Sfida e formimit të Qeverisë/ Profesori përmend matematikat e koalicioneve

Politika

Sfida e formimit të Qeverisë/ Profesori përmend matematikat e koalicioneve

Nga: A.M. Më: 11 mars 2025 Në ora: 23:10
Qeveria e Kosoves

Zgjedhjet në Kosovë kanë më shumë se një muaj që kanë përfunduar. Nga këto zgjedhje, doli fituese Lëvizja Vetëvendosje, por kjo parti nuk mund ta formojë qeverinë e vetme. Kryeministri Albin Kurti, për mandatin e ri, do të duhet të bëjë një koalicion me partitë politike të tjera për të siguruar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.

Profesori Binak Maxharraj, në një bashkëbisedim për "Bota sot", ka folur për zgjedhjet në Kosovë dhe sfidat që do të hasin partitë politike në formimin e një qeverie stabile dhe funksionale.

 “Nga 9 shkurti nuk ka kaluar shumë kohë kur u mbajtën zgjedhjet për herë të parë të rregullta parlamentare. Zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme, dhe në nivelin e demokracive të avancuara, ashtu siç ishin edhe herët e tjera, kur Kosova printe në rajon për organizimin e zgjedhjeve më demokratike, pa eksese dhe dhunë, por në mënyrë të drejtë dhe të pranueshme nga palët. Po ashtu, nuk pati ndonjë vërejtje të theksuar nga monitoruesit dhe vëzhguesit, të cilët edhe kësaj here lavdëruan Kosovën, ndonëse pati ndonjë sharje ndërmjet partive politike gjatë periudhës parazgjedhore, çka mund të konsiderohet edhe e zakonshme për rrethanat e Ballkanit Perëndimor

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nëse përfshihen votat e 9 shkurtit, ato të diasporës, votat me kusht dhe të personave me aftësi të kufizuara, rezulton se LVV ka marrë gjithsej 396 mijë e 22 vota, PDK ka marrë 196 mijë e 353 vota, LDK ka marrë 171 mijë e 249 vota dhe koalicioni AAK dhe të tjerë ka marrë 66 mijë e 226 vota”, ka thënë ai.

Tutje, profesori shprehet se sipas rezultateve të zgjedhjeve, partitë duhet të formojnë qeverinë .

“Sipas këtyre rezultateve, del se asnjëra parti nuk mund të formojë qeverinë e vetme, siç ndodhi në zgjedhjet paraprake me LVV, e cila për herë të parë e çoi mandatin e saj katërvjeçar. Pra, për të shkuar përpara, partitë politike duhet të kenë mençurinë dhe forcën që, sipas rezultateve të tyre zgjedhore, të formojnë qeverinë. Kjo është në nderin e tyre, duke pasur parasysh pozitat që ua dha verdikti i popullit në zgjedhje”, ka vlërësuar ai.

Gjithashtu, profesori ka treguar se si duhet të dukej qeveria e re.

“Pra, këto rezultate janë ato që janë, një verdikt i popullit, fjala dhe besa e popullit janë të pacenuara, për të cilën nuk mund të diskutohet, por vetëm të veprohet drejtë në formimin e qeverisë së ardhshme

Por si do të dukej qeveria e re sipas këtyre zgjedhjeve? Natyrisht, sipas forcës së tyre zgjedhore, por edhe sipas matematikave dhe koalicioneve që do të formohen, duke lënë anash kryeneqësitë dhe inatet e tyre. Kjo nuk duhet të kishte vend, sepse secilës parti, populli ia caktoi vendin dhe forcën që ato kanë në formimin e qeverisë Kurti 3”, ka deklaruar Maxharraj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat