Bashkimi i LDK-së me PAN-in: Zeqiraj parashikon pasojat për Kosovën

Politika

Bashkimi i LDK-së me PAN-in: Zeqiraj parashikon pasojat për Kosovën

Nga: A.M. Më: 12 mars 2025 Në ora: 21:50
Idriz Zeqiraj

Ende nuk janë certifikuar zgjedhjet e shkurtit. Përkundër kësaj, rezultati i deri më tanishëm ka lënë hapësirë që të diskutohet se kush dhe si do ta formojë Qeverinë e re të Kosovës.

 Ajo që dihet deri më tani është se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat për ta formuar e vetme Qeverinë.

Opinionisti Idriz Zeqiraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka treguar se çfarë do të ndodhte në rast se Lëvizja Vetëvendosje dështon ta formojë Qeverinë.

"Shifrat flasin se LVV fitoi shumë, por jo mjaftueshëm, sa për ta kompozuar Qeverinë e vetme. Koha ka dëshmuar që qeveritë e arnuara, me huazime brenda spektrit  politik të Kosovës e deri në Beograd, p.sh. Qeverinë e Ramush Haradinaj e Avdullah Hotit, kanë qenë jetëshkurtëra. Kjo përvojë është e mjaftueshme, sa të mos provuar më.

Përpjekja e Opozitës së Bashkuar, për ta krijuar qeverinë, nëse partia e parë fituese, Vetëvendosje dështon, ka disa pengesa hiç të lehta për t`i tejkaluar.  Sepse fituesja e parë, LVV, ka vota sa e gjithë kjo opozitë, ndoshta "e bashkuar"? Themi -ndoshta-, sepse LDK-ja e prirë me urtësi e mençuri nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, realizoi mbijetesën ekonomike të Kosovës, përmes Fondit Shtetëror të Mërgatës; e bëri rezistencën aktive paqësore dhe përballoi luftën, në përmasën e bindjes të faktorit politik e ushtarak të botës demokratike, të udhëhequr nga Amerika, për të ndërhyrë forcërisht e ushtarakisht, duke çliruar Kosovën tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, LDK nuk 'guxon të bëjë fajësinë', duke u bashkuar me opozitën PAN-iste

“Andaj, një forcë politike shtetformuese, siç është LDK-ja, para pushtetit, ka përgjegjësinë për Atdheun-Kosovë. Dhe nuk guxon të bëjë fajësi, duke u bashkuar me opozitën PAN-iste, e cila përgjatë gjithë mandatit qeverisës 4 vjeçar të LVV, ishte me Beogradin zyrtar, kundër çdo nisme sovraniste në veriun e Kosovës. Si dhe mohuese e bërjes të ndryshimit të madh, në politikën e degraduar, deri në degjenerim të shtetit të Kosovës, me autorësi Lëvizja Vetëvendosje, e prirë nga Albin Kurti; subjekti Guxo, me nuset e gximshme, Vjosë Osmani, Donikë Gërvalla, kolegu i tyre, Faton Peci; Alternativa, me bijën mençurake të Gjakovës, Mimozë Kusari-Lila, qëndrestare unike, përballë bandës PAN-iste, bashkë kontrabanduese me Listën Serbe dhe shumësinë të anal-banalistëve numerikë të medieve mercenare të Kosovës”, ka theksuar ai.

Tutje, ai ka treguar se cili mund të jetë plani B i PAN-it.

“Plani B i opozitës PAN-iste është bojkoti i koalicionit me subjektin politik LVV, me arsyetimin se Albin Kurti ka fyer popullin, duke e quajtur -hajvan- dhe "hajvanat-!" Ky përgjithësim është dizinfomim dhe qëllimshëm shpifës. Realisht, me termin -hajvan- Albini u drejtohet trojkës mashtruese e gënjeshtare të popullit të Kosovës: Bedri Hamzës, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, të njohur si abuzues e shpërdorues me buxhetin shtetëror, përgjatë ushtrimit të posteve pushtetare vite më parë, se, gjoja, "do t`i rrisim rrogat dhe pensionet në përmasën dfyfish e trefish, pa treguar asnjë mbulesë financiare. Dhe, ky mashtrim përbën krim dhe rrugaçëri - njëherësh, sepse rrënon barazinë në fushatë! Ndërsa shprehja "ka ikur koha e -hajvanatit-, është kundërpërgjigje e asaj se me premtimet paushalle, idioteske, që krerët e opozitës bëjnë, e konsiderojnë popullin  si -hajvanat-, pa qenë të tillë, nuk mund t`u besojnë prrallave premtuese të tyre. Dhe, ashtu ndodhi, opozita humbi, sepse "ka ikur koha e -hajvanatit-!

Përgjithësimi që provojnë ta bëjnë krerët opozitarë PAN-istë, ngjason me mashtrimin dhe shpifjen groteske, se "në Hagë po gjykohet UÇK-ja, po gjykohet Kosova dhe të akuzuarit po e mbrojnë, madje heroikisht, UÇK-në dhe Kosovën"!?!" Këto janë marrëzira idioteske, të cilat nuk i beson askush. Sepse, në asnjë rast nuk akuzohet, për 4 vjet radhazi, as UÇK-ja dhe as Kosova. Dhe, këtë e kanë bërë të qartë, me se një herë, prokurorët dhe gjyqtarët e Gjykatës Speciale të Kosovës, me seli në Hagë. Pra, akuzat janë tërësisht personale, me emër e mbiemër, madje duke i lakuar edhe shumë shokë të tyre si vrasës. Dhe, megjithatë, ende vazhdojnë të jenë të lirë!?”, ka deklaruar Zeqiraj.

Gjithashtu, ai i ka këshilluar Lëvizjen Vetëvendosje se çfarë duhet të bëjë për zhvillimin e negociatave për formimin e Qeverisë së re.

“Është e kuptueshme se LVV, për zhvillimin e negociatave për koalicionin e mundshëm të ardhshëm, "duhet të mas 7 herë dhe të prejë një herë"- siç shprehet populli, për vendime të vështira. Është thënë dhe përsëritur, se skenën politike të Kosovës e kanë kontaminuar, helmuar agjentët shqipfolës të Shërbimeve Informative të shteteve armike të Kosovës. Kjo e vërtetë është konfirmuar nga shefat e këtyre Shërbimeve. Njëri syresh është kreu i Shërbimit sekret francez, DGSE, Pierre Siramy.

Jo Albin Kurti, por, pikërisht, krerët -hajvana- të PAN-it, janë ata që e konsiderojnë popullin -hajvanat-, deri sa lëshojnë, në etër dhe në letër, gënjeshtra e mashtrime groteske, siç janë ngritja e shumëzuar e pagave dhe e pensioneve. Ata bëjnë këtë propagandë boshe e marroqe, sepse, me të bëmat e tyre kriminale, e dinë që nuk do ta arrijnë pushtetin. Megjithatë, kjo është e dënueshme moralisht, e turpshme dhe me dozë të madhe rrugaçërie.

Duke dëgjuar këto marrëzira të opozitës dhe të lakejve të saj anal-banalistë, djali i zgjuar i Malësisë të Gjakovës, Kujtim Lushaj, zemër-plasur, i quan "llapaqena" e "Beogradski bandita", të cilët përçojnë politikën serbo-madhe në Kosovë, duke u rrjeshtuar hapur përkrah Serbisë.

Opozita i bie teneqës së shpuar, se Albin Kurti dhe LVV e tij, "ka mashtruar dhe hipnotizuar popullin, elektoratin, për ta marrë votën e tyre!" Ta zëmë, u mashtruan populli dhe elektorati, më 14 shkurt 2021, por, pse duhet të mashtrohen edhe më 9 shkurt 2025, për ta bërë fituese bindëse, sërishmi, Lëvizjen Vetëvendosje?! Realisht, opozita u vetëmashtrua, sepse u sugjeroi shpifjen dizinformuese analistëve llapaqenër dhe tani po e beson edhe vetë opozita e çoroditur, humbëse e përsëritur. Këtë e demanton vota cilësore e masive e intelektualëve dhe e rinisë së shkolluar të Kosovës”, ka thënë Zeqiraj.

Më tej, ai nuk i ka kursyer akuzat ndaj opozitës, duke përmendur edhe rastin e draft-statutit për Asociacionin

“Këta votues janë në hall të madh me opozitën destruktive, korruptive, e cila me pazaret e saj të pista, ka tkurrur territorin e Kosovës dhe është e gatshme t`ia bëjë, sërishmi, gjëmën Kosovës. Deri aty ka arritur mosbesimi për opozitën dhe institucionet e saj, të kapura nga PAN-i, sa Qeveria aktuale nuk ka besim ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin, sepse dyshon se Gjykata Kushtetuese vendos kundër vullnetit të popullit dhe përcaktimeve qeveritare, duke favorizuar Serbinë.

Prandaj, janë bindur se kasta e opozitës PAN-iste, me abuzimin me pushtetin, për dy dekada radhazi, me tendera, kontrabandën me krerët e Listës Serbe, tregtinë me drogë dhe të gjithë katalogun e poshtërsive tjera, ka depotizuar pasuri marramendëse, brenda dhe jashtë vendit, duke siguruar jetesën brezave të tërë familjare. Ndërkohë që kanë rrënuar shtetin e Kosovës. Edhe sot pyesin shtetarët gjermanë: "Ku janë 5 (pesë) miliardë dollarët, që i kemi dhënë për zhvillimin e Kosovës pas luftës?!" Dhe, mos të flasim për miliardat e dollarëve të dhuruara nga SHBA. Shitja dhe përshitja e egër të pasurive të brezave shqiptarë, nga shtetarë, pushtetarë dhe "komandantë" bastardë, zuzarë, do të mbetet, madje përjetësisht, njollë e zezë në historinë gjithëshqiptare”, ka vlerësuar Zeqiraj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat