Zgjedhjet e fundit parlamentare kanë zbuluar tashmë qartë se ku qëndrojnë partitë politike në vend.
Sondazhe e anketa të ndryshme deri para zgjedhjeve, tregonin rezultate të ndryshme për secilën parti, megjithatë rezultatet e KQZ-së treguan se si qëndrojnë këto parti para qytetarëve.
Lidhja Demokratike e Kosovës, ngjashëm sikurse partitë tjera u bë shumë e zëshme gjatë fushatës elektorale dhe pritjet e zyrtarëve të saj për rezultatet zgjedhore dukeshin shumë të larta. Ndonëse synonin më lartë, kjo parti u rendit në vendin e tretë, me një përqindje jo të kënaqshme.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, i zhgënjyer pranoi rezultatin humbës. Mirëpo e ritheksoi disa herë se nuk do të jetë pjesë e qeverisë, në një koalicion me partinë fituese, Lëvizjen Vetëvendosje.
Abdixhiku gjatë mbledhjes së fundit të kryesisë së LDK-së, e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me VV-në.
“Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta. Ky ishte qëndrimi ynë paraelektoral dhe mbetet i njëjtë”, ka thënë Abdixhiku.
Megjithatë, ai ka përjashtuar edhe mundësinë e koalicionit me partitë e tjera opozitare nëse LDK-së nuk i ofrohet posti i kryeministrit.
Kjo parti duket se nuk ka ‘paqe’ as ndërmjet zyrtarëve të saj. Kjo ‘luftë speciale’ duket se nisi që nga zgjedhjet, publikimi i rezultateve e po vazhdon tani me kërkesat për rinumërimin e votave. Kështu, disa prej deputetëve të legjislaturës së kaluar nga radhët e LDK-së po kërkojnë edhe rinumërim të votave.
Kështu, kandidatja për deputete nga LDK, Rrezarta Krasniqi ka akuzuar se ka pasur keqpërdorimin e votave në disa qendra.
“Fatkeqësisht, duke qenë pjesë e këtij procesi, kam pësuar edhe dëmtime personale, pasi ky angazhim ka sjellë pasiguri dhe presione të ndryshme. Reagimi im për parregullsi ka nisur me 16 shkurt kur ankesën për hapjen e kutive kam dërguar në PZAP, kjo nënkupton qartë se nuk ka të bëj asgjë personale por me fenomenin të cilin e kemi kuptuar që në ditën e dytë të procesit të numërimit dhe jo vetëm për mua si kandidate, por ka një numër të madh të kandidatëve që kanë mospërputhje në kuti të votimit karshi atyre që i kanë futur në sistem”, ka thënë ajo.
Ky rinumërim i votave pas urdhrit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tregoi ndryshime votash tek 92 kandidatë të kësaj partie për deputet.
Pra, a po rrëshqet kjo parti drejt përçarjes së thellë, a ka ndasi mes Abdixhikut dhe prurjeve të reja në njërën anë dhe klasës së vjetër të kësaj partie në anën tjetër?
Mehmeti: Po shihet se klani Isës ka ngritur kokën, janë të rebeluar që po mbesin disa jashtë kuvendit
Lidhur me këtë çështje kanë folur për ‘Bota sot’ njohësit e çështjeve politike. Kështu, Faton Mehmeti njohës i politikës, thekson se, në LDK ka pakënaqësi dhe gabimi qëndron tek kryetari i saj, i cili ka bërë pjesë të strukturave njerëz të ‘regjimit të Isa Mustafës’.
“Sigurisht se ka pakënaqësi të thella brenda LDK-së, dhe kjo gjë është evidente. Besoj se kryetari Abdixhiku ka gabuar duke bërë pjesë të strukturave në kryesi njerëz të regjimit të Isa Mustafës që gjë i ka kushtuar shumë në zgjedhjet e kaluara. Kjo gjë po vazhdon ende t'i kushtojë dhe për më tepër që brenda klanit të Isës ka bërë dallime, disa i ka favorizuar e disa jo dhe ata që sjanë përfillur sa duhet po ngrehin kokën tani. Ka favorizime brenda LDK dhe jo një linjë të drejtë për tq qenë të njëjtë me të gjithë, fatkeqësisht kjo gjë po i kushton shumë z. Abdixhiku”, vlerëson Mehmeti.

Ai rithekson se klani i Isa Mustafës është ‘rebeluar’ pasi nuk do të jetë jashtë Kuvendit, ndërsa ata që kanë shkatërruar këtë parti si Lutfi Haziri vazhdojnë të jenë në krye të LDK-së.
“Ky është vetëm fillimi me një pjesë të madhe të atyre që nuk janë zgjedhur deputetë e që mund të largohen nga partia. Edhe formula për të votuar deri në 10 kandidatë ka krijuar pakënaqësi të madhe, me shumë mundësi janë bërë vjedhje brenda partive të kandidatëve për deputetë, e në këtë rast brenda LDK. Gjithsesi, po shihet se klani Isës ka ngrit kokën, janë të rrebeluar që po mbesin disa jashtë kuvendit. Fatkeqësisht disa që e kanë shkatërruar LDK, si Lutfi Haziri janë në krye të partisë”, vlerëson ai.
Duhanaj: Nuk duhet mënjanuar aspektin e keqpërdorimit brenda llojit
Po ashtu, edhe analisti politike, Leon Duhanaj thekson se, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku do ta ketë të vështirë t’I menaxhoj pakënaqësitë që janë krijuar brenda kësaj partie.
“Për aq sa duket nga disa publikime nëpër media, ka thënë së paku hatër mbetje në kuadër të strukturave të LDK-së. Nga njëra anë, mund të jenë edhe normale, pasi që pas çdo procesi zgjedhor, ku në listën garuese janë të përfshirë 110 kandidat, ku në rastin konkret suksesshëm kanë kaluar vetëm 20, ka zhgënjim tek pjesa tjetër. Megjithatë nuk duhet mënjanuar aspektin e keqpërdorimit brenda llojit”, vlerëson Duhanaj.

Ai thotë se, nuk do të ishte hera e parë, ku kanë ndodhur avancime në bazë të preferencave të liderëve, apo njerëzve kryesor në subjekt.
“Në LDK, ka një dukje nga jashtë, që z. Abdixhiku, përveç se ka një tendencë dhe dozë të populizmit, i ka shkuar për dore, që gradualisht të ofrojë njerëz të rinj, të cilët e ka me të lehtë t'i menaxhoj, duke lënë pas dore njerëz të dëshmuar siç ishte rasti i z. Agim Veliu. Tani, me që mbeten jashtë Kuvendit edhe figura si Arben Gashi, e të tjerë, mund të ndodhë që brenda LDK-së të shfaqen pakënaqësi të theksuara. Se a do të arrijë z. Abdixhiku vetëm t'i menaxhoj, kjo mbetet për t'u parë, por që do ta ketë të vështirë, padyshim”, thotë Duhanaj për ‘Bota sot’.