Komuna e Prishtinës ditë më parë ka nënshkruar kontratën për blerjen e biçikletave në vlerë 500 mijë euro.
Sipas kontratës, komuna ka blerë një biçikletë në vlerë prej 2,744 euro.
“Çmimet njësi të furnizimeve janë paraqitur në ofertën financiare, lista e çmimit e paraqitur nga furnizuesi. Vlera totale indikativë e kontratës për çmim për njësi është 2.744.00 euro”, thuhet në kontratë.
E lidhur me nënshkrimin e kësaj kontrate, nga Komuna e Prishtinës i kanë thënë telegrafit se këto nuk janë biçikleta të zakonshme.
“Biçikletat e porositura nga Kryeqyteti nuk janë biçikleta të zakonshme, por janë biçikleta me kyçje elektronike inteligjente që nënkupton sigurimin e biçikletës pranë ose jashtë stacionit të parkimit, alarmin e sigurisë, pozicionimin e saj nëpërmjet komunikimit GPS, GSM, GPRS, BLE, zhbllokimin dhe kyçjen nëpërmjet aplikacionit celular dhe terminalit dhe kartës së përdoruesit dhe kodit QR”, ka deklaruar zëdhënsja e komunës së Prishtinës, Arlinda Kastrati.