Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, po kritikon ashpër institucionet e Kosovës, për të cilat thotë se kanë qëndruar duarkryq sa i përket lobimit në SHBA, duke i dhënë kështu një avantazh Serbisë që ta bëjë një gjë të tillë.
“Mjerisht pak para se presidenti Trump, të rikthehej në krye të SHBA-ve, Kosova ka mbetur pa asnjë kontratë lobimi në SHBA, dhe nga atëherë e deri më tani, gjendja mbetet e njëjtë, i vetmi komunikim ndërshtetror, i publikuar në media, i presidentit të SHBA-ve Donald Trump, me udhëheqjen zyrtare, gjegjësisht me presidenten e Kosovës, mbetet letra e urimit të z. Trump, dërguar presidentes së vendit, me rastin e 17 vjetorit të pavarësisë, gjë që shpreh më së miri, mjerimin e thellë të komunikimit zyrtar të Republikës së Kosovës me udhëheqjen e re të SHBA-ve”, thotë Qarri.
Siç thotë ai, Serbia po vazhdon ta fuqizojë lobimin e saj në SHBA, duke e shfrytëzuar mos prezencën e Kosovës.

“Në fakt Kosova në të kaluarën, apo të paktën që nga viti 1992, zyrtarisht ka pasur në vijimësi, kompani të kontraktuara lobimi, në SHBA, për mbrojtjen e interesave tona dhe shtyrjen përpara të agjendës shtetërore të vendit tonë, në këtë vend të madh mik, me një rreze të gjerë veprimi dhe ndikimi shumëdimensional kudo dhe gjithandej nëpër botë. Ndaj kjo është hera e parë, nga viti 1992, që Kosova, nuk ka asnjë lobues të kontraktuar në SHBA, derisa Serbia jo vetëm që kishte edhe në të kaluarën, por vazhdon të fuqizojë dhe zgjerojë edhe më tepër prezencën e saj lobuese, të paktën përmes pesë kontratave të lobimit në Uashington dhe SHBA. Madje habit shumë fakti se si marrëveshjet e më parme të lobimit në SHBA, kanë skaduar, vetëm pak para ndryshimeve më të reja në SHBA dhe ardhjes së z. Donald Trump në krye të administratës dhe pushtetit në Amerikë, gjë që duke pasur parasysh rastin kaq delikat dhe paparashikueshmërinë e veprimeve të z. Trump, një neglizhencë e tillë, e shtetit të Kosovës, është vërtetë tërësisht e pafalshme”, shprehet Qarri.
Më tej, Qarri thekson se është për tu çuditur nga neglizhenca e faktorit politik në Kosovë për mos lobimin në SHBA, marr parasysh se tani shteti i Kosovës nuk ka asnjë kontratë lobimi.
“Në Kosovë, sikur është krijuar bindja, se SHBA dhe faktori politik ndërkombëtar, nuk kanë asnjë punë tjetër dhe i vetmi problem e preokupim me prioritet për ta, mbetet Kosova, ndaj dhe duket se nga Qeveria aktuale, presin që administrata amerikane, apo vet presidenti Trump t`i drejtohet Kosovës përmes ndonjë lutje me shkrim, që ajo ta ripërtërijë apo krijojë marrëveshje të re me ndonjë kontraktor për lobim në SHBA, derisa Serbia vazhdon aktivitetin e saj propagandues, të paktën me pesë kontraktor lobues, kundër Kosovës, në zemër të SHBA-ve”.
“ShBA nuk janë më ai vendi i dikurshëm, i njohur për vullnetin e mirë, ndaj nesh dhe vendeve tjera në nevojë, madje veçanërisht pas rikthimit të Donald Trumpit në postin e presidentit, SHBA janë shndërruar në arenën kryesore të fushëbetejës së paparë për influencë, ku nuk është më vetëm aftësia diplomatike, të cilën Kosova edhe ashtu e ka si mos më keq, por lobimi, dhe lufta për partneritetet strategjik, janë shndërruar në përcaktuesit kryesor, se kush do ta gëzoj mbështetjen e administratës Trump, e cila mbi të gjitha ka vendosur interesin e SHBA-ve”, shpjegon Qarri.
Ai thotë se Kosova ka treguar një efikasitet jo të mirë në politiken e jashtme, gjë për të cilën mund të ketë edhe pasoja.
“Ndaj në momentet kaq të paqarta kur me veprimet e paprecedent të z. Donald Trump, tensionet politike dhe ekonomike ndërmjet SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, sa vijnë e acarohen dhe përçarjet transatlantike gjithandej, në botë, çdo ditë e më tepër, po përshkallëzohen, Kosova nuk është "superfuqi" e cila e vetmja në mbarë globin, mund t`ia dalë duke u mbështetur vetëm në përfaqësitë e saj shtetërore dhe diplomacinë aspak të zhdërvjelltë e tërësisht të stërlodhtë, që përgjatë gjithë kohës, ka treguar joefikasitet të pashembullt dhe është dikasteri më i dobët, i të gjitha kohëve”, deklaron Qarri.
Sipas tij, Kosova urgjentisht duhet ta ndërrojë qasjen ndaj lobimit në SHBA.
“Kosova, jo vetëm se është e rrezikuar, por me mosveprimet e saj të habitshme dhe neglizhencën e pafalshme, sikur po dëshmon publikisht, se edhe i ka shumë për "qejfi" aktivitetet lobuese të Serbisë, përveç Rusisë e vendeve më të fuqishme evropiane dhe botërore, edhe në vet SHBA-në, kundër Kosovës. Kosova duhet urgjentisht ta ndryshojë këtë qasje kaq jopragmatike dhe pothuajse tërësisht të painteresuar e nënçmuese, derisa vendet tjera, shumë më të fuqishme, veçanërisht pas zhvillimeve më të reja në SHBA, janë shumë më aktive, veprojnë me strategji të përsosur dhe tregohen pothuajse edhe agresive në përpunimin dhe përshtatjen e angazhimeve konform qëndrimeve të Trumpit. Ndaj dhe kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht ta plotësoj diplomacinë e varfër të Kosovës, me profesionist të dëshmuar dhe ndryshojë qasjen e deritanishme të pa efektshme e shumë neglizhente diplomatike”, thekson analisti Qarri.
Me qasjen dhe diplomacinë e deritashme, Kosova po rrezikon që të mbetet prapa Serbisë, andaj ky është momenti i fundit për ndryshim.
“Përndryshe me një diplomaci kaq të dobët e krejt amorfe, Kosova po rrezikon me vetëdije, të lihet tërësisht pas dore nga SHBA dhe të mënjanohet e të mos jetë fare pjesëmarrëse as partnere e zhvillimeve aktuale politike, jo vetëm në arenën ndërkombëtare, por edhe në politikën rajonale, duke ia lënë në dorë vullnetarisht avantazhin Aleksandër Vuçiqit, që ai, jo vetëm të luaj me fatin tonë, por Serbia edhe të rindërmarrë veprime nga më agresivet, sipas dëshirave dhe orekseve të saj kriminale e hegjemoniste kundër Republikës së Kosovës. Ky është momenti i fundit, që Kosova si shtet i pavarur, të shkundet përfundimisht nga gjumi dimëror, e ta riaktivizojë administratën e stërlodhtë shtetërore dhe Ministrinë gati inekzistente të Punëve të jashtme, që të angazhohen të paktën minimalisht, për Kosovën, qoftë edhe për ti arsyetuar rrogat e majme, që marrin pothuajse kot dhe pa treguar asnjë rezultat, nga tatimpaguesit e këtij vendi”.
“Dhe derisa Serbia ka pesë kontrata me firma amerikane të lobimit, që nga lobimet politike deri te ato ekonomike, përfshirë edhe lobime kundër sanksioneve të SHBA-ve ndaj sektorit të energjisë dhe firmave ruse të naftës në Serbi, kurse e ashtuquajtura Republika Srpska në Bosnje, ka rrafsh gjashtë kontrata lobimi, është turp dhe mangësi e pafalshme për Kosovën, si shtet i pavarur, të mos ketë asnjë kontraktor lobimi në SHBA, pas ardhjes së Donald Trumpit në krye të SHBA-ve.Kosova o duhet ti ripërtërijë urgjentisht marrëveshjet e skaduara, ose të aranzhojnë marrëveshje të reja me kontraktor të rinj, për lobim në SHBA, derisa dihet mirëfilli nga të gjithë, se lobimi në SHBA, si vendi më i fuqishëm dhe miku më i madh i vendit tonë, është primar dhe i pazëvendësueshëm. Lëvizjet e Kosovës me hapa të breshkës, në këtë drejtim, vërtetë janë për turp dhe çdo kritikë sa më të ashpër, e kjo gjendje, duhet medoemos të ndryshojnë urgjentisht, duke angazhuar diplomat të dëshmuar dhe politikan profesionist, e jo si deri më tani, njerëz të paaftë, pa asnjë fije elani, as vullnet për punë e veprim, për shtetin i cili i paguan rrastë dhe nuk janë aty duke qëndruar "angarie", as pa kompensim, madje marrin edhe rroga të majme, të cilat po shihet botërisht, se si pozitat e falura, as rrogat mbiproporcionale, nuk i meritojnë fare”, përfundon analisti politik, Gani Qarri.