Ja kush po e kundërshton koalicionin Vetëvendosje-LDK: Duhet qeveri e unitetit

Politika

Ja kush po e kundërshton koalicionin Vetëvendosje-LDK: Duhet qeveri e unitetit

Nga: P.R Më: 18 shkurt 2025 Në ora: 22:07
Lumir Abdixhiku, Albin Kurti

Edhe pse ende nuk janë zyrtarizuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, në Kosovë kanë filluar spekulimet për koalicionin e ardhshëm qeverisës, duke parë se asnjëra nga partitë politike nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme që të qeverisë e vetme.

E tashme në qarqe të shumta po qarkullon ideja e një koalicioni mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Por ndryshe mendon analisti Haki Latifi. Sipas tij, LDK nuk duhet të hyjë assesi në koalicion me Vetëvendosjen.

"Përvoja e hidhur nuk duhet të harrohet me VV-në. LDK nuk duhet të bëhet patericë e LVV-së! Është koha që Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) të ndalojë përfundimisht çdo përpjekje për t’u bërë pjesë e qeverive eksperimentale dhe të mos bie në kurthin e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). Çdo hap drejt këtij koalicioni është një tradhti ndaj elektoratit dhe një vetëvrasje politike për partinë me traditë më të gjatë shtetformuese në Kosovë", shprehet Latifi.

Siç thotë ai, parimet e Vetëvendosjes bien ndesh me ato të LDK-së, çka është dëshmuar edhe në të kaluarën.

"Është koha që LDK-ja të refuzojë kategorikisht këtë skenar dhe të mbajë qëndrimin e saj të patundur në mbrojtje të demokracisë dhe stabilitetit institucional të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje ka dëshmuar se nuk di të qeverisë me bashkëpunim dhe respekt institucional. Retorika populiste, lufta me të gjithë, dhe arroganca qeverisëse janë tipare që bien ndesh me çdo parim që përfaqëson LDK-ja. Ndërsa sa i përket koalicionit të opozitës, PDK, LDK, AKK, mendoj se, duhet vërtet ti përvjelin mangët e të punojnë dhe ta arsyetojnë besimin e votuesve të vet, të qeverisin mirë e me duar të pastra", deklaron Latifi për "Bota sot".

"Njëherit në raport me politikën e jashtme duhet të jenë të kujdesshëm. Sidomos pas ndërrimit të administratës amerikane, duket se bota rrin nën ethe, e në veçanti liderët kosovar duhet të jenë tepër të kujdesshëm në raport me SHBA-në. Nga praktika e deritashme, kryeministri i Kosovës në detyrë , Albin Kurti e din që nuk fiton asgjë në përplasje me SHBA-në, por qëllimi i tij është që t'a bëjë Kosovën sa ma jofunksionale! Tashmë sinjalet e rrezikut po shihen. Dhe derisa politikanët dhe shoqëria e injorojnë rrezikun, rrezikon ti mbajnë edhe pasojat e saj", shton Latifi.

Më tej, ai thotë se duhet të formohet një qeveri e unitetit kombëtar për Kosovën.

"Zgjedhjet e 9 shkurtit do të jetë vendimtare për të ardhmen e RKS, në kuadër të një mirëkuptimi për formimin e Qeverisë së Kosovës, duhet të ketë pragmatizëm dhe realpolitikë transaksionale, duke lënë mënjanë ideologjinë dhe fanatizmin fetar socialist. Ose nëse nuk kanë sukses në formimin e Qeverisë, duhet një qeveri e unitetit kombëtar dhe një bashkëpunim i qetësuar për dosjet e ardhshme gjeopolitike të RKS", përfundon analisti Haki Latifi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat