Certifikimi i Listës serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit, zbërthehen arsyet pse Kurti fajësoi opozitën

Politika

Certifikimi i Listës serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit, zbërthehen arsyet pse Kurti fajësoi opozitën

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 mars 2025 Në ora: 18:00
Albin Kurti

 

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit. Por, në këto zgjedhje ka pasur edhe ‘ndërhyrje’ nga jashtë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është ndërhyrje në sovranitet dhe demokraci të vendit.

Përkundër kësaj ndërhyrjeje, Kurti tha se “rreth 20% e votuesve serbë kanë votuar parti tjera nga Lista Serbe”.

Tutje, ai tha se Lista Serbe nuk do të duhej fare të certifikohej për këto zgjedhje, duke akuzuar partitë opozitare.

 “Tash ka qenë koha që Lista Serbe ta marrë mësimin duke mos e leju certifikimin e saj. Por i shihni çfarë partish opozitare i kemi, fatkeqësisht. As për këtë gjë nuk kanë mundur të mbajnë qëndrim parimor.” – tha Kurti.

Gashi: Opozita nuk bëri kuorumin për të mos u certifikuar Lista Serbe

Avokati Tomë Gashi, në një përgjigje të shkurt për “Bota sot”, ka thënë se opozita ishte ajo që nuk bëri kuorumin për mos certifikimin e Listës Serbe.

Image
Tomë Gashi

“Faji i opozitës rrjedh nga mos-bërja e kuorumit në KQZ që të mos certifikohet lista e Vuçiqit që quhet Lista Serbe”, thotë ai.

Burjani: Dikush pro listës për certifikim dikush kundër, kjo nuk ec

Njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani shprehet se Kurti po të kishte pasur guxim do të kishte mundur ta shpallte Listën Serbe organizatë terroriste, pastaj të faktonte arsyet pse e ka bërë këtë.

Sipas Burjanit, opozita nuk kishte bazë ligjore të dalë kundër certifikimit të kësaj liste.

Image
Blerim Burjani

Është akuzë e paarsyeshme në aspektin legal. Ajo çështje nuk ishte politike, thjesht çështje ligji. Po të kishte pas guxim politik Kurti ka mundur ta shpallë këtë listë serbe terroriste, përmes MPB-së, e cila do ta hartonte një raporti të gjerë për këtë parti, duke faktuar pse duhet shpallë një parti të tillë terroriste. Por, ai nuk e bëri këtë akt, pastaj opozita nuk kishte bazë ligjore të dalë kundër certifikimit të kësaj liste. Pra, mungojnë faktet për moscertifikim, kështu pa asnjë arsye, pa asnjë raport të Ministrisë së Punëve të Brendshme, asgjë nuk mundesh të bësh pa fakte te mbledhura, pra, është pamundësuar, unë e kuptoj këtë si lojë politike të tij me opozitën.

Pra, dikush pro listës për certifikim dikush kundër, kjo nuk ec”, përfundon ai për “Bota sot”.

Kujtojmë, se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 23 dhjetor 2024 nuk e certifikoi Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Përfaqësues të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), dolën kundër certifikimit të kësaj partie - e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - duke përmendur që kjo parti nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe atij nuk i referohet me emrin zyrtar, por si "Kosova dhe Metohia".

Por, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat