Mesazhi i shefit të NATO-s për “kompromiset”/ Kërkohet ndërrimi i logjikës së dialogut Kosovë – Serbi: Situata tendencioze

Politika

Mesazhi i shefit të NATO-s për “kompromiset”/ Kërkohet ndërrimi i logjikës së dialogut Kosovë – Serbi: Situata tendencioze

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 mars 2025 Në ora: 17:30
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka qëndruar për vizitë në Kosovë gjatë ditës së hënë.

Rittu tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në aleancë dhe në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.

Gjatë një tryeze diskutimi në Prishtinë më 11 mars me gazetarë, pasi zhvilloi takime me krerët shtetërorë, Rutte tha misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ofron siguri dhe stabilitet për të gjitha komunitetet, por shtoi se zgjidhja për paqe afatgjatë është politike.

E pa përmendur nuk mbeti edhe dialogu Kosovë-Serbi, si një nga çështjet më të rëndësishme tashmë edhe për ndërkombëtarët.

Rutte, tha në Prishtinë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura, duke shtuar se kërkohet fleksibilitet dhe kompromise.

“Për ta lëvizur këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në përfitimet afatgjatë”, tha ai.

Sipas tij, normalizimi sjell më shumë stabilitet dhe siguri për mbarë rajonin.

E të gjendur në këtë situatë dhe bazuar në këtë deklaratë të Rutte për dialogun si duhet të sillet Kosova në raport me këto kërkesa?

Shabani: Rutte vjen në Kosovë në një kohë kur papajtueshmëritë mes Prishtinës dhe Beogradit janë akoma tendencioze

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani.

Ai thotë se çdo ditë po përballemi me ndryshime në politikë në vend dhe në arenën ndërkombëtare duke përfshirë këtu edhe raportin mes Kosovës dhe Serbisë.

Image
Amir Shabani.

“Bota në përgjithësi po edhe rajoni i Ballkanit Perëndimor në veçanti po ndryshojnë me zhvillimet e përditshme gjeopolitike që po ndodhin në arenën ndërkombëtare, këtu padyshim se është e pashmangshme çështja e sigurisë në rajon dhe normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, u shpreh ai.

Njohësi më tej thotë që vizita e Rutte ka ardhur në kohën kur papajtueshmëritë mes Prishtinës dhe Beogradit janë akoma tendencioze.

Sipas tij, prezenca e trupave ushtarake të KFOR-it është argument i qartë se NATO përkrah anëtarësimin e Kosovës në këtë aleancë.

“Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte vjen në Kosovë në një kohë kur papajtueshmëritë mes Prishtinës dhe Beogradit janë akoma tendencioze, por nga ana tjetër m doemos duhet arritur zgjidhja dhe të realizohen kompromiset e nevojshme në mënyrë që paqa dhe stabiliteti të jenë afatgjatë.

Prezenca e trupave ushtarake të KFOR-it është argument i qartë se NATO përkrah anëtarësimin e Kosovës në këtë aleancë dhe gjithë aleatët tjerë perëndimorë nxisin Kosovën që të sigurojë paqe në vend”, u shpreh njohësi i çështjeve ndërkombëtare, Amir Shabani për “Bota sot”.

Ahmeti: Bashkimi Europian duhet të ndryshojë logjikën e dialogut

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zhvillohet mbi parime të njëjta për të dy shtetet dhe jo me standarde të dyfishta.

“Dialogu shpeshherë reduktohet në kompromise, por edhe këto kompromise duhet të bëhen brenda disa kornizave që nuk e dëmtojnë shtetësinë. Kosova dhe Serbia kanë nevojë të vazhdojnë dialogun për të zgjidhur disa konteste që pengojnë proceset integruese dhe konsoliduese. Dialogu duhet të zhvillohet mbi parime të njëjta për të dy shtetet dhe jo me standarde të dyfishta”, u shpreh ai.

Më tej, analisti thekson që BE duhet të ndryshojë logjikën e dialogut nëse kërkon rezultate konkrete.

Sipas tij, Kosova dhe Serbia kanë obligim të ulen në tryezën e dialogut, pasi të dyja do të hasin pengesa në rrugën e integrimeve euroatlantike.

“Bashkimi Evropian duhet të ndryshojë logjikën e dialogut, nëse pret rezultate konkrete. Fillimisht, duhet të diskutohet mbi marrëveshjet e arritura mes dy shteteve, të cilat kanë mbetur vetëm në letër, dhe më pas të shqyrtohen mundësitë për marrëveshje të reja. Kosova dhe Serbia kanë obligim të ulen në tryezën e dialogut, pasi të dyja do të hasin pengesa në rrugën e integrimeve euroatlantike. Pa dyshim, e ardhmja e dy shteteve është në dialog, por Kosova assesi nuk duhet të bëjë kompromise të dhimbshme që dëmtojnë substancën e Republikës”, përfundoi Ahmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat