Kosova e ‘kërcënuar’ nga spiunazhi, rastet e fundit alarm për sigurinë kombëtare!

Politika

Kosova e ‘kërcënuar’ nga spiunazhi, rastet e fundit alarm për sigurinë kombëtare!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 12 mars 2025 Në ora: 15:57
Foto ilustrim

Çështja e spiunazhit në Kosovë, ka marrë vëmendje të shtuar kohët e fundit.

Kjo pasi, vetëm pak ditë pas ngritjes së aktakuzës për spiunazh ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, në “llupën” e Prokurorisë Speciale, doli të jetë edhe Jelena Gjukanoviq.

Madje, kjo e fundit ishte punonjëse e OSBE-së, e që e cila po dyshohet se shërbeu si informatore e BIA-s serbe.

Në lidhje me këto dyshime, ndaj saj u kryen hetime për një periudhë kohore, derisa u arrestua dhe u la në paraburgim për një muaj.

Rastet e tilla të dyshimeve të spiunazhit, duken mjaft shqetësuese dhe alarmante për sigurinë e shtetit tonë.

Mirëpo, se si duhet të veprojnë institucionet e Kosovës në raport me këto raste dhe sa janë të rrezikshme spiunazhet, folën ekspertët e sigurisë.

Shala: Çështja e spiunazhit është një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare

Image
Drizan Shala

 

Së pari, në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Së pari, ai potencoi faktin se spiunazhi është një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe një fenomen mjaft shqetësues.

“Çështja e spiunazhit është një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare të çdo vendi, dhe në rastin e Kosovës, një fenomen i tillë është veçanërisht shqetësues, duke pasur parasysh kontekstin historik dhe tensionet e vazhdueshme me Serbinë. Nëse këto akuza rezultojnë të vërteta, ato konfirmojnë se institucionet e sigurisë duhet të jenë edhe më vigjilente ndaj kërcënimeve hibride që vijnë nga aktorë të jashtëm”, tha ai.

Po ashtu, Shala shpreh shqetësimin për praninë e personave të dyshuar për spiunazh në institucione ndërkombëtare, siç është OSBE.

“Ky zhvillim nënkupton se Kosova mund të jetë një terren i shënjestruar për operacione të inteligjencës së huaj, veçanërisht në një moment kur vendi po konsolidon pozicionin e tij ndërkombëtar. Prania e individëve të dyshuar për spiunazh në institucione ndërkombëtare si OSBE mund të krijojë sfida të mëdha për sigurinë e brendshme, por edhe për besueshmërinë e misioneve ndërkombëtare në Kosovë”.

Ndër të tjera, eksperti kërkoi veprime të shpejta dhe të koordinuara nga ana e institucioneve të vendit.

“Nëse Kosova bëhet një fushë loje për shërbimet e inteligjencës së huaj, kjo mund të ndikojë në stabilitetin politik, marrëdhëniet diplomatike dhe madje edhe në procesin e njohjeve ndërkombëtare. Prandaj, veprimet e institucioneve duhet të jenë të shpejta dhe të mirë koordinuara siç po ndodhin ne keto dy raste”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”

Elezi: Kosova terren interesant për shërbimet e huaja sekrete

Image
Bedri Elezi

Kurse, eksperti tjetër i sigurisë, Bedri Elezi tha se aktakuzat e ngritura së fundi në lidhje me spiunazh, po tregojnë se Kosova është një vend interesant për shërbimet e huaja sekrete.

Ngritja e aktakuzës kundrejt dy qytetarëve të komunitetit shqiptar, Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, si dhe arrestimi i Jelena Gjukanoviq për veprën penale të spiunazhit, Kosovën e bëjnë një vend, terren interesant për shërbimet e huaja sekrete e sidomos shërbimeve të cilat janë armike ndaj Republikës së Kosovës, e në rastin konkret BIA serbe”.

Po ashtu, Elezi në një bashkëbisedim me “Bota sot” bëri dallimin mes aktakuzave të Shabanit e Qerimit me atë ndaj Gjokanoviqit, pasi më të rrezikshëm dhe serioz e cilësoi rastin e kësaj të fundit.

“Arrestimi dhe më pas ngritja e aktakuzës për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, mund të themi se nuk ishin mjaft shqetësuese, për faktin se dy persona kishin bartur pozicione të rëndësishme në Policinë e Kosovës dhe Doganën e Kosovës, por që të njëjtët nuk janë zyrtarë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe nuk do të thotë se do të kishin një mundësi serioze për të arritur deri tek informacionet për të cilat do të ishte në interes BIA apo shërbimet tjera sekrete.

Ndërsa, rasti i Jelena Gjokanoviq mendoj se është rast serioz dhe përbën një shqetësim sa i përket cenimit të sigurisë kombëtare. Ngase, në këtë rast, Gjokonaviq dëshmohet se ka punuar në OSCE me çka nënkupton se ka pasur mundësi që përmes pozitës së saj zyrtare të depërtojë në institucione të caktuar apo edhe në grupe të komuniteteve të ndryshme për të arritur të sigurojë informacione të cilat do të ishin në dobi të shërbimeve sekrete të huaja dhe të cilat do të do cenonin sigurinë e Kosovës”, shpjegoi ai.

Në fund, eksperti shtoi se duhet të hetohet se nga kush kanë marrë urdhëra, pasi tre të dyshuarit nuk kanë mundur të veprojnë vetëm, sigurisht që kanë pasur udhëheqës apo grupe bashkëpunuese.

“Në fakt edhe përkundër faktit që tani Kosova po konsiderohet një terren i rëndësishëm i veprave së spiunazhit, nuk ka pasur veprime konkrete të tjera për të parë nëse Bedri Shabani ma Muharrem Qerimi kanë komunikuar me persona të tjerë brenda institucioneve të Republikës së Kosovës për të siguruar informacione të të rëndësishme, të cilat do të cenonin në sigurinë kombëtare apo për të arrestuar udhëheqësit e tyre, personat nga të cilët i kanë marrë në posedim informacionet në mënyra të ndryshme ose edhe arrestimi i bashkëpunëtorëve të tyre.

Po ashtu mund të themi edhe për Jelena Gjokoviq, që cila në rast se ka kry veprën e spiunazhit, ajo nuk mund nuk ketë mundur që ta kryejë e vetme këtë vepër, por se ka bashkëpunuar me persona apo grupe të cilët duhet të jenë minimalisht nën llupën e organeve të sigurisë, pse jo edhe të arrestoheshin e sidomos do të thotë udhëheqësit e tyre, ata që dhanë detyra për të kryer këto veprime”, përmbylli Bedri Elezi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat