Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Mark Rutte, tha në Prishtinë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura, duke shtuar se kërkohet fleksibilitet dhe kompromise.
“Për ta lëvizur këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në përfitimet afatgjatë”, tha ai.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori Enver Bytyçi.
Ai thotë se vizita e Rutte fillimisht në Bosnjë e pastaj në Kosovë, është tregues për shqetësimin që NATO ndan për stabilitetin e këtyre dy vendeve.
Mirëpo krahas kësaj deklarate profesori ngre një diferencë me autoritetet amerikane.

“Mark Rutte është kreu i organizatës më të rëndësishme politike e ushtarake transatlantike. Është njëkohësisht një europian i bindur dhe i vendosur për sigurinë dhe stabilitetin e saj. Vizita e tij fillimisht në Bosnjë-Hercegovinë dhe më pas në Kosovë është tregues i kujdesit dhe shqetësimeve që NATO ndan për stabilitetin e këtyre dy vendeve si dhe të të gjithë rajonit. Duket qartë se ajo që thoshte para dy ditësh sekretari i Shtetit amerikan , Rubio, se “Gjëja e fundit që do të donim është krijimi i një vatre të re konflikti në Europë”, shërben si shqetësim edhe për NATO-n de Bashkimin Europian.
Por nga deklarata zotit Rutte shoh një lloj diference me atë që bëjnë autoritetet amerikane. Në Uashington nuk po flasin më për Kosovën ata që ende edhe zyrtarisht konsiderohen si kujdestarë të saj. Kanë mbyllur gojën të gjithë këta. Ndërsa presidenti Donald Trump në letrën e tij për presidenten Vjosa Osmani nuk hezitoi të fliste edhe për marrëdhënie biznesi midis Kosovës dhe SHBA-ve. Por nuk e përmendi me asnjë fjalë të vetme dialogun me Serbinë. Askush në SHBA nuk po flet për këtë dialog”, u shpreh ai.
Beogradi përmes dialogut fitoi kohë
Duke vazhduar bisedën profesori përmend dialogun e Kosovës dhe Serbisë, ku sipas tij i njejti është shfrytëzuar për të fituar kohë Serbia si maskë për qëndrime konstruktive, por që fsheh destruktivitetin serb në Kosovë.
“Çfarë duhet të mendojmë për këtë? Ndoshta nuk është definuar ende një përcaktim i qartë amerikan rreth kësaj çeshtjeje. Por ka shumë mundësi gjithashtu që zgjidhja e problemit të shtetësisë së njohur ndërkombëtarisht të arrihet me metoda të tjera, jashtë dialogut. E vërteta është se dialogu, i cili vazhdon prej 14 vitesh vetëm se ka përkeqësuar shumë prej aspekteve të sigurisë midis Kosovës dhe Serbisë. Është përdorur nga Beogradi për të fituar kohë dhe njëkohësisht si maskë për qëndrime konstruktive, por që fsheh destruktivitetin serb në Kosovë. Çdo gjë ka fillimin dhe fundin e vet. Edhe dialogu, si proces, duhej të kishte tashmë fundin e vet, siç kishte fillimin e pamerituar e të pamenduar mirë më 2011-ën.
Megjithatë europianët ende e theksojnë me të madhe çeshtjen e dialogut Kosovë-Serbi. Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s gjatë vizitës së të martës në Prishtinë kërkoi vazhdimin e dialogut. Madje foli edhe për kompromise, me qëllim që ketë dy vende të shohin më larg. Por ne nuk e dimë ende, madje as zoti Rutte nuk është i sigurt, se çfarë të ardhme ka zgjedhur Serbia. Gjasat janë se Serbia nuk e dëshiron të ardhmen që sugjerojnë europianët e që do ta donim edhe ne ballkanasit. Pra nuk e do orientimin euro-atlantik. Ky është shkaku pse liderishipi serb, presidenti Vuçiq, nuk duan as dialog, as marrëveshje, as zgjeidhje”, vazhdon shpjegimin profesori.
Dialogu ka dështuar
Tutje Bytyçi përmend qëllimet që Beogradi dhe Rusia kanë duke i vënë theks dialogut i cili ka dështuar për shkak të Serbisë.
Gjithashtu ai thotë që kërkesa për të vazhduar një dialog të dështuar plotësisht e në të gjitha aspektet e veta është tallje me Kosovën.
“Shihni çfarë po ndodhë në Bosnjë-Hercegovinë. Gjithçka që ndodh atje ka mbështetjen e plotë të Serbisë dhe të presidentit të saj Aleksandër Vuçiq. Ashtu si edhe të Vladimir Putin. Por qëllimet nuk janë të njëjta si të Serbisë, edhe të Rusisë. Beogradi kërkon të krijojë Serbinë e Madhe. Rusia dëshiron që ta shfrytëzojë situatën në Ballkan, sidomos në Serbi, Republikë Srpska dhe në Kosovë për përfitime gjeopolitike dhe zgjerimin e influencës së saj në Europën Lindore dhe Juglindore. Atëherë çfarë mund të bëjë Kosova në këtë dialog? A mundet që ajo ta luajë një Tangi e vetme? E pamundur. Prandaj dhe unë nuk i besoj dialogut. Mark Rutte e përsëriti këshillën e tij si të ishte kryeministër i Holandës, por edhe ai e di se ky dialog është tashmë i dështuar. Në vend që të kërkohen rrugë alternative për ta përmbyllur shtetësinë, akoma vazhdojnë të mbështesin një proces që ka dështuar me shumë sukses! Jo për fajin e Kosovës, por për fajin e Serbisë dhe këtë sapo e ka konfirmuar Brukseli.
Natyrisht që formalisht autoritetet e Prishtinës mund dhe duhet të flasin për dialogun, sepse nuk ka pse t’i kundërvihemi Bashkimit Europian. Nganjëherë nuk ia vlen t’ua thuash të vërtetën as atyre që na duan, as atyre që hiqen sikur na duan. Thjesht nuk ka vlerë, sepse janë të opsesionuar pas një “kali të ngordhur”! Dialogu për mua tashmë është “kali i ngordhur” që na e la si “Kalë Troje” Barak Obama në vitin 2011. Qëllimisht që të devijonte politikën amerikane dhe europiane rreth Kosovës. Kërkesa për të vazhduar një dialog të dështuar plotësisht e në të gjitha aspektet e veta është tallje me Kosovën”, foli profesori.
Në fund, ai nënvizon bashkëbisedimin duke i përmendur lëshimet e vazhdueshme të dialogut Kosovë-Serbi.
“Njëherë thanë jepni më shumë të drejta serbëve. Ua dhamë, me kushtezutë madje. Edhe vetë kushtetutën nuk e ndryshojmë dot pa votën e serbëve. Njësoj si në Bosnjë-Hercegovinë. Pastaj thanë ndajeni Kosovën dhe Vuçiq, së bashku me Edi Ramën dhe Hashim Thaçin gati sa nuk ia arritën ta realizojnë këtë dramë kombëtare për Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët. Serbia do të kishte marrë pasuritë më të çmuara të Ballkanit, të cilat gjenden në veri të Kosovës. Pastaj thanë “hyni në Open Balkan”, dmth futuni nën Jugosllavinë e Re kësaj radhe të projektuar në Nosvi Sad sërishmi prej Vuçiq, Edi Ramës dhe Zoran Zaev. Hyrja e Kosovës në Open Balkan do realizohej si “pjesë integrale e Serbisë”!
Këto ishin devijacionet e vazhdueshme të dialogut Kosvë-Serbi. Këto deviacione nuk duhet të përsëriten e të vazhdojnë pa limit. Për këtë përgjegjëse nuk është Kosova, por është Serbia”, përfundoi profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”.