Kryetari i Këshillit Rajonal për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Halit Barani në një intervistë për gazetën ‘Bota Sot’, disa ditë më parë ka folur për gjendjen në veri të vendit.
Barani ka treguar se që nga koh e luftës, popullata serbe ende është e armatosur, madje me armë të llojllojshme automatike dhe me armë të rënda si, mitralozë.
“Sa i përket se a ka informacione për armatosjen e popullatës serbe kjo nuk do koment sepse serbët që nga lufta e UÇK-së 1998 / 99 nuk janë çarmatosur fare dhe gjithherë këtë e kanë dëshmuar për festa e ahengje të ndryshme ku kanë shti me armë të llojllojshme automatike, madje edhe me armë të rënda siҫ është mitralozi”, thekson ai.
Barani thotë se pas vendosjes së barrikadave janë armatosur edhe serbët e tjerë.
“Përveç atyre që kanë qenë të armatosur, pas vendosjes së barrikadave janë armatosur edhe të gjithë banorët serbë nëpër lagjet e pjesës së okupuar si : “Kroi i Vitakut”, “Kodra e Minatorëve”, “Ibri” kuarti i boshnjakëve, “7 shtatori” etj. Sa i përket armatosjes një pjesë e madhe e policëve serbë që dhanë dorëheqje nga policia nuk i dorëzuan armatimin, ato armë janë në duar të tyre”, thotë ai.