind Behluli, reagimi i Borellit e tregon ndjesinë e BE-së karshi zhvillimeve në rajon.
Mirlind Behluli
“Deklarimi i Borellit për ndikimet në Ballkanin Perëndimor të luftës në Ukrainë është i duhur dhe i mirëseardhur pasi që shpërfaqë ndjesinë e BE-së karshi mundësisë për destabilizim të regjionit”, thotë Behluli.
Sipas tij problemet etnike, çështjet e pambyllura territoriale dhe rreshtimi serb me Rusinë janë shkëndija, të cilat mund të ndezin konflikte të reja në Ballkanin Perëndimor.
Behluli përmend edhe arsyet se pse Ballkani është zonë e ndikueshme nga Rusia.
“Struktura fragjile qeverisëse në Bosnje, mungesa e sovranitetit të brendshëm në Kosovë, mos stabiliteti qeverisës në Mal të Zi dhe paqja e brishtë etnike në Maqedoni të Veriut, e bëjnë Ballkanin Perëndimor zonë potencialisht të ndikueshmë nga Rusia”, shprehet Behluli.
Pavarësisht se nuk ka ndonjë shkëndijë të dukshme, institucionet e Kosovës në koordinim me BE-në dhe SHBA-në, duhet t’i përcjellin me kujdes të veçantë lëvizjet serbo-ruse në Ballkanin Perëndimor, e sidomos në pjesën veriore të Kosovës.
Në lidhje me këto ngjarje, dje ka qarkulluar edhe informacioni i ditës se Qeveria e Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga KFOR-i që të shtojë prezencën fizike në pjesën veriore të vendit.